Zërat
Alban Selimi
Alban
Selimi

Mësimi gjithëditor, një 'burg' për fëmijët

Zërat September 26, 2016 - 12:30

Ishte një djalosh ambicioz. Tip i mbyllur, mendjemprehtë e që dallohej me mënyrën e të folurit me “maje” të gjuhës. Ishte ky një ish-kolegu im i studimeve që papritmas mungoi disa javë në fakultet.

Një ditë pranvere u rikthye në mësonjëtoren e fakultetit. E përshëndetëm të gjithë. Më rastisi të ulesha afër tij në një ligjëratë dhe para se të fillonte leksioni e pyeta se përse kishte munguar.

“Më arrestuan në protesta. E mbajta një muaj burg”, tha djaloshi, për të më lënë në dilema. Më pas, na tregoi se kishte marrë pjesë në një aksion të Lëvizjes “Vetëvendosje” kundër UNMIK-ut dhe kjo ishte arsyeja që e kishin burgosur.

Më erdhi keq për tërë atë kohë që kishte kaluar i mbyllur, pa e ditur se për të burgu më nuk ishte një sfidë.

“Më mirë janë kushtet në Burgun e Dubravës se sa këtu në fakultet”, më tha, duke mos u bërë në asnjë sekondë pishman për qëndrimet dhe kohën e kaluar brenda katër mureve.

Kjo fjali e tij më bëri të mendoj. Sekush qëndron në burg dhe për çfarë ideale? Çfarë mund ta bëj burgun të duket më atraktiv se sa një fakultet që ke përzgjedhur për të hapur rrugët në jetën tënde?!

Tek para pak ditësh kur isha rikthyer në banka të shkollës, por jo më si një student por si një prind, m’u kujtua shoku im i studimeve dhe krahasimi që i bënte burgut dhe fakultetit.

Një klasë e ngushtë me karrige druri dhe një dërrasë po e njëjtë nga koha kur unë isha nxënës filloreje, është hapësira ku mëson djali im me më shumë se 30 shokët e klasës së tij në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

Ai i përket gjeneratës së nxënësve që janë pjesë e projektit pilot të ashtuquajtur – mësimi gjithëditor.

Ky projekt që Komuna e Prishtinës e ka cilësuar të suksesshëm ndërkaq sipas hulumtimit të Institutit “EdGuard” nuk ka treguar rezultate, sivjet është zgjeruar edhe në disa shkolla tjera.

Por cilat janë mësimet që duhet t’i nxjerrë Komuna nga eksperimentimi me një gjeneratë fëmijësh?! A është shembulli i shokut tim të studimeve bazike për të menduar vërtet se në çfarë kushtesh mbahet mësimi gjithëditor?!

Të qëndrosh tërë ditën në shkollë, do të thotë të kesh hapësira për të mësuar, për t’u ushqyer, hapësira për aktivitete, por edhe të tilla për të pushuar.

Këto hapësira i ka qendra korrektuese për të miturit në Lipjan. I kam parë me sytë e mi, ani se raportet e OJQ-ve kanë treguar se ato nuk janë shfrytëzuar.

Shkolla “Faik Konica” në Prishtinë ka hapësira klasash që nuk korrespondojnë me numrin e nxënësve që aty ndjekin mësimet. Një klasë po sa një sallon shtëpie në të cilën mësojnë nxënës të dy ndërrimeve, është e pamjaftueshme madje edhe “për t’i ngopur ajër” gjithë nxënësit që janë pjesë e saj.   

Kjo shkollë nuk ka kuzhinë dhe fëmijët përgjatë qëndrimit “gjithëditor” mund të marrin një kifle me qumësht, të cilën e konsumojnë në klasë. Madje, ajo konsumohet zakonisht kur është e lyer me krem çokollate. Ditët tjera, shumica e prindërve tregojnë se kiflet nuk pëlqehen nga fëmijët dhe kryesisht hidhen në mbeturina.

Shkolla ku nxënësit e pilot-projektit të shkollës “Faik Konica”, kalojnë kohën më të gjatë të ditës nuk ka asnjë tepih ku fëmijët mund t’i zbathin këpucët për të liruar sadopak këmbët.

As që flitet për mundësi të angazhimeve tjera serioze, qoftë sportive apo edhe aktivitete tjera të domosdoshme për shëndetin e fëmijëve.

Gjatë tërë orëve, fëmijët do të qëndrojnë të ulur në karrige druri, që janë të njëjta me ato të fëmijërisë sime sa isha nxënës në vitet e tetëdhjeta.

Kjo krijon dilemën se cili është suksesi i mësimit gjithëditor, që edhe ashtu nuk zhvillohet gjatë tërë ditës.

Madje, po të ishte mësim tërëditor do të ndihmonte prindërit e punësuar, që të mos kenë nevojë që fëmijët e tyre t’i dërgojnë para se të fillojë mësimi në qendra të qëndrimit ditor. Kjo, për të shpenzuar para por edhe për të ngarkuar edhe më tutje fëmijët në qëndrimin e tyre brenda katër mureve.

Nëse marrim parasysh orarin e mësimit në shkollë, nga ora 12 deri në orën 17 dhe pamundësinë e marrjes së drekës në qendrat e qëndrimit ditor të cilat shujtën e drekës e ofrojnë pas mesditës, atëherë sigurisht se pajtohemi se të burgosurit e kanë më të lehtë të qëndrojnë në burg sesa fëmijët në shkolla. Pas mëngjesit deri në mbrëmje nxënësit do të mbesin me një kifle me qumësht?!

E të burgosurit kanë së paku tri racione ushqim kalorik në ditë, të cilat i marrin në kohë të përshtatshme dhe në përputhje me kërkesat e organizmit.

Improvizimi dhe zgjatja e orarit për t’i përngjarë mësimit gjithëditor, që e aplikojnë shtetet e zhvilluara të cilat në shkolla kanë kushte mësimi, ushqimi, pushimi dhe aktiviteti është vetëm një improvizim për të thënë se diçka ka ndryshuar.

Kiflet dhe qumështi nuk janë zgjidhja e përshtatshme e as kalorike që mund të korrespondojnë me shëndetin e fëmijëve për kohën sa gjatë mësimit nuk mund të marrin ushqime tjera. Orari i stërzgjatur me idenë e mësimit gjithëditor është një eksperiment dhe ngarkesë për fëmijët tanë, të cilët kanë mbetur pa një avokat që do t’i shpëtonte nga ky gazep.

 

 

  

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK