Zërat
Edita Pozhegu
Edita
Pozhegu

Nga rinia për rininë: A ka mjaft mundësi zhvillimi në Kosovë? A arrijnë ato tek ti?

Zërat December 06, 2016 - 10:39

 Në një shtet ku rinia përbën pjesën më të madhe të popullsisë, mungesa e mundësive për zhvillimin dhe punësimin e tyre përbën një problem mjaft alarmues. Por, a është kjo mungesë e zhvillimit dhe e punësimit tek të rinjtë si pasojë e mungesës së mundësive? Apo është pasojë e mungesës së të rinjve të talentuar të gatshëm për punë?

Si shoqëri kemi tendencë që të shohim zhvillimin e gjeneratave të reja si një garë ku të gjithë nisemi prej një pike, por kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Ndoshta problem aq i madh nuk është mungesa e mundësive për zhvillim që u ofrohen të rinjve në Kosovë, por monopolizimi i tyre me fokus në Prishtinë. Një i ri në një fshat të vogël nuk ka pothuajse fare qasje ndaj mundësive që u ofrohen të rinjve në kryeqytet. Këto mundësi nuk përbëjnë vetëm mundësi punësimi, por edhe edukim joformal, punë praktike apo punë vullnetare. Çdo pabarazi e krijuar nga ky centralizim ndikon edhe më shumë në krijimin e klasave elitare në mes gjeneratave të reja. Ky centralizim i fuqisë punëtore në Prishtinë krijon edhe mungesë të resurseve njerëzore në vendet e tjera pasi të gjithë e kanë për qëllim shpërnguljen në kryeqytet. Një ndër zgjidhjet e mundshme është nxitja e investitorëve, kompanive dhe organizatave ndërkombëtare të ofrojnë mundësi zhvillimi edhe në komunat e tjera.

Një tjetër aspekt, i cili negativisht ndikon në zhvillimin e të rinjve kosovarë që përmendet, është mungesa e kulturës së vullnetarizmit. Thuhet që përhapja e kulturës së vullnetarizmit në mesin e të rinjve në Kosovë është pasojë e shumë elementeve. Një ndër të cilat është keqpërdorimi i vullnetarëve nga institucionet apo organizatat. Ky keqpërdorim i cili zakonisht është financiar, pason në dekurajim të individëve, të cilët marrin në konsideratë përfshirjen në punë vullnetare. Por gjithsesi, etika e punës fillon me vullnetarizëm. Një i ri i cili dëshiron të zhvillohet personalisht dhe profesionalisht, hapin e parë duhet ta marrë me vullnetarizëm ku e tregon talentin dhe aftësitë e veta.

Përpos vullnetarizmit, një hap shumë i rëndësishëm në aftësimin e të rinjve është puna praktike. Puna praktike apo thënë më mirë mungesa e saj mbetet një problem në mes të të rinjve dhe të rejave kosovarë. Përderisa kërkesat dhe ofertat për vende pune vazhdojnë të rriten, kërkesa për punë praktike nuk ka hasur ndonjë ndryshim. Arsyet për këtë janë shpeshherë të njëjta si për vullnetarizëm. Jo të rralla janë rastet ku kompanitë, që ofrojnë punë praktike, shkelin rëndë Ligjin e Punës dhe rrjedhimisht dekurajojnë aplikimin e praktikantëve të tjerë potencialë. Një ndër idetë që diskutohet është përfshirja e punës praktike në kurrikulumet e universiteteve dhe shkollave të mesme, gjë që tashmë ndodh në shumicën e shteteve perëndimore. Përfshirja e punës praktike si lëndë obliguese i parapërgatit të rinjtë për ambientin e punës me eksperiencat e nevojshme për krijimin e një karriere dhe zhvillimi profesional.

Përqindja e vogël e të rinjve, të cilët kryejnë punë praktike, nuk është vetëm pasojë e mungesës së dëshirës së tyre por edhe e jogatishmërisë së institucioneve dhe kompanive që e ofrojnë. Puna praktike kërkon investim nga të dyja palët. Në mënyrë që puna praktike të jetë efikase, kompania që e ofron atë duhet të investojë kohë dhe resurse në praktikantin, kurse prej praktikantit pritet të investohet koha dhe mundi.

Në një kohë ku teknologjia e cakton kahen e pothuajse çdo sfere të jetës sonë, në këtë rast dhe edukimit i është dhënë një drejtim i cili është manifestuar me transformim të plotë të tij. Tashmë ekzistojnë uebfaqe mësimi, portale apo aplikacione për çdo lëndë e çdo lëmi që mësohet në shkolla dhe universitete. Informatat tashmë janë të ofruara dhe presin të absorbohen. Por, sa janë të gatshëm të rinjtë që t’i gjejnë këto informata? Sa janë të gatshëm që të zëvendësojnë “Facebook”-un me “The Economist” ose ndonjë nga mediet sociale me aplikacionin e Khan Academy? Fatkeqësisht kjo gatishmëri vazhdon te jetë e ulët. Një ndër arsyet që diskutohet nga palët e interesit është mungesa e orientimit të të rinjve në një lëmi të caktuar, shpeshherë për shkak të mosnjohjes së talentit apo qëllimit të tyre.

Një ndër pikat ku të gjithë mund të pajtohemi është domosdoshmëria e edukimit joformal, punës praktike dhe vullnetarizmit. Mungesa e këtyre të triave dhe përditshmëria e sistemit të edukimit shumë lehtë mbyt ambiciet në pothuajse çdo individ. Në një treg si Kosova ku mundësitë e zhvillimit nuk vijnë vetë, një i ri duhet të hapë rrugën dhe t’i gjejë vetë mundësitë, shpeshherë të fshehura.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK