Zërat
Jonuz Salihaj
Jonuz
Salihaj

Vlerësimi PISA dhe opinioni publik në Kosovë

Zërat December 08, 2016 - 14:04

Më në fund, pas shpalljes së rezultateve të vlerësimit të nxënësve për vitin 2015 në Kosovë, bile një ditë të vetme, opinioni në masë u sensibilizua.

Të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike e kishin top-lajm rezultatin e këtij vlerësimi shumë kredibil dhe të besueshëm. Edhe televizionet tona e kishin lajm të parë, duke përfshirë edhe televizionin publik, i cili me ëndje në debatet për arsim fton vetëm pozitën kur preken çështjet e arsimit.

Kemi provuar qindra herë, që nga paslufta e sidomos pas vitit 2008, me forma të ndryshme të informimit, debate, tryeza, konferenca për shtyp etj., të njoftojmë opinionin publik për shkallën e lartë të degradimit në arsim, por shpesh kemi hasur në vesh të shurdhër. Tani erdhi një vlerësim ndërkombëtar dhe të gjithë u befasuan me rezultatet. Si duket e kemi harruar thënien: çka mbjell e korr.

Reagimet erdhën nga të gjitha anët duke filluar nga Presidenti, i cili deklaroi se Kosova ka sistem të shkatërruar arsimor. Kush e shkatërroi këtë sistem? Në maje të kësaj piramide qëndron bindshëm dhe pa asnjë konkurrencë, Presidenti i tanishëm me ministrat e tij, të cilët kanë lëvizur çdo levë që arsimin ta nënshtrojnë dhe politizojnë në përmasa të tilla të pakthyeshme. Është definitivisht e palejueshme që këto rezultate t’i komentojnë ata që e kanë katandisur arsimin.

Tani të gjithë po pajtohemi se niveli i njohurive dhe shkathtësive të fëmijëve tanë qëndron larg moshatarëve të tyre në Slloveni apo në Kroaci e të mos flasim për nxënësit e Finlandës apo të Estonisë. Fajtorë për këtë gjendje jemi ne e jo nxënësit e nivelit 1 dhe 2, të cilët janë testuar.

Faktorët që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje janë shumë. Ja disa prej tyre:

1. Niveli i ulët i përfshirjes së fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe arsimin parafillor, më i ulëti në rajon dhe Evropë;

2. Programet parashkollore jocilësore dhe joatraktive dhe kuadri i papërgatitur mirë dhe i pamotivuar (pagat shumë të ulëta të edukatorëve në këtë nivel);

3. Moskoordinimi i veprimeve në mes MASHT-it dhe komunave, i pari zhvillon politika adekuate në përputhje me ligjin, kurse komunat i zbatojnë ato.

4. Planprogramet shkollore për nivelin fillor dhe të mesëm të ulët ende gjenden në fazën e eksperimentimit. Nuk ka rezultate të prekshme pa programe, të cilat i motivojnë fëmijët.

5. Mungesa e hapësirave shkollore, ende kemi shkolla që punojnë në tre turne (shkolla “Elena Gjika”, në Prishtinë);

6. Mungesa e kabineteve, laboratorëve dhe hapësirave për rekreacion;

7. Kalendari shkollor, më i shkurtri në Evropë;

8. Institucione shkollore të pamonitoruara dhe të inspektuara plotësisht;

9. Numri shumë i madh i orëve të humbura;

10. Vlerësimet joadekuate, të brendshme dhe të jashtme. Vlerësimi i jashtëm pas mbarimit të nivelit 1, shkollës fillore, asnjëherë nuk është realizuar në tërë Kosovën edhe pse është i obliguar.

11. Përgatitja e dobët e kuadrove arsimore, niveli shumë i ulët i mësimdhënies në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës e të mos flasim për universitetet e tjera publike dhe private në vend.

12. Mungesa totale e llogaridhënies, nuk është shënuar asnjë rast i përjashtimit të ndonjë mësimdhënësi apo dorëheqja e ndonjë drejtori të shkollës, për shkak të mosarritjes së objektivave në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

13. MASHT-i asnjëherë nuk e ka bërë rangimin e shkollave në bazë të rezultateve të arritura.

Në vlerësimet e jashtme, tendenca për futjen e të gjithëve në një thes është katastrofale.

Ka edhe shumë faktorë të tjerë që i kanë kontribuuar kësaj gjendjeje dhe këtij rezultati.

Për tejkalimin e situatës nevojitet mobilizimi i të gjithë mekanizmave institucionalë, OJQ-ve dhe donatorëve të ndryshëm që gjendja të kapërcehet - me një planoperacional me objektiva kohore dhe bartës të përcaktuara saktë.

Gjendja nuk do të ndryshojë me aprovimin e strategjive të shumta që ministri Bajrami i nxjerr nga mangët në çdo takim mediatik, por me angazhim, monitorim dhe inspektim të çdo segmenti arsimor dhe llogaridhënie të vazhdueshme gjatë këtij procesi. Në vendet demokratike procesi i llogaridhënies gjithmonë fillon nga lart.

Premtimeve që në vitin 2018 do të arrijmë rezultate inkurajuese apo që në vitin 2021 do të krahasohemi me shtetet e BE-së nuk u beson më askush. Nëse e ndieni fajin e përgjegjësisë, tani është koha që të shkoni.

Gjithashtu duhet shfrytëzuar këtë moment për të bërë dallimin e madh, ata që punojnë duhet të shpërblehen, kurse ata që nuk kanë rezultate duhet të zëvendësohen me të rinj.

Modeli më i mirë për ne dhe për çdo shtet tjetër të përgjegjshëm, se si krijohet vlera shtesë në arsim, është ai i Estonisë, vendi i tretë në renditjen e vlerësimit të PISA-s në mesin e 72 shteteve të botës.

Në fund nuk guxojmë të flasim për këtë vlerësimi pa e përmendur edhe rezultatin inkurajues të Shqipërisë, ngritjen për 18 vende në tabelë, duke iu ofruar dy vendeve të BE-së, Rumanisë dhe Bullgarisë.

Shkurt, tani nuk është koha për fjalime por për përgjegjësi konkrete, nga lart-poshtë, nëse dëshironi të na bindni se e doni këtë vend dhe a kujdeseni për fatin e fëmijëve tanë. (Autori është udhëheqës i Departamentit për Arsim në AAK)

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK