Zërat
Jakup Krasniqi
Jakup
Krasniqi

Nëse Kosova është Siri, kush e ka përgjegjësinë?!

Zërat August 25, 2016 - 16:35

Ka kohë që çdo deklaratë e Kryeministrit të Kosovës, është goditje mbi demokracinë, mbi mendimin opozitar, mbi idetë ndryshe të demokracisë. Ky njeri si duket i edukuar në shkollat e Kumrovcit te LKJ-së, në shkollat e njëmendësisë komuniste i ka mbetur idol, shteti totalitar i Tito – Rankoviqit, mbase edhe i Millosheviqit!

Tani është i angazhuar që edhe shtetin e Kosovës ta shndërroi në sistem totalitar! Të cilin po e krahason me shtetet më të dështuara të Botës! Nëse është kështu si po e quan Kryeministri i vendit, kush e solli në ketë ditë Kosovën?! Ju, krerët e koalicionit qeverisës a ndjeheni përgjegjës dhe cili është kontributi i juaj këtu?

Ati regjimi i pat shërbyer gjatë Isa Mustafa, për dekada të tëra. Totalitarizmi jugosllav çdo përpjekje të shqiptarëve për çlirim e liri, e quante: “irredentizëm, nacionalizëm, fashizëm, që qellim final kishin, shkatërrimin e shtetit të punëtorëve e vëllazërim-bashkimin dhe bashkimin e shqiptarëve në Jugosllavi me Shqipërinë”. Ata, kurrë nuk shikonin nga vetja e tyre, vetëm te shqiptarët nacionalist!

Po ky Kryeministër, që në kohën e Luftës Çlirimtare (1998/99), ishte Ministër i Financave në Qeverinë e Bukoshit, luftëtarëve në Kosovë ua patën ndërprerë financimin.

Edhe atëherë në Kosovë vriteshin fëmijë, gra e pleq, zoti Kryeministër, por atëherë pak mendoje për golgotën shqiptare te fëmijëve të vrarë, të 20.000 grave të dhunuara dhe të rreth 13.000 njerëzve të vrarë e të zhdukur! Ndërprerja e financimit për çlirimtaret, nuk ishte gjë tjetër veçse sabotim i luftës, pa aftësim i veprimeve luftarake kundër makinerisë vrastare serbe, ishte vënie në shërbim të pushtuesit, pasi ai e dëshironte paaftësinë luftarake të UCK-së. Edhe Serbia e kohës, çlirimtarët i quante: “terrorist e fundamentalist islamik” luftëtarët e lirisë. Madje edhe para pak kohe, drejtues të lartë të shtetit të Serbisë e akuzonin Kosovën për ISIS?!

Sot koha e atyre epiteteve ka mbaruar. Ju po i sillni epitetet e reja. Sot, Kryeministri i Kosovës, luftën opozitare për një qeverisje ndryshe dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale me sovranitetin e shtetit, ja me ke e krahason:

“Bota po kalon një periudhë të luftërave dhe krizave shumë shqetësuese. Omar Daqnesh, një djalosh katërvjeçar sirian i nxjerrë nga rrënojat e bombardimeve, këto ditë ishte pamja tragjike e botës së sotme. Janë miliona refugjatë nga Siria, Iraku, Avganistani, Libia. Sulmet ruse në Ukrainë dhe pushtimi i Krimesë- një vendi Sovran. Aktet terroriste në Francë, Belgjikë, Turqi. Tentim grushteti në Turqi me shumë viktima në njerëz. Nuk janë këto vetëm lajme dhe pamje të rënda, por janë realiteti në të cilin po jetojmë.”

Kryeministër pas kësaj që keni thënë shtrohet pyetja: Cila është përgjegjësia e juaj dhe e bashkëpunëtorëve tuaj në qeverisje për ketë realitet tepër të zymtë që e keni përshkruar me dorën tuaj në fb?

Kush është përgjegjës për ikjen e para sa kohëve te 100.000 qytetarëve nga Kosova?  Mos edhe ajo ishte vepër e opozitës?  Kryeministri bëri edhe një gabim të madh, kur ju drejtua miqve të tij e jo qytetarëve të Kosovës. Ai duhet të deklaroi se, a është Kryeministër i miqve apo i qytetarëve të Republikës?! Është aty për t’i zgjidhur hallet e qytetarëve apo te akrabave?! Apo për t’i punësuar miqtë e akrabatë, ashtu si po dëgjojmë përditë! Apo ndoshta ai po i ndan qytetarët e Kosovës në miq e armiq! Tamam logjikë komuniste?!

Akuza të tilla të renda vendit të vet nuk besoj që do t’i bënte ndonjë Kryeministër i përgjegjshëm?! Madje, nëse gjendja është kaq e zymtë dhe e pa shtegdalje në Kosovë, pse nuk dorëheqesh?  

Nuk dorëheqesh se më nuk mund t’ju krijoni favore miqve e fisit! Prandaj po e rrezikoni tërësinë territoriale dhe sovranitetin e shtetit që duhet ta mbroni!

Nëse Kosova është si: “Siria, Afganistani, Iraku, Libia, Ukraina e Krimeja”, cili është roli i juaj në gjithë ketë katrahurë?! Madje, pse atëherë duhet t’ju mbështesin për gjithë ketë katrahurë afro-aziatike (të grumbulluar në 11.000 km. Katrore), miqtë nga SHBA-ja e Bashkimi Evropian?

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK