Zërat
Saimir Sulaj
Saimir
Sulaj

Debati që përcakton fituesin

Zërat September 27, 2016 - 13:18

Debatet televizive presidenciale në Amerikë nganjëherë janë vendimtare për përcaktimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Shumë njerëz, kur flasin për këta debate përmendin një episod nga e kaluara.

Richard Nixon, kandidati republikan në zgjedhjet e vitit 1960 dhe njëherazi zëvendëspresident i SHBA-së, u shfaq i zbehtë në debatin e atij 26 shtatori në kryeqytetin Washington DC. Fytyrën pa grim ia mbulonin djersët, teksa shpeshherë vihej në siklet para kamerave dhe gëlltitej. Ndryshe nga rivali i tij demokrat John Kennedy, i cili kishte pushuar dhe ishte përgatitur gjatë për këtë përplasje.

Të gjitha këto ia kthyen Nixon-it në një ferr të vërtetë atë natë, që shënoi një epokë të re në historinë e garës presidenciale në SHBA. Ekspertët do të shpreheshin më vonë se pas kësaj, u kuptua se nuk ishte nevoja që të pritej për ditën e zgjedhjeve: Presidenti ri ishte zgjedhur tanimë dhe çdo gjë kishte ndodhur përmes televizionit.

Në kohët e sotme shumë gjëra kanë ndryshuar. Teknologjia ka përparuar dhe mjaft njerëz mbase nuk do të nguliten përpara ekranit të televizorit, por do të përdorin rrugë alternative për ndjekjen e debatit, si kompjuterët apo smartfonët. Kështu do të bëj dhe unë. Kjo sepse nuk kam kohë të rehatohem përpara televizorit dhe e shoh si mundësi më të lehtë që të informohem, ndonëse në atë moment mund të jem në autobus, metro apo kudo gjetkë. Thelbi mbetet i njëjtë: Imazhi i mirë në debat është arma më e fortë që kandidatët do të përdorin për të siguruar votat e të pavendosurve.

Fushata e këtyre zgjedhjeve është mbase më pikantja nga të gjitha dhe kjo falë kandidatëve. Asnjëri prej tyre, si Donald Trump i republikanëve, apo Hillary Clinton e demokratëve, nuk gëzon popullaritet të gjerë, veçanërisht te të rinjtë. Kjo duket se ndëshkon më fort kandidaten demokrate. Të rinjtë në përgjithësi janë të prirë që të mbështesin kandidatët demokratë. Ishin ata që përmes votave masive i dhanë fitoren në dy mandate presidentit aktual Obama. Por Clinton nuk ka popullaritetin e Obamës.

Veç kësaj, shumica e të rinjve apo brezi që në SHBA njihet si “Millennial voters” (me termin “millennial”, në SHBA, nënkuptohet brezi i të rinjve që ka lindur nga viti 1982 deri më 2004-ën), nuk e shohin veten të përfaqësuar në politikat e zonjës Clinton. Pavarësisht thirrjeve që ish-rivali i saj në garën brenda demokratëve, Bernie Sanders, u ka bërë të rinjve që të mbështesin ish-zonjën e parë të SHBA-së, ata duket se preferojnë më mirë kandidatët e palës së tretë, siç është ai i Partisë Libertariane, Gary Johnson, dhe kandidatja nga Green Party, Jill Stein.

Me këtë tablo, republikani Trump do të ishte më i favorizuar, pasi një numër i madh votash që tradicionalisht i shkonin kandidatëve demokratë, tashmë asnjanësohen. Akuzat e tjera për përdorimin e serverit privat për dërgimin e e-maileve kur shërbente si sekretare e Shtetit, problemi me favorizimin nga Departamenti i Shtetit i Fondacionit “Clinton” në financime, apo gjendja shëndetësore, sikur e zbehin edhe më tej figurën e saj në këtë garë. Duket se fakti që është kandidatja e parë femër për presidente e një partie të madhe, në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk po e ndihmon shumë. Të gjitha këto së bashku, dhe rezultatet e anketave të fundit, sipas të cilave, diferenca mes dy rivalëve kryesorë është fare e vogël, e bëjnë më interesante garën.

Trump, ai qëkur nisi fushatën brenda partisë, shumë njerëz e cilësuan si shaka, apo i dhanë nofkën “klouni”, tashmë po shihet tepër seriozisht. Ekspertët zgjedhorë në SHBA rendisin disa faktorë që çojnë në këtë. Kryesisht njerëzit janë të lodhur nga sistemi dypartiak. Ata duan dikë jashtë politikës që t’i përfaqësojë.

E kanë humbur respektin për politikanin tradicional të retorikës. Trump është më origjinal në atë që thotë. Për rrjedhojë – për shkak edhe të faktit se tanimë, përmes mediave sociale, informacioni shpërndahet në kohë rekord te të gjithë, pa pasur nevojën e ndërhyrjes së televizionit dhe gazetës e analizave burokratike – njerëzit nisën të anonin nga kandidati i republikanëve.

Një pjesë e madhe e votuesve në SHBA, ata që e quajnë veten “Shumica e heshtur”, e shohin me shqetësim çështjen e emigracionit të paligjshëm, pasi mendojnë se po u merr vendet e punës. Ata duan që të respektohet ligji, dhe Trump ka premtuar një dorë të fortë kundër emigracionit të paligjshëm. Trump ka përfituar edhe nga çështja e myslimanëve që emigrojnë në SHBA, duke u shprehur mosbesues ndaj tyre.

Dhe njerëzit, në këtë rast reagojnë nga frika që kanë ndaj terrorizmit që vjen nga islami radikal. Kjo shtresë votuesish, pra “Shumica e heshtur” sheh me shqetësim edhe lëvizjen e njerëzve me ngjyrë, “Black lives matter – Jetët e njerëzve me ngjyrë kanë rëndësi”. Sipas parimit të tyre, “All lives matter – të gjithë jetët kanë rëndësi” dhe Trump është i prerë në këtë pikë. Mjaft analistë e shpjegojnë rritjen e Trump nga këto arsye, ndonëse shumë njerëz e shohin tejet racist qëndrimin e tij.

Gjithsesi, me arrogancën që e karakterizon, do t’i duhet një paraqitje e shkëlqyer për të marrë atë çka çdo kandidat synon në debatin televiziv: Grupet e pavendosura. Gjatë rrugëtimit të tij të deritanishëm, Trump ka bërë shumë armiq. Që nga njerëzit me ngjyrë, myslimanët, hispanikët apo ndërtimi i murit gjigant në kufi me Meksikën.

Mbrëmja e këtij 26 shtatori, këtë herë pesëdhjetegjashtë vjet nga debati i parë televiziv, pritet të përcaktojë shumëçka. Një paraqitje e përsosur, i jep cilido kandidati çelësat e Shtëpisë së Bardhë. Një gabim i vogël, siç ishte ai i Gerald Ford në vitin 1976 kur në përballjen me Jimmy Carter tha se Bashkimi Sovjetik nuk po dominon në Evropën Lindore, mund të kushtojë deri në humbjen e garës.

Mbase Richard Nixon qe me fat që në garat pasardhëse nuk pati debat televiziv për tri palë zgjedhje me radhë, duke e lejuar atë që të bëhet president më 1968-ën dhe të rikonfirmohet katër vite më vonë. Përballja e tij e vitit 1960 me Kennedy-n, për ekspertët ishte disfatë e madhe. Disfatë nga ato që të kushtojnë presidencën. (Autori është gazetar, Washington DC)

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK