Zërat
Arlind Manxhuka
Arlind
Manxhuka

Serbia e kulluar dhe Kosova pa veten

Zërat September 26, 2016 - 13:27

Një nga tregimet më të njohura të filozofit të madh gjerman dhe botëror, Hegel, është ajo mes raportit të zotëriut dhe skllavit, të raportit mes vetëdijeve të dy këtyre subjekteve, që në esencë janë të pamjaftueshme.

Përballja që paraqet Hegeli është ajo mes dy vetëdijëve të kundërta, por që s’janë kundërpozicion i saktë i njëra-tjetrës. Vetëdija e atij që mendon vetëm dhe vetëm për veten, subjekti i kulluar, dhe vetëdija e tjetrit që s’e njeh vetën, duke i nënshtruar tjetrit në pafundësi.

Gjatë leximit të kësaj pjese m’u soll ndërmend raporti i subjektivitetit të dy vendeve që tashmë një kohë të gjatë kanë probleme të theksuar për shkak të agresionit, nga ‘zotëriu’, Serbia.  I gjithë problemi mes këtij raporti është çështja e pranimit. Vetëdija e kulluar është vetëdije për veten e vet, ajo e mohon ekzistencën e tjetrit. Serbia e kulluar nuk e ka parasysh ekzistencën Kosovës. Ajo thjesht nuk e fut në llogari mundësinë e njohjes së subjektivitetin të Kosovës.  Tek ky moment Hegeli do të thoshte se kemi të bëjmë me sigurinë, por pa të vërtetën.

Në anën tjetër kemi vetëdijen e skllavit, i cili nuk e njeh veten, por mjaftohet me atë që është, vetëm të jetë. Kosova, më saktësisht Qeveria negociatore, ende nuk i ka treguar Serbisë së kulluarvetëdijen e saj për veten. Tani kemi dy pozicione krejtësisht të ndryshme, Serbinë që mohon totalisht Kosovën dhe Kosovën që fillimisht ka probleme me vetën, për të mos thënë se njeh vetën. Qysh në këtë pikënisje kemi pozicionin superior të Serbisë ndaj Kosovës.

Zotëriu dhe Skllavi te tregimi i lartpërmendur bëjnë zgjidhje të ndryshme në fillim. I pari mohon veten për të ruajtur pozicionin, ndërkaq i dyti vendos ta ruajë veten si ekzistencë vetëm sa për të qenë. Tash e shtatëmbëdhjetë vjet, qeverisjet e Kosovës kanë luajtuar skllavin dhe as që janë munduar të subjektivohen karshi Serbisë gjë që ka ruajtuar tash e këto vite pozitën tonë inferiore.

‘Porosia e Hegelit është e qartë këtu: kur projekti jetësor, politik e shoqëror reduktohet në mbijetesë, do të shpëtosh, por ama vetëm do të shpëtosh, asgjë më shumë.’

Mirëpo, ajo çka autori tregon këtu se është asnjëri pozicion i këtyre s’është i saktë. Pse? Jeta e pronarit ka për bazë robërimin e skllavit e rrjedhimisht e ka premisë për ‘lirinë’ e tij, ndërkaq skllavi ‘liri’ e sheh vetëm mundësinë e të qenit gjallë. Duket se saktësisht qëndron edhe puna e Serbisë me Kosovën, në njërën anë historia serbe që si subjektivitet themelohet mbi tendencën për ta robëruar gjithnjë Kosovën, ndërkaq, qeveritë e pasluftës për këto 17 vite ‘liri’ asnjëherë s’kanë treguar subjektivitet karshi ‘zotëriut’ të tyre, Serbisë.

Çka bëri skllavi e që ne nuk e bëmë dot?

Duke qenë në një pozitë pothuajse zero dhe sit ë tillë totalisht në nënshtrim ndaj zotëriut të vetë duket sikur i ndihmojë kjo pozitë e paperspektivë skllavit. Ai ishte në pozicion të tillë, nga i cili nuk rrezikonte të humbte asgjë ngaqë vërtetë s’kishte çfarë të humbiste. Ndërkohë në anën tjetër, zotëriut nuk i konvenonte ndonjë konflikt apo përplasje eventuale. Ai tashmë ishte në një pozicion që në rast të ndonjë përplasje do të humbte shumë. Tash kemi rrotullim të krejtësishëm tësituatës. Skllavi dëshiron të barazohet me zotëriun e zotëriu nuk guxon të rrezikojë pozicionin e vet. Përpjekja e skllavit është përpjekje për çlirim. Ai dëshiron të shpallet subjekt. Subjekt i lirë para atij që deri tash po e mbante të robëruar. Këtu s’kishte asnjë Negociatë.

Tash e 17 vite ne nuk kemi arritur ta tejkalojmë skllavin, atë skllavin tonë që po na mbyt e nuk na lë të çlirohemi plotësisht. Apo ndoshta, skllavi jonë ka kaluar në një pozitë konformiste saqë është bërë një minizotëri dhe kënaqet duke pasur miniskllever të vetë që i robëron ditë e më shumë. Por megjithatë ne ende nuk arritëm të subjektivohemi. Tash e sa vite jemi duke negociuar mbi sasinë e robërisë sonë. Tash e sa vite po diskutojmë duke u kujdesur që zotëriu ynë të mos hidhërohet aq shumë për shkak se ne do të ndahemi nga ai dhe se ai nuk ka më kë ta robërojë. Duket sikur lirinë tonë e kemi të lidhur ngushtë me dhembshurinë e pushtimit të tij ndaj nesh.

Por, kemi një mësim të mirë këtu. Duket se para zotëriut tonë si armik të vazhdueshëm kemi edhe skllavin tonë brenda vetës, brenda vetes tonë po se po, por edhe brenda Republikës. Duhet ta mbysim atë si mendësi në mënyrë që të çlirohemi njëherë e mirë.

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK