Zërat
Jon Leka
Jon
Leka

Aleanca për shqiptarë

Zërat December 07, 2016 - 09:22

PROFILE SUBJEKTESH II

Zijadin Sela është lideri që bën përjashtimin në kushtet pothuaj ballkanike: nuk është i korruptuar, është pragmatik dhe me integritet si në dije ashtu në kulturë. Në politikë si deputet dhe kryetar i Strugës dëshmoi se nuk korruptohet as atëherë kur kërcënohet me vdekje e as atëherë kur joshet me miliona.

ORIGJINA –  Aleanca për Shqiptarë përbëhet nga dy grupe partish, të cilat ikën nga BDI dhe PDSH për shkak të vendnumërimit të dy partive në kurriz të të drejtave shqiptare dhe në favor të pasurimit ilegal të klaneve të larta hierarkive që udhëheqin partitë në fjalë. Pas rigrupimit në Aleancë, partive përbërëse iu kyçën edhe një pjesë e madhe e shtresave urbane të qyteteve me shumicë shqiptare; njerëz hierarkishë të larta shtetërore që njihnin veprimet e dy partive paraprake në raport me shtetin; shumica e pedagogëve, mësuesve, «të shkolluarve» dhe pjesë të  shoqërisë sidomos aktive kundër kapjes së shtetit dhe shoqërisë. Ndër personat e propozuar nga Aleanca mirëpo ka aty këtu edhe figura me biografi jo gjithaq stabile, në kuptimin e vrapit pas pushtetit me çdo kusht.

REKRUTIMI – Aleanca për Shqiptarë nuk përdorë autobusë për bartjen e «tifozëve», as shpërndanë kuponë për të blerë mall në kompanitë turke e të llojit. Deri më tani nuk ka bërë asnjë lëvizje – si tjerat – çka mund të interpretohej si sistem kapjeje të elektoratit duke keqpërdorur skamjen, gjendjen jo të privilegjuar të masave nga partitë në pushtet për t'i përfituar dhe gjeneruar vota për vete. Rekrutimi ndodhë në mënyrë korrekte dhe shihet se Aleanca është e interesuar në kërkim të subjektit autonom që kërkon të drejtat e veta e jo në sigurim të «ithtarit klasik» që është në gjendje të rrezikojë pa e ditur se për çka.

Përqendrimi, së fundi, i partisë sidomos nëpër zonat rurale thyej atë legjendën e krijuar kohëve të fundit se do të jetë parti e vetëm atyre qyteteve dhe me arsim të lartë.

LIDERI – Ngritja e Zijadin Selës edhe në rrafshin nacional erdhi pas fitores së tij në Strugë me 5 mijë vota dallim kundër kandidatit të përbashkët të VMRO-LSDM që ishin bashkuar kundër kandidatit me origjinë shqiptare – siç bëjnë edhe në këto zgjedhje në zonat e rrezikuara për ta. Bujë dhe skandale shkaktoi hapi i tij i parë sapo morri postin e kryetarit të Strugës: urdhëroi shembjen e të gjitha objekteve të ndërtuara ilegalisht buzë Drinit të Zi; aksion që i shkaktoi shumë kërcënime me vdekje dhe një luftë me qeverinë qendrore, Ministrinë e Punëve të Brendshme e cila nuk reagonte aspak në mbrojtje të tij. Një reformë interesante Sela, si ish mjek i spitalit të qytetit dhe Kryqit të Kuq i bëri shëndetësisë. Si deputet mbahet mend shpërthimi tij kundër ligjit për ti shpallur “branitellat” (sllavë që njihen për aksionet terroriste të tyre fshatrave të Maqedonisë gjatë luftës) si heronj lufte, madje ai rrëshqiti aq larg saqë tha se do t'ia vë flakën parlamentit, gjë që i kushtoi me epitetin të jetë radikal edhe pse përndryshe i takon grupit të politikanëve pragmatikë, por të vendosur.

Përveçse se është lideri më i përgatituri intelektualisht atje, Sela ka biografinë më të panjollshmen nga të gjithë tjerët.

FINANCIMI – Buxheti i partisë nuk ka burim tjetër përveç atyre që i japin vetë garuesit për deputetë dhe anëtarët e saj.

PERSONELI – Shumica e personave të propozuar në listën për deputetë janë poashtu të kategorisë antikorruptive si për nga aspekti ideologjik, strukturor poashtu edhe nga ai material. Shumica profesionalisht të realizuar. Disa prej tyre edhe kur akuzohen më shumë në bazë të gjeneve, gjakut e fisit, por jo si individë me vepra konkrete negative.

PROGNOZA – Aleanca për shqiptarë ka të gjitha gjasat të dalë opozita e parë dhe serioze e BDI - së brenda spektrit shqiptar. Po të mos ishte vota e përçarë në këtë formë, siç është, do ta rrezikonte primatin e partisë së parë - me siguri. Në vazhdim, pas zgjedhjeve, pavarësisht rezultateve Zijadin Sela plotëson të gjitha kushtet për të qenë lideri i ardhshëm i shqiptarëve të Maqedonisë; kjo sepse sapo të detyrohet implementimi strikt i shtetit ligjor nga ndërkombëtarët, ai dhe të tijtë do të mbeten i vetmi opsion që do ta kenë shqiptarët atje, nëse sërish nuk del ndonjë gjetje e re ideologjike që mund t'i fusë edhe një aventurë plus shqiptarët për të bërë garë me sllavët se kush do ta gjej i pari identitetin kombëtar ndryshe.

IDEOLOGJIA –  Nëse analizojmë deklaratat e Aleancës për Shqiptarë në këtë episod elektoral atëherë krijohet përshtypja sikur këta të jenë futur në garë me retronacionalizmin e partive të mëdha sllave e shqiptare ose për ta luftuar turkonacionalizmin religjioz brenda etnisë shqiptare, në lexim mirëpo të agjendës politike që parashtrojnë si kusht para hyrjes në çdo koalicion shihet se kërkojnë ato të drejta, më thelbësoret për etninë e diskriminuar shqiptare dhe atë jo vetëm në rrafshin e konstituimit politik si shumicë e dytë, por edhe në sfera poaq të rëndësishme si ajo e ekonomisë dhe tjerat.

VOTA:  Meriton votën e qytetarit shqiptar më shumë se çdokush tjetër.

Në radhë: Profile subjektesh III– PDSH

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK