Zërat
 Donjeta Morina

Donjeta
Morina

A jeni shikues apo reagues për barazi gjinore?

Zërat December 14, 2016 - 11:20

[Text Box: Sallonet e së Martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Salloni ka format gjysmëformal sipas rregullës “Chatham House” dhe pa prani të medieve. Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura. Fjala e hapjes postohet në www.youtube.com/user/TuesdaySalon. Secili Sallon përcillet me një editorial që publikohet në gazetën “Zëri” të martën e ardhshme.

Podcastet bazuar në editorialet mund të gjenden në d4d-ks.org/sallonet/podcast-per-sallone.] Gratë dhe burrat në Kosovë nuk janë të barabartë. Kjo shihet në të gjitha sferat e jetës sociale, politike dhe ekonomike. Gratë përbëjnë shumicën e kosovarëve joaktivë në treg të punës, vetëm 19% të grave posedojnë pronë në emrin e tyre dhe barra mbi kujdesin për shtëpi dhe fëmijë bie kryesisht mbi gra. 68% e grave dhe vajzave në Kosovë kanë përjetuar dhunë në familje dhe 64% e grave dhe vajzave janë ngacmuar seksualisht në rrugë, vend të punës, shkollë dhe universitet.

Kjo situatë vetëm përforcohet nga paraqitjet mediale të grave të mbushura me stereotipa gjinore. Megjithatë, edhe djemtë, edhe burrat ndikohen negativisht nga stereotipat gjinore. Djemtë duhet të jenë fizikisht dhe mentalisht të fortë, nuk duhet të tregojnë emocione, inkurajohen të jenë të dhunshëm, duhet të jenë në gjendje të përkujdesen financiarisht për familjen etj. Këto stereotipa reflektohen edhe në politika publike ku, për shembull, Ligji i Punës nuk u lejon baballarëve më shumë se 3 ditë pushim të atësisë.

Pa dyshim që shteti dhe politikëbërësit mbajnë përgjegjësinë kryesore për ekzistimin e pabarazisë/diskriminimit gjinor. Por çfarë është roli i qytetarëve/qytetareve të thjeshtë/a, organizatave joqeveritare dhe medieve? Si mund të mbështesin barazinë sociale, ekonomike dhe politike të burrave dhe grave? Të gjithë janë të pajtimit që organizatat joqeveritare në Kosovë gjithmonë kanë qenë aleate kyç në luftën kundër pabarazisë dhe diskriminimit gjinor. Reagimet e OJQ-ve zakonisht kanë ardhur në formë të protestave, hulumtimeve dhe iniciativave avokuese. Hulumtimet të cilat janë kryer në Kosovë mbi dhunën në familje, që ka paraqitur rezultate shqetësuese para institucioneve dhe qytetarëve.

Rezultatet e hulumtimeve të ndryshme kanë pasur ndikim direkt në shumë politika publike, duke përfshirë Programin e Kosovës kundër Dhunës në Familje dhe Ligjin për Barazi Gjinore. Përmes protestave të mëdha në rrugë, organizatat e shoqërisë civile kanë arritur të nxisin debat mbi shumë çështje që kanë qenë tabu. Protestat për njohjen e statusit të të mbijetuarave/mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, kanë qenë një ndër shtytësit kryesorë për të sjellë këtë temë në diskutim qeveritar.  

Përderisa me qindra organizata të shoqërisë civile punojnë kryesisht me dhe për gra, kemi shumë pak organizata që punojnë me djem dhe burra. Në përgjithësi për të luftuar për barazi gjinore duhet që të punojmë me djem dhe burra, pasi që statistikat tregojnë që burrat janë shkaktarët kryesorë të dhunës në Kosovë. Njëkohësisht, djemtë dhe burrat vuajnë shumë nga stereotipat gjinore që vendosin standarde të pamundura të të qenit “Burrë”. Konstrukti shoqëror tregon dhe shfaq shumë “maskulinitetit” e tyre dhe duhet të punohet më shumë me djem të shkollave fillore dhe të mesme. Puna për të ndryshuar këtë konstrukt shoqëror duhet të bëhet përmes aktiviteteve, punëtorive dhe trajnimeve.

Kjo punë fokusohet në promovimin e barazisë gjinore, parandalimin e dhunës, shëndetin riprodhues dhe thyerjen e stereotipave gjinore. Pyetja kryesore që duhet të shtjellohet në aktivitetet është ajo se çfarë do të thotë të jesh “Burrë” i vërtetë. Përkundër presioneve të shoqërisë, djemtë duhet të mësojnë që një burrë i vërtetë nuk është i dhunshëm, shfaq emocione, është i përgjegjshëm, gatuan, kujdeset për fëmijët etj. Gradualisht, ky ndryshim do të ndodhë dhe do ta transformojë definicionin e të qenit burrë në Kosovë.

Një akter tjetër kyç në luftën kundër pabarazisë dhe diskriminimit gjinor janë mediet. Spektatorët, por edhe reaguesit për barazi gjinore njëzëri besojnë që mediet kanë një përgjegjësi të madhe në formimin e opinionit publik, duke pasur mundësinë të përforcojnë apo të zbusin stereotipat gjinore. Në Kosovë paraqitja e burrave në medie është më i madh në përqindje sesa i grave. Po ashtu mënyra se si paraqiten gratë dhe burrat ka dallim të madh. Në jetë diskutohet shumë se si paraqitja e grave mbetet e mbushur me stereotipa gjinore. Po ashtu, raportimi i rasteve të dhunës në familje është shpeshherë jokorrekt dhe nuk tregon ndjeshmërinë e duhur. Shpesh shohim fajësimin e viktimës ku arsyeja për dhunë identifikohet në veprimet e vet viktimës. Po ashtu shtjellohen arsyet se pse mediet raportojnë në këtë mënyrë.

Njëra nga arsyet që përmendet është fakti që mediet, sidomos ato elektronike, qëllimin e kanë tek përfitimi dhe jo tek thyerja e stereotipave dhe informimin korrekt i qytetarëve. Një arsye tjetër është vetë mungesa e njohurive të gazetarëve për këtë temë. Kjo është si rrjedhojë e mungesës së gazetarëve të profilizuar, pasi që shumë medie fokusohen në çështje politike, ekonomike, të korrupsionit, etj. Megjithatë, disa hapa për të përmirësuar qasjen e medieve kanë filluar të ndërmerren. Në këtë aspekt gazetarët duhet të fillojnë të angazhojnë ekspertë të çështjeve gjinore për të trajnuar gazetarë të mediumeve të ndryshme. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK