Zërat
Nebi Bardhoshi
Nebi
Bardhoshi

Enveri qenka akoma yni!

Zërat December 10, 2016 - 11:34

Po të ishte Enver Hoxha gjallë sot, dhe të votohej me votim të fshehtë, dhe po të mos bliheshin votat ai do të fitonte përkundrejt çdo lideri aktual. Kjo mund të thuhet duke u bazuar në një sondazh të kryer nga IDRA, që u prezantua para tri ditësh. Vini re, pra sot, më dt. 8 dhjetor 2016, një datë historike e “kohës së demokracisë” gjendemi para një sfide të tillë kolektive. Për të mos krijuar keqkuptime, kjo çështje nuk ishte pjesë e ndonjë pyetjeje të këtij projekti, por këtë mund ta deduktojmë nga rezultati i sondazhit ku Enver Hoxha, e kam fjalën për Diktatorin Enver Hoxha, vlerësohej së paku prej 31 % (së paku) të intervistuarave si figurë pozitive në historinë e shoqërisë shqiptare. Asnjë prej liderëve aktualë nuk e merr këtë rezultat individual në votime sot e as për historinë, e ka gjasa as në të ardhmen apo jo?!!!

Dikush mund të çuditet për një çast me këtë shifër. Edhe vërejtje për metodologjinë e projektit mund të ndërtohen. Unë kam disa vërejtje, por këtu nuk është puna të ndalemi te kjo pikë, çështja është ku e ku më e thellë dhe më e rëndësishme për t’u analizuar. Çfarë ndodhi me shoqërinë shqiptare këto 25 vjet? Njerëzit e të gjitha shtresave kanë ndërtuar një hierarki, e cila vendos aktualen, të tashmen, pra atë që njihet si “koha e demokracisë”, në mes Komunizmit dhe Evropës. Në shumicën e bisedave rreth publikes në Shqipëri, gjithë çfarë është krijuar në këto 25 vjet konsiderohet si inferiore qoftë përkundrejt asaj të krijuar në komunizëm, qoftë përkundrejt asaj që gjendet apo përjetohet në Evropë. Vini re pra, dy eksperienca kolektive, njëra si të nënshtruar prej diktaturës e tjera si emigrantë, dhe në të dyja rastet, eksperienca e një jetë në “kohën e demokracisë” në Shqipëri konsiderohet inferiore. Dhe jo vetëm që kjo është bisedë dhe shprehi e një kulture popullore të shpenguar nga përgjegjësia, apo nga kultura e mohit dhe mosbesimit, produkt dhe shpjeguese e dështimeve në “kohën e demokracisë”. Fatkeqësisht, duket se sa më shumë venitet magjepsja për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, aq më shumë kemi magjepsje për të shkuarën.

Le të shestojmë një shteg tjetër të analizës. Si u diskutua, si u përballë komunizmi në hapësirën publike në “kohën e demokracisë”? Një ndër metodat që erdhi si pjesë e kulturës së re demokratike ishte ftesa që diskutimin mbi komunizmin ta bënim brenda kontekstit. E të gjithë u kujdesëm më shumë për objektivitetin sesa për njeriun. Apo jo? Por më kryesorja ndër ato që ndodhën menjëherë pas rënies së komunizmit ishte shpikja e një ekonomie politike që lidhej me të kaluarën komuniste. U ndanë apo u krijuan mediet, u ndanë studiuesit apo u krijuan studiuesit, shkurt e shkurt, u ndanë kampet të cilat do të kishin monopolin e prodhimit të vërtetës dhe të interpretimit të jetës sonë. Partitë politike, të paafta apo që nuk deshën të ndaheshin me të shkuarën filluan dhe e aktualizuan atë, e shndërruan në mekanizëm politik. A s’është e shkuara komuniste shenja kryesore që përkufizon identitetin e partive politike shqiptare? A nuk përdoret komunizmi si periudhë referenciale kryesore për të folur për cilësitë e çdo partie kryesore në Tiranë? Sakaq, universiteti u vendos ose më saktë u rivendos gradualisht nën kontroll (qoftë nëpërmjet teknikës së reformave të pakëputura, qoftë nëpërmjet votave etj.), institutet kërkimore u vendosën gjithnjë nën akuza për të kaluarën e tyre a për modelin e vjetër. Thënë shkurt, politika gradualisht ripërvetësoi pushtetin e interpretimit të Botës sonë. Kujtoj këtu lojën me shpërblimet për ish-të përndjekurit, apo lojën politike me dosjet e sigurimit të shtetit. Një lojë që do të vijojë. Një lojë e cila është e përllogaritur mirë, e hollë. Loja me Dosjet e Sigurimit është ndër lojërat kryesore të pushtetit në Tiranë, apo jo? Pse, ndodh kjo? Sepse politika dhe shoqëria shqiptare në tërësi ishte deri më tash krejt e mangët në kulturën e krijimtarisë, e imagjinatës e mbi të gjitha e papërgatitur për të tejkaluar kulturën e shpagimit.

Këto kohët e fundit, rikthimi i kulturës autoritariste është bërë shqetësim publik në vendet perëndimore. Madje këto ditë lexoj se ndërkombëtarë të ndryshëm po akuzohen se po përkrahin kulturën autoritariste në Ballkan. Kjo akuzë mund të jetë një tepri, por ka shumë të dhëna se gjatë këtyre viteve postkomuniste kjo ka ndodhur rëndom. Por unë s’jam pro transferimit të kësaj përgjegjësie. Sepse kjo kultura e transferimit të përgjegjësisë jashtë qytetarit ka ndikuar aq keq e aq shumë mbi kulturën politike të këtij vendi, sa besoj se është një ndër burimet kryesore të asaj që kemi sot – të vetadhurimit të një vdekuri si Enver Hoxha. Mos ju duket kontradiktore kjo? Mua më duket se jo. Ajo është shprehi e së njëjtës kulturë, e një kulture politike që kryen transfertën ose te të vdekurit ose te një Botë jashtë saj. Kujtoj, këtu edhe një herë, se jeta në “kohën e demokracisë” në Shqipëri u konsiderua si inferiore, qoftë përkundrejt komunizmit, qoftë përkundrejt Evropës. Për sa kohë kjo shkaktonte përdorimin e këtij qëndrimi si kritikë ndaj asaj që po bënte politika shqiptare ishte shumë mirë, por tash shohim se ka gjasa të jetë kthyer në besim kolektiv.

Pse s’duhet të çuditemi që trashëgimia komuniste dhe vetë figura e Enver Hoxhës është ende e rëndësishme në kulturën politike shqiptare. Shikoni pak hartën politike shqiptare. Shikoni pak dhe rezultatet e studimit të IDRA-s dhe krahasoni. Kjo na bën të mendojmë se nuk jemi thjesht = në kushtin e një perceptimi (dhe perceptimi nuk është asnjëherë pak), por jemi në kushtin e një trashëgimie politike, e cila ka rol domethënës në jetën tonë. Për të kuptuar më tej, vini re sërish nga ky studim nuk ka shumë dallime në mes perceptimeve të atyre që kanë jetuar në atë sistem dhe të rinjve sa i takon figurës së Enver Hoxhës. Para këtij variabli do të duhej të dyshonim shumë për pikën tjetër ku të rinjtë shprehen se nuk kanë dijeni për kohën komuniste. Çështja nuk është se ata nuk kanë informacion, apo që nuk flasin për komunizmin në familje, ndër shok apo në institucionet arsimore, por më shumë se si e rrokin informacionin dhe si flasin mbi këtë temë. Personalisht mbroj tezën e trashëgimisë familjare të votës, të një vote identitare e cila nuk është konkurruar dot prej një kulture politike të votuesit që ndjek më vëmendje kontratën politike bazuar në program. Se pse nuk ndodh kjo, unë prapë nuk besoj te teza kulturaliste se kështu jemi ne, por besoj se dhe kjo kulturë është produkt i drejtpërdrejtë i një politike pa imagjinatë.

Tani që jetojmë në kushtin e çmagjepsjes prej demokracisë, një sinjal i fortë që vjen nga votimet e fundit në Evropë dhe SHBA, mendoj se shoqëria shqiptare do të duhej të riartikulonte fort qëndrimin e saj ndaj trashëgimisë politike. Për fat Enver Hoxha nuk do të ringjallet dot më. Por ndërkohë kulturën autoritariste e kemi pasur gjithnjë të pranishme e na ka shoqëruar në këto 25 vjet postdiktaturë. Ata që përpiqen të flasin për faza liberale të politikës, të Majtë apo Djathtë shqiptare, sforcohen shumë për ta krijuar këtë ide.

Shpejt e shpejt mund të mbyllim kështu argumentin tonë, politika e “kohës së demokracisë” ishte një politikë e paaftë të kishte imagjinatë për të ardhmen, filloi të përdorte retorikën për të shkuarën dhe Evropën. Këto role ndërkëmbehen mes partive politike, bëhen lojcake, por ndërkaq delegjitimohen dalëngadalë, mandat pas mandati, në sy të shoqërisë. Vetë shoqëria u kurthua në kulturën e indiferencës, të kapitalizmit e të sjelljeve ekonomike sipas modelit të Marksit, e po aq të konceptimit të shtetit sipas Hobsit. Sot jemi në kushtin kur dikush ka dëshirë të bëjë njeriun njeri me anë të shtetit, një kulturë krejt etatiste e një gjinie hobsiane. Kjo kulturë etatiste është shtrati ideal për një kulturë autoritariste, ku qytetari e transferon pushtetin te shteti për ta bërë njeriun njeri, duke prezumuar tjetrin në krah si jo krejt njeri. Përballë saj vihet re një kulturë dhe praktikë si e kundërt më këtë, ajo që njihet si kultura e korrupsionit apo e informales që e sheh shtetin si vendin për t’u grabitur, si një vend që nuk i përket. Të dyja këto kultura janë shkaktare të një nostalgjie për barazinë dhe sigurinë në diktaturë.

Në mos nuk kemi të drejtë të çuditemi se Enveri qenka i gjallë mes nesh ende, a kemi të drejtë të shqetësohemi. Asnjëherë më shumë se sot, çdo individ i kësaj shoqërie nuk ka pasur të drejtë të shqetësohet më shumë. Të jetosh në një shoqëri e cila ende guxon apo ka nevojë, qoftë dhe si tallje me politikën e ditës, të adhurojë figura si ajo e Diktatorit Enver Hoxha, është shumë pak të thuash se është shqetësuese. (Mapo)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK