Zërat
Ergys Mërtiri
Ergys
Mërtiri

Kosovarizmi, streha e fundit e maskarenjve

Zërat October 25, 2016 - 14:11

Debati mbi kombin kosovar apo mundësinë e bashkimit me Shqipërinë bëhet nën shtysa padijeje por edhe faktorësh të tjerë. Mërtiri kritikon të gjithë ata që thonë se shqiptarët nuk duhet të fusin hundët në punët e Kosovës dhe të gjithë ata që kërkojnë që brenda shqiptarëve të krijohet “kosovari”

Një debat i pavend është çelur prej javësh midis analistëve në Kosovë e Shqipëri, në lidhje me projektimin e një Kosove të pavarur nga Shqipëria, e cila, po i fuska hundët më shumë se ç’duhet në punët “e brendshme” të saj.

Debati çon ujë te një projekt i artikuluar prej kohësh nga shumë segmente të shtypit në Kosovë, ku në një mënyrë apo një tjetër, po skicohet një komb i ri, i cili duhet me ecë me këmbë të vetat, jashtë “tutelës” së Shqipërisë. Ideja e “kombit kosovar”, ndonëse komplekson shumë njerëz, opinionistë e politikanë, e për pasojë nuk artikulohet haptazi, në fakt është një projekt real, për të cilin punon pjesa dërrmuese e establishmentit kosovar.

Ironike është se, në një shtet ku nuk ka ngel kush pa i fut hundët duke shfryrë sekrecione virozash gjeopolitke, ku ligjet, rendi e madje edhe kufijtë imponohen nga jashtë, kujtohen për sovranitetin vetëm kur bëhet fjalë për ndikim nga «vendi amë». Veç shqiptarët nuk u dashkan të fusin hundët në punët e Kosovës!

Kosovarizmi nën mëngë

Edhe mund të ishte e pranueshme që ky projekt të shtrohej për diskutim, nëse ai do të trajtohej objektivisht, haptas dhe pa komplekse. Por mënyra sesi ai kontrabandohet nga elitat politike, i fshehur nën mëngë, tregon se kemi të bëjmë me qëndrime aventurierësh, të motivuar më shumë nga interesa të vegjël të politikës së ditës, në mos edhe nga prirje oportuniste për të fituar kredenciale në sytë e të huajve.

Të kompeksuar dyfish, nga brenda dhe nga jashtë, nga shqiptarët që natyrshëm e gjejnë veten nën gravitacionin e një përkatësie identitare kombëtare unifikuese si dhe nga të huajt që i druhen prirjeve nacionaliste, mbrojtësit e kësaj teze përdredhin gjuhët duke prodhuar terma ambigë, të paqartë e të pasaktë.

Tymnaja përforcohet edhe nga padituria që karakterizon pjesëmarrësit në debat, i cili zhvillohet nga gazetarë e opinionistë pa asnjë kredencial intelektual e akademik në rrafshin e filozofisë, sociologjisë apo mendimit politik. Debati zhvillohet, si askund në botë, në një mungesë të frikshme referencash mbi terminologjinë e përdorur dhe fjalë të tilla si komb, etni, identitet, trajtohen pa një përkufizim elementar, e për pasojë prodhojnë më shumë tym se qartësi.

Shteti kundër kombit

Dëgjojmë shumë prej analistëve në Kosovë që, teksa rebelohen ndaj “protektoratit” imagjinar të Shqipërisë, mbrohen duke pohuar se nuk janë kundër identitetit të tyre shqiptar. Sipas tyre, ata mbeten shqiptarë dhe nuk ua mohon kush këtë, por ajo që ata po kërkojnë është fuqizimi i shtetit të Kosovës, i cili kërkon të mbështesë identitetin e vet, simbolet e veta, politikën e vet të pavarur etj.

Ata kërkojnë me pak fjalë që, brenda përkatësisë etnike shqiptare, të krijojnë një “identitet shtetëror” që ka të bëjë me Kosovën. Pra, brenda shqiptarëve të krijohet kosovari, brenda shqiptarizmit të lindë kosovarizmi. “Ne jemi me kombësi shqiptare, por me nacionalitet Kosovar”, -thonë ata.

Ideja e nevojës për një identitet shtetëror përkrah atij kombëtar është në fakt një retorikë amatore, pa një kuptim të qartë. Çfarë do të thotë “identitet shtetëror” nëse jo një identitet i dytë kombëtar? Cili është ndryshimi midis përkatësisë kombëtare dhe asaj nacionale, siç pohojnë disa prej tyre? Fjala nacionalitet, vjen nga nation që, si fjalë e huaj, iu përgjigjet realiteteve të shteteve kombe europiane, që ndryshojnë nga ai i Kosovës.

Etimologjikisht ajo ka të bëjë me vendlindjen, e cila perceptohet mbi një nocion politik që i përgjigjet shtetit-komb, siç janë masivisht shtetet europiane. Huazimi i një fjale latine, përkundruall fjalës komb duke krijuar artificialisht një dallim midis kombit dhe nacionit, thjesht e turbullon kuptimësinë për këto çështje. Por përtej paqartësisë terminologjike, ky identitet shtetëror çon ujë dashur pa dashur drejt një identiteti të ri kombëtar, që në thelb është vetëm një politikë fraksioniste identitare mes shqiptarëve.

Nëse do t’iu kthehemi studimeve mbi nacionalizmin, kemi një mori përkufizimesh mbi kombin, të cilat mund të grupohen në dy kategori të mëdha: Kombi politik ose etatist, i mbështetur mbi përkatësinë shtetërore, i cili buron historikisht nga modeli francez, si dhe kombi kulturor, i mbështetur mbi një sërë elementesh të trashëgimisë së përbashkët, si: gjuha, doket, zakonet, historia e përbashkët etj., i cili gjen ilustrimin më tipik në modelin gjerman. Askush nga teoricienët e gazetarisë shqiptare nuk na tregon se cilit prej këtyre modeleve i referohet kur flet për kombin, shqiptar apo kosovar qoftë.

Përtej kësaj, siç vërejnë shumë studiues, realiteti ka treguar se, në thelb, ideja e kombit na çon pashmangshëm në referencat kulturore. Ndonëse nacionalizmi francez u formësua nga një projekt i dalë prej revolucionit, autorë si Anthony Smith thonë se përfytyrimi i një përkatësie kombëtare franceze u ngjiz gjatë periudhës së një historie të përbashkët në monarki.

Përtej kësaj, siç konstatojnë edhe mendimtarë si Alain Finkielkraut, vetë Franca rrëshqiti ngadalë drejt referencave kulturore për kombin gjatë përballjeve të saj të vazhdueshme me nacionalizmin gjerman. Kombi politik mbështetet në një konstruksion pa themel, ndaj dhe nuk gjen dot një motivues të mjaftueshëm për të funksionuar.

Një komb i ngritur mbi inferioritetin

Identiteti shtetëror nuk është gjë tjetër vetëm se një rrugë që, do s’do, çon në konstruktimin e një kombi. Për rrjedhojë, kur flasim për identitet shtetëror, ideja na çon pikërisht te kombi kosovar, të cilin shumë qarqe politike e intelektuale po e falsifikojnë nëpërmjet sofizmave primitivë në Kosovë. E imponuar në mënyrë të kamufluar siç po shohim, kjo tezë bie erë.

Ajo nuk mund të sjellë një realitet të jetueshëm, por prodhon vetëm konfuzion, duke dobësuar ndjeshmërinë identitare të njerëzve, gjë që sjell dobësimin e lidhjeve të individëve me shoqërinë ku bëjnë pjesë.

Realiteti po tregon se vetëm shqiptarët kanë mbetur pa kombësi në Kosovë. Të gjithë etnitë e tjera mbajnë flamujt e tyre, sillen si grupe etnike me interesa të ngushtë kolektivë, ndërsa shqiptarët, në një shtet që presupozohet të jetë multietnik, i druhen demonstrimit të simboleve të tyre kombëtare. Identiteti kosovar është një jetim që iu duhet ta mbajnë mbi shpinë vetëm shqiptarët, të detyruar njëkohësisht në mënyrë sizifiane ta bashkëndajnë me të tjera grupe që nuk e duan.

A është i mundshëm bashkimi kombëtar si alternativë? Këtë ndoshta mund të mos e dimë, por plotësisht e mundshme është që shqiptarët, këndej dhe andej kufijve që na janë imponuar, të sillen si një entitet i vetëm. Ajo që mund të bëjmë është fillimisht të ushqejmë një ëndërr që na lidh me njëri-tjetrin, pa u trembur se dikush po na përgjon gjumin e natës. Kushtet për bashkime apo rikonfigurime gjeografish politike i përcakton historia dhe nuk na takon të merremi me “kuzhinat e së ardhmes”.

Por të paktën një gjë historia na e ka mësuar me siguri: Kurrë mos thuaj kurrë! Bëhet apo nuk bëhet ky bashkim, kjo nuk ka rëndësi sot. Rëndësi ka që deri atëherë, shqiptarët të kuptojnë se iu intereson, për të mirën e përbashkët, të integrohen e bashkërendojnë punët e tyre, për të qenë një faktor më i madh në rajon, e për të qenë më të fuqishëm për të vendosur mbi fatet dhe jetën e tyre. (Autori është Sociolog). /GazetaShqip/

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK