Zërat
Lis Bukuroca
Lis
Bukuroca

“Nëse vërtet duam të dashurojmë, duhet të mësojmë si të falim!”

Zërat September 04, 2016 - 13:50

Nënë Tereza

Nënë Tereza nuk ka nevojë më për botën, por bota ka nevojë të madhe për mirësinë e saj. E dimë të gjithë se sa vështirë është të qëndrohet një gjysmë ore në spital pranë një të sëmuri, por asnjëri nuk dimë çfarë domethënë të kalohet tërë jeta pranë të sëmurëve të braktisur.

Historiani, shkrimtari dhe producenti i filmave, Tariq Ali (72 vjeç) pakistanez me pasaportë angleze, shenjtërimin e Nënës Terezë e quan herë budallallëk, herë qesharake. Duhet pasur inteligjencën mesatare pak më të madhe se të shimpanzës (ajo e ka 70, Taraku duhet ta ketë 72 ) për të kuptuar se në këtë planetin tonë, qesharake dhe budallallëqe konsiderohet çdo profet, që nuk beson njeriu dhe se asnjë njeri nuk ka pranim tek të gjithë popujt.

“Ky Papë Françesko, i cili normalisht është shumë inteligjent, duhet të njohë veprat e vërteta të kësaj motre shqiptare dhe se ai duhet ta shikojë filmin e tij “Engjujt e ferrit!” Të quhet ferr vendi ku mjekoheshin të sëmurët e braktisur, që mblidheshin rrugëve, nuk flet vetëm për ekuilibrin shpirtëror të një njeriu, por për patologjitë e tija të pamjekuara. Është shumë e lehtë dhe ndoshta edhe fitimprurëse të stigmatizohet dhe satanizohet një grua, një pjesëtare e një feje tjetër, por Anglia ka prodhuar iluminizim, ku shijon atë liri të fjalës Taraku, jo duke kritikuar shenjtorët e huaj, por të vetët. Anglia nuk ka më nevojë për iluminizmin e tij, por Pakistani ka nevojë për atë.

Nënë Tereza ishte shqiptare dhe të gjitha gazetat e botës këtyre ditëve citojnë fjalinë e saj: “me gjak jam shqiptare...”, “Deutschlandfundk” e quajti “Ikonë botërore”, por ka shqiptarë që pyesin “çfarë ka bërë ajo për kombin shqiptar?”. Thua se detyrë e një gruaje shqiptare ishte ta bënte atë çfarë nuk e kanë bërë prindërit e atyre që shtrojnë pyetjen. Veprimtarisë së saj i gëzohen miliarda veta në botë, por nëse do të mendonim se krejt bota do ta çmonte, atëherë nuk kemi kuptuar njeriun. Njeriu nuk ka lënë profetë pa sharë dhe pa e konsideruar antizot.

Ne që jemi akoma të gjallë patëm fatin t'i përjetojmë tre shqiptarë të mëdhenj: Nënë Terezën, Ismail Kadarenë dhe Ibrahim Rugovën. Ndoshta duhet pritur disa shekuj për të nxjerrë në dritë tre personalitete të tilla që pranohen nga qytetërimi modern. Shfaqja e tyre në një epokë ndikoi edhe në empatinë ndaj nesh dhe lindjen e shtetit të dytë. U pranuam si popull i vogël me zemër dhe dije të madhe.

Meriton të përkulej plot nderim çdo shqiptar që ndikon në ndërtimin e një imazhi pranues të shqiptarit në botë. Për ata që nuk kanë bindje fikse dhe ngule, pranojnë me respekt humanizmin e çdo kleriku shqiptar që ndriçon emrin e këtij kombi: qoftë hoxhë apo bektashi, qoftë prift katolik, ortodoks ose protestant. Nuk është me rëndësi cilat mësime mundësuan humanizmin, por rrezatimi i veprës dhe dobia universale.

Nënë Tereza është e vdekur.  Shenjtërimi saj nuk ndikon më në jetën e saj, por ajo është pasqyrë e kësaj bote, që i duhet kësaj toke. Jeta në luks derisa të tjerët vdesin nga uria, jo se është e papranueshme, por duhet luftuar atë! Jo mjete ushtarake, por me emancipim dhe me iluminizëm!

Nënë Tereza është imazhi i grave shqiptare: rrudhat në ballin e saj janë po ato rrudha që kanë gjyshet shqiptare. Janë ato rrudha, të cilat rrëfejnë për një jetë plot brenga, shumë shërbime, aspak mirënjohje dhe pa respekt ndaj dinjitetit dhe punës së saj. Ato janë mësuar vetëm të falin, por jo të marrin. Nënë Tereza ishte njëra prej atyre miliona nënave shqiptare që flijohen për dashuri.

Nënë Tereza nuk u fali njerëzve dhurata, por atyre u dhuroi jetën e vet. Lumturinë e vet ajo gjeti në sytë e fëmijëve në vdekje e sipër, në buzëqeshjen para grahmës të atyre grave dhe burrave. Ajo në prehrin e saj u dha ngrohtësinë në çastin e fundit. Atë çfarë duhej ta bënin prindërit.

Ajo mund të shahet dhe të shpallet djall. Kjo është liria themelore që ka njeriu: të mendojë, të dyshojë! Kjo, mirëpo nuk ndryshon asgjë në veprimtarinë dhe humanizmin e saj. Ai qëndrim mund të flasë vetëm për fushën e prapsme dhe moskuptimin e realitetit në botë. Me shenjtërimin e saj nuk nderohet vetëm ajo, por njëkohësisht ngrihet lapidar një grua shqiptare. Shenjtërimi saj na ngrit në një piedestal më të lartë se sa një fitore në sport dhe na bën të përbotshëm. Derisa të ekzistojë njerëzim, emri i saj do të ngrohë të sëmurët e braktisur dhe të varfrit, që presin t'u trokas dikush në derë.

Të kritikohet veprimtaria e dikujt, është puna më e lehtë që mund ta bëjë njeriu. Të prodhohet veprimtari humaniste është tepër e rëndë dhe kërkon përkushtim.

Ajo u gëzohej parave, jo pse i fuste në xhep të veten, por sepse kishte mundësi të falë më shumë. Sot kundërshtarët e saj më të mëdhenj janë ata që nuk falin asgjë, por marrin vetëm. Janë ata që nuk ngopen kurrë me para dhe krejt krenarinë e tyre e tregojnë me shtëpi të mëdha dhe pasuri të madhe. Njerëzve të tillë u shërben Zoti për të fituar pushtet, por jo për të falur dashuri dhe mirëkuptim në mes njerëzve.

Gonxhe Bojaxhiu ishte ajo që ishte. Ajo jetoi jetën e vet sipas bindjeve të veta, por çfarë kontributi dha për kombin shqiptar? Të atin e saj e vrau qeveria serbe për shkak të nacionalizmit shqiptar. Ky kontribut dëshmohet në biografinë e autorizuar të Kathryn Spink, “Mutter Teresa – Ein Leben für die Barmherzigkeit”. Miliarda herë nëpër medie përmendet sot origjina saj. Është kjo pak? Atëherë sillni lidhjet, ku flitet për gjyshet tuaja!

 

 

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK