Zërat
Jakup Krasniqi
Jakup
Krasniqi

A KEMI PAQE TË DREJTË E TË QËNDRUESHME?

Zërat October 22, 2016 - 13:05

Organizimi i një Konference që për bosht të reflektimit ka temat që lidhen me “Paqen e Drejtë dhe Paqen e Qëndrueshme” më shtyri të përqendrohem në një segment të kësaj çështjeje universale. Do të ndalem në rastin e Kosovës, që përmbylli shekullin e XX si objekt i një lufte gjenocidi. Luftë që prapa la pasoja të shumta për qytetarët tanë, pasoja që po reflektojnë sot e që do të reflektojnë sipas të gjitha gjasave edhe nesër.

Historia mijëvjeçare e popujve na sjellë dëshmi të shumta se fillimi i një lufte bëhet, në të shumtën e rasteve, me një vendim të udhëheqësit të një vendi të caktuar (qoftë prijës fisi, mbret, perandor, kryetar apo cili do qoftë funksion drejtues). Shpallja e luftës mund të bëhet edhe nga një organizatë politike që qëllim kryesor ka çlirimin e përgjithshëm a të pjesshëm te një kombi, siç ishte rasti ynë, siç bëri LPK-ja përkatësisht UÇK-ja e cila iu kundërpërgjigj gjenocidit serb dhe policisë e ushtrisë serbe me aksione të armatosura (me luftë). Sado që një vendim i tillë mund të analizohet në kuadër të një procesi që i parapriu shpërthimit të luftës, paqja ngërthen një proces shumë më të ndërlikuar, sepse asaj i rëndojnë mbi supe pasojat e luftës.

Por, rikujtoj atë që i gjithë brezi ynë e pjesëtarët e asaj lufte të jetuar e të parë, të lexuar e të parë nga afër a larg e dinë. Përballë politikës së gjenocidit që shteti serb aplikoi kundër popullit shqiptar të Kosovës, shtetet e demokracive perëndimore autorizuan ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Ndërhyrje që e ndërpreu gjenocidin e përsëritur serb mbi shqiptarët dhe popullit të Kosovës ia solli lirinë dhe i krijoi të gjitha parakushtet për shpalljen e Pavarësisë.

Vendosmëria që tregoi aleanca veri-atlantike (NATO) e detyroi regjimin e Millosheviqit të ndërpriste luftën. Konkretisht, nënshkrimi i «Marrëveshjes Ushtarako-Teknike» që u bë më 9 qershor në qytetin e Kumanovës shënoi fundin e strukturave politike të pushtetit të instaluar nga Millosheviqi në Kosovë dhe tërheqjen e forcave të armatosura (ushtarake dhe policore) nga Kosova.

Një ditë pas «Marrëveshjes Ushtarako-Teknike», më 10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi Rezolutën 1244, përmes së cilës përcaktohej korniza e prezencës civile dhe e sigurisë në Kosovë deri në përcaktimin e statusit politik përfundimtar. Kjo marrëveshje i dha fund luftës në Kosovë! Pas kësaj, qytetarëve të Kosovës iu kthye jeta e shpresa për të jetuar me dinjitet në vatrat shekullore, nga ato vatra që regjimi i Millosheviqit i kishte dëbuar mbi një milion shqiptarë, pa i llogaritur të dëbuarit gjatë viteve 1990- 1998, që ishin jo më pak se 400.000 veta.

Por, kjo luftë, siç u detyrova t’ia rikujtoj Presidentit të Serbisë në reagimin tim të 13 tetorit, la pas vetes 13290 persona të vrarë, prej të cilëve 1450 ende konsiderohen të zhdukur. Nga numri i të vrarëve, 1392 ishin fëmijë ndërsa 1739 ishin gra. Krahas vrasjeve të civilëve të paarmatosur, ndaj 20400 grave u përdor dhuna seksuale që përbën një formë të akteve të gjenocidit. U rrënuan 123 objekte shëndetësore, 93 biblioteka, 30 shtëpi kulturore, 215 xhami, teqe dhe tyrbe të myslimanëve dhe 5 kisha katolike, 88101 shtëpi dhe objekte ndihmëse. Sigurisht që përmasat e pasojave të luftës në dëm të shqiptarëve janë më të mëdha sesa këto që ia kujtova Nikoliqit. Pasi asnjëherë deri më sot, as nga vendorët e as ndërkombëtarët nuk është bërë ndonjë përpjekje serioze e profesionale për të bërë përllogaritje të sakta. Sigurisht që edhe kjo e ka shpjegimin e vet, por kjo është temë tjetër.

Me gjithë barrën e rëndë që trashëgoi nga lufta, Kosova filloi procesin e ndërtimit të paqes, por kjo nuk mund të bëhet njëanshmërisht. Gjendja aktuale e konfirmon ketë. Në përputhje me obligimet ndërkombëtare që dilnin nga Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ne filluam ndërtimin e institucioneve dhe plotësimin e standardeve të nevojshme për të hapur procesin e negociatave për statusin final të Kosovës. Madje, kjo ishte edhe kërkesë e përsëritur e OKB-së dhe e përfaqësuesve të saj në Kosovë.

Pesë vite pas përfundimit të luftës, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i asaj kohe, Kofi Annani, ngarkoi ambasadori norvegjez Kai Eide që të bënte një bilanc rreth realizimit e këtyre standardeve. Kai Eide kishte ardhur në përfundimin se status quo-ja ekzistuese nuk mund të vazhdonte më, prandaj duhej të shkohej drejtë një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Raporti i përgatitur nga ambasadori Kai Eide u miratua nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së më 24 tetor 2005 dhe në përputhje me konkluzionet e këtij raporti më 10 nëntor të po të njëjtit vit Këshilli i Sigurimit ngarkoi Martti Ahtissarin dhe Alber Rohanin për të udhëhequr bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës për Zgjidhjen e Statusit të Përhershëm të Kosovës.

Ky vendim hapi etapën e re në ndërtimin e paqes së qëndrueshme në ketë pjesë të Ballkanit Perëndimor.

Procesi i negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua nga data 20 shkurt (mars) te vitit 2006 e deri më 26 mars 2007 kur Martti Ahtisaari i dërgon raportin përfundimtar Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku ai thotë se Kosova duhet të bëhet e pavarur , përkohësisht me një pavarësi të mbikëqyrur.

Gjatë këtyre bisedimeve, delegacioni i Kosovës, i përfaqësuar në nivelin më të lartë dëshmoi përkushtimin e madh që këtë proces ta përfundonte në interes të qytetarëve të këtij vendi dhe të mbyllte një herë e përgjithmonë kapitullin e luftës. Pra, që ta fillonim Paqen e Drejtë e të Qëndrueshme.

Fatkeqësisht, delegacioni i Serbisë u përpoq vazhdimisht ta minojë këtë proces. Të gjithë ata që i kanë përcjellë « Negociatat e Vjenës » janë të informuar hollësisht për të gjitha provokimet serbe që synonin dështimin e këtij procesi. Fyerjet dhe provokimet që bëheshin larg opinionit publik ishin shumë më të vogla në krahasim me provokimin që institucionet e shtetit serb e bënë publikisht.

Me qëllim të vetëm që t’i vinin ndërmjetësuesit ndërkombëtarë para aktit të kryer, Qeveria e Serbisë vendosi të hartonte kushtetutën e re të Republikës së Serbisë me procedurë të përshpejtuar, pa debat publik dhe pa pritur epilogun e negociatave.

Më 14 shtator të vitit 2006, Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë debatoi lidhur me projektin e kushtetutës së re, projekt që u miratua dy javë më vonë, 30 shtator.

Me qëllim që t’i jepet karakter i përgjithshëm, regjimi i ri i Beogradit veproi në të njëjtën mënyrë si regjimi i Millosheviqit: ftoi popullin serb që përmes referendumit të miratojë “Kushtetutën e re të Serbisë dhe të dëshmojë vullnetin e qytetarëve të saj që Kosova të mbetet pjesë përbërëse e Serbisë.”

Për temën që po trajtojmë sot në këtë Konferencë të organizuar nga Federata e Paqes Universale është plotësisht e qartë se referendumi i organizuar nga Qeveria e Serbisë më 28 dhe 29 tetor 2006 dëshmoi se udhëheqësit e këtij shteti nuk janë të interesuar as për paqe të drejtë e as për paqe të qëndrueshme.

Nuk do t’i rikujtoj rrjedhat e procesit që kulmuan me aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Dihet se logjika serbe që nuk është e interesuar për paqe, bën përpjekje maksimale që ta pengojnë ndërtimin e shtetit të Kosovës. Krahas obstruksioneve të vazhdueshme në rrafshin e brendshëm përmes krijimit dhe mbështetjes së strukturave kriminale në Kosovë, shteti serb u shqua në aktivitetin diplomatik. Nuk kanë lënë institucion ndërkombëtarë pa bërë përpjekje që të pengohet anëtarësimi i Kosovës. Ndër rastet më eklatante ishte mosanëtarësimi i Kosovës ne UNESCO.

Ju e dini fare mirë se mungesa e konflikteve të armatosura nuk nënkupton me automatizëm paqen. Kosova ka qenë dhe është e interesuar për paqe të drejtë. Por paqja e drejtë nuk mund të ndërtohet pa ndëshkimin e atyre që kryen gjenocidin në Kosovë. Jam plotësisht i vetëdijshëm se strukturat politike të regjimit aktual të Beogradit janë larg njohjes së krimeve që shteti i tyre u ka shkaktuar shqiptarëve dhe larg angazhimeve që përgjegjësit e krimeve të dalin para drejtësisë. Për këtë arsye, ndërtimi i paqes së drejtë në këtë pjesë të Evropës ende nuk shihet në horizontin politik. Përkundrazi, logjika e vjetër mbisundon në institucionet e reja të shtetit serb. Këtë e dëshmojnë së fundmi kërcënimet që Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliqi, i bëri më 12 tetor 2016 kur tha se « Serbia është e gatshme të sillet me shqiptarët e Kosovës në të gjitha mënyrat e mundshme ». I njëjti me 27 korrik 2006, sa zhvilloheshin bisedimet në Vjenë pati kërcënuar me luftë, nëse Kosova merr pavarësinë.

Kam bindjen e plotë se secili nga ne që e kemi jetuar e përjetuar atë kohë barbare e kemi të qartë se logjika e vjetër serbe nuk mund të prodhojë asgjë tjetër pos kërcënimeve të reja! Kjo logjikë me bazë mitomane (shoviniste) serbe është pengesa kryesore për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe rrezik për konflikte të reja edhe përtej hapësirave te ish Federatës Jugosllave. Kërcënimet e këtyre ditëve, që vinin nga Serbia, duke filluar nga Presidenti Nikoliq, Kryeministri Vuciq, Ministri i Armatës serbe Dikiq deri tek i pari i Kishës serbe Irinej, duhet përcjellë me kujdes nga vendet e demokracisë perëndimore.

Për këtë arsye toleranca e pa fre, inferioriteti dhe heshtja ndaj kësaj logjike luftënxitëse nuk i kontribuon as ndërtimit të një paqeje të drejtë e as paqes së qëndrueshme. Askund më shumë në Evropë sesa në vendet e Ballkanit nuk ka nevojë për një paqe të drejtë e të qëndrueshme. Paqe e cila do të garantojë siguri, stabilitet, zhvillim e mirëqenie për të gjitha kombet e këtij rajoni. Për t’u krijuar ky realitet i ri duhet një shkurorëzim i plotë i secilit komb nga politikat kërcënuese e luftënxitëse.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK