Zërat
 Bardh Frangu

Bardh
Frangu

Një reagim i pakuptimtë i Ben Blushit

Zërat August 20, 2016 - 12:35

Rasti i futbollistit Milot Rashica, inati i të cilit u ambalazhua me ndjenjë patriotizmi, u bë shkas që të hapet një debat, i cili nga rrafshi thjesht sportiv kaloi në rrafshin kulturor. Në fakt edhe sporti është pjesë e kulturës dhe në këtë kuptim nuk ka gjë të keqe, përkundrazi. Po shkas për këtë shkrim sigurisht u bënë polarizimet që ndodhën nëpër gazetat elektronike dhe rrjetet sociale me rastin e një shkrimi të shkrimtarit Ben Blushi, publikuar në “Lapsi. al” dhe shpërndarë nëpër katër anët e hapësirave shqiptare.

Po përse është i paqëndrueshëm, madje i pakuptimtë shkrimi me elemente të forta polarizuese i Ben Blushit, për të cilin kam shumë respekt edhe si shkrimtar, edhe si politikan? Shkrimi i tij para së gjitha fund e krye është i mbështetur në teza të përmbysura, të cilat është mirë që nëpërmjet një debati të hapur të kthehen për së mbari, kjo jo vetëm shkaku i informimit të drejtë, por edhe shkaku i kthimit në rrugën e shëndoshë të debatit.

Për hir të së vërtetës po i kthehem një retrospektive shumë domethënëse në kontekst të shkrimit të Blushit, i cili pandeh se “për arsye historike Kosova ka qenë një koloni artistike e Shqipërisë”. Ishte viti 1995 kur për herë të parë në Tetovë u organizua Festivali i Poezisë, tani i njohur si Ditët e Naimit, ku morën pjesë shkrimtarë nga të gjitha hapësirat shqiptare. Madje i pranishëm ishte edhe Thoma Kacorri nga Sofja e Bullgarisë. Ata veç sa kishin dalë nga bunkerët e diktaturës së Enver Hoxhës, ndërsa ne veç sa ishim kthyer nëpër bodrume nga dhuna dhe okupimi klasik i Sllobodan Millosheviçit. Lidhje nuk kishin çka botohej në botën e Perëndimit, ndërsa ishin robër të Lindjes që identifikohej me socializmin që vinte nga të ftohtit, siç do të thoshte Sartri.

Po pas 10 vitesh, kur jam takuar sërish (tash në Tiranë) me shkrimtarët Zija Çela dhe Lazër Stani, kam mbetur plotësisht i habitur çfarë udhëtimi të suksesshëm kishin bërë drejt njohjes së vlerave më të rëndësishme letrare të botës. Ishte kjo koha kur në Tiranë nisën të përktheheshin shkrimtarët më të njohur që kishin munguar gjatë kohës së diktaturës. Prandaj teza e Blushit, për të mos thënë një konstruksion, del të jetë e përmbysur, sepse ne jetonim me zhvillimet kulturore të Parisit, ndërsa ata jetonin me zhvillimet kulturore të Pekinit. Kështu në asnjë rast ne nuk ishim koloni artistike e Shqipërisë, përkundrazi.

Madje në këtë kontekst duhet përmendur faktin se, në këtë kohë të cilës i referohet Blushi, Prishtina ishte një qendër e elitës kulturore shqiptare, në të cilën po promovohej edhe Lazgush Poradeci, i përbuzur dhe i injoruar plotësisht gjatë kohës së diktaturës në Shqipëri. Madje në këtë kohë botohej edhe romani i Bilall Xhaferrit “Ra Berati”, të cilin si dorëshkrim vetë autori ia kishte dërguar shtëpisë botuese “Rilindja” që nga Amerika. Në këtë kohë Prishtina po angazhohej edhe për hapjen e Tiranës, përkatësisht për afirmimin e vlerave që prodhoheshin atje. Në këtë kontekst botohet edhe kompleti i Ismail Kadaresë, me një cilësi të lartë të letrës dhe kopertinave.

Sigurisht që më të merituarit për këtë që Prishtina të bëhet qendër e elitës kulturore shqiptare ishin në rend të parë Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Rexhep Ismaili, Eqrem Basha, Muhamedin Kullashi etj, të cilët vinin me një përvojë nga shkollat e Parisit. Me shkollën e Tiranës, të cilës i referohet Blushi, kishte mbetur i lidhur vetëm Rexhep Qosja, i cili, shkaku i kësaj, kishte botuar në Beograd librin e tij kundër kësaj shkolle dhe koncepteve të saj me titull “Morfologjia e një fushate”. Madje Qosja shkonte aq larg sa, si profesor i lëndës së estetikës, ua ndalonte studentëve të përdornin librin e Sharl Lalosë për estetikën, të cilin e kishte përkthyer Ibrahim Rugova. Qosja si profesor i estetikës vazhdonte të mbështetej në estetikën e Alfred Uçit, tekst ky që qëndronte fuqishëm në vijën e socrealizmit.

Blushi pandeh se ne kosovarët i futëm artistikisht shqiptarët e Shqipërisë në shekullin që po e jetojmë! E përnjëmend një pandehmë e tillë nuk ka kuptim. Në shekullin që po e jetojmë ne kosovarët ende nuk kemi një shtëpi baleti dhe opere, për të cilën ishte angazhuar intelektuali më i madh shqiptar, Ibrahim Rugova. Po si ka mundësi që një sistem i një vendi të kapur nga injorantët dhe mediokrit të bëhet shtytës i imponimit të vlerave kulturore të një vendi të udhëhequr nga një piktor siç është Edi Rama!? Tjetër gjë është inati, mbi të cilin edhe ndërtohen të gjitha pandehmat e Blushit.

Vërtet për keqardhje është edhe kjo pandehmë e Blushit: “Ne u kemi dhënë stilit të tyre një treg, ata i kanë dhënë artit tonë një shteg”. Po në fakt çka përfaqësojnë në tregun e vlerave kulturore të Shqipërisë kosovarët!? Asgjë. Zhvillimi i repit në Kosovë, në kuptimin sasior më i madhi në rajon, nuk dëshmon gjë tjetër sall shembjen e një sistemi të vlerave dhe krijimin e një hapësire për injorantët dhe mediokrit. Ndërsa edhe më e paqëndrueshme është pandehma e Blushit se kinse ne kosovarët gjatë sistemit të YU-së nuk kishim kaq shumë talent. Ne në fakt jo vetëm që kishim talent nga të gjitha fushat, por edhe përballonim një konkurrencë të jashtëzakonshme brenda federatës jugosllave, përkatësisht të një shteti që ishte edhe fuqi botërore e zhvillimit të sportit dhe të kulturës.

Arkitekti serb Bogdan Bogdanoviq, që në atë kohë kishte hapur një shkollë private të arkitekturës në Beograd, ku mësimet i ndiqnin studentë nga anë të ndryshme të botës. Roku si frymë e re në muzikë zhvillohej në nivelin më të lartë brenda Evropës, ndërsa ne kosovarët nuk ngelnim prapa, madje një rok grup siç ishte TRIX nga Ferizaj, i cili për herë të parë në Shqipëri mbajti koncert roku në Pallatin e Kongreseve, kishte arritur të merrte vendin e parë në një festival roku në Bajallukë të Bosnje dhe Hercegovinës.

Për të mos e zgjatur më shumë, Blushi dhe gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë se tani qendër e elitës kulturore shqiptare është Tirana e jo Prishtina. Ndryshe asgjë të keqe nuk ka nëse ne i krijojmë tri qendra kulturore shqiptare: Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin. Madje në këtë kontekst duhet përmendur faktin se Teatri i Kombësisë Shqiptare në Shkup, momentalisht është më i mirë në hapësirat shqiptare. Po megjithatë nuk mund t’i shmangemi faktit se një qendër shqiptare duhet ta ketë primatin. E kjo për mua dhe për të gjithë njohësit e zhvillimeve kulturore është Tirana.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK