Zërat
Mero Baze
Mero
Baze

Kosova dhe Shqipëria, jashtë Ramës!

Zërat October 22, 2016 - 22:28

Unë ndoshta jam gazetari më jetëgjatë që kam punuar për shtypin e Kosovës, nga viti 1992. Për një kohë të gjatë më ka shqetësuar një lloj antikosovarizmi i vërejtur në Shqipëri, here- herë gati në formë racizmi.

I tillë sidomos në vitet ‘90. Lidhej here- herë politikisht, me mënyrën se si Berisha përdorte Kosovën, por ishte edhe jo politik. Ishte një distancë që vinte nga izolimi dhe nga prezantimi i keq i Kosovës në Shqipëri me disa biznesmenë mashtrues apo trafikantë të rëndomtë.

Dhe komunikimi thuajse mungonte. Por ajo që binte në sy, ishte klasa politike e Shqipërisë. Edhe pse për të kemi shumë rezerva, dhe pse mes tyre janë thellësisht të ndarë, ata ishin bashkë për Kosovën. Rugovën e kam shoqëruar kur e kanë pritur socialistët në vitin 1995, dhe socialdemokratët e Gjinushit, dhe ishin super korrekt me të. Por shoqëria kishte një lloj distance. Viti 1999 ishte viti, ku siç e thotë Kadareja, “Ra ky mort e u pamë”. Eksodi i dhunshëm i shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri, ishte një fat i madh historik nga ana tjetër.

Edhe pse nuk komunikonin dot lirshëm me njëri- tjetrin, eksodi i afroi shumë palët, dhe pas vitit 1999, unë nuk e kam ndeshur më në Shqipëri atë lloj antikosovarizmi që ishte deri në atë kohë. Jo se u fshi, por u zbeh shumë. Në Kosovë nga ana tjetër, kam vërejtur qysh në atë kohë një fenomen të kundërt. Klasa politike atje ishte shumë e distancuar nga Shqipëria. Njerëzit e LDK fjala vjen, mezi prisnin konfliktin Berisha-Rugova për të shpërthyer kundër Shqipërisë.

Kundërshtarët e tyre politikë, partitë e dala nga UÇK, duket se do ta thyenin këtë traditë. Ata jo vetëm që filluan karrierën politike të prodhuar nga paria politike e Tiranës, kryesisht Partia Socialiste, por dhe kishin një lloj orientimi nacionalist që u shkonte të dukeshin më afër Shqipërisë. Kur u shpall pavarësia më 2008, Hashim Thaçi e shmangu nxjerrjen e flamurit të Kosovës deri në mesnatë, me qëllim që të festohej me flamurin e Shqipërisë, ndërsa disa gazetarë, përfshi dhe disa nga këta të flaktit e “kosovarizmit”, nuk pranonin as ta shikonin “leckën” blu. Në fakt mua më ka pëlqyer flamuri i Kosovës, si një flamur pa kuptim, siç i shkon historisë së atij shteti. Mbaj mend kur në mesnatën e 17 shkrutit 2008, ja tregova flamurin e Kosovës, Fadil Krasnqit, një ish-luftëtari që tani merret me biznes rrugësh, e shtyu tutje me bezdi.

“Është për ata që janë në punë shteti”, më tha, unë jam privat, kam flamurin tim. Kjo që ndodhi javën e fundit, në të vërtetë provoi rregullin që funksiononte dhe më parë.

Ndryshe nga Shqipëria, ku poshtë tek njerëzit ka pasur një farë distance nga Kosova, kurse tek klasa politike ka pasur vëmendje, në Kosovë paria politike ka një tendencë të jetë e distancuar nga Tirana, ndërsa njerëzit e thjeshtë dhe qytetarët janë shumë më pro Shqipërisë, se klasa politike. Nga aq sa kam parë në reagimet në Kosovë, kam frikë se Edi Rama sot në Kosovë, është më i votuar se politikanët e Kosovës, ndërsa këta të fundit, duken më të frustruar nga ideja se mund t’u rrezikohet posti i “të parit të katundit”. E gjithë kjo tregon se një problem në raportet Kosovë-Shqipëri ka ekzistuar gjithnjë.

Por nëse në Shqipëri distanca që ekzistonte poshtë tek njerëzi e thjeshtë po shkon duke u fshirë, dhe klasa politike vazhdon të jetë e vëmendshme për Kosovën, në Kosovë, njerëzit e thjeshtë dhe qytetarët janë përherë e më të vëmendshëm për Shqipërinë, ndërsa klasa politike, përfshi dhe segmente të shtypit, janë konstant të distancuar nga Shqipëria. Kjo nuk ka lidhje as me vizitën e Edi Ramës në Serbi dhe as me vizitën e Thaçit në Tiranë, por me një realitet që ne duhet ta pranojmë dhe sikur të mos ekzistojnë këto emra. Është një realitet i vështirë 25-vjeçar, qyshkurse na është ridhënë mundësia të komunikojmë.

Të “bësh të fortin” ndaj Tiranës në Prishtinë, është biznes, të bësh të përkujdesurin në Tiranë ndaj Prishtinës, është detyrim. Pavarësisht se si i bëjnë të dy palët këto detyra!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK