Zërat
Jon Leka
Jon
Leka

Ultimatumet e Joe Biden-it

Zërat August 19, 2016 - 12:19

Joe Biden tha diçka që vuri në lëvizje nervoze dy qeveritë në Prishtinë dhe Beograd. Ai si duket ka folur me ata në formë ultimatumi: zgjidhni shpejt andej ose këndej!

* Dalja mbrëmë e presidentit Hashim Thaçi në TV, e Krytearit të Kuvendit të Kosovës Kadri Vejseli tek Baton Haxhiu, postimet plotë seriozitet të Kryeminsitrit Isa Mustafa dhe të tjerëve që «Demarkacioni» të ratifikohet sa më shpejtë flasin për një valë të re presioni.

Dalja e gjithë këtyre në mënyrë ofensive mediave, menjëherë sa u ngjit Bideni në aeroplan sugjeron, i fundit të jetë kërcënuar vërtet se Kosova duhet të zgjedh drejt izolimit (nga aleatët) apo drejt integrimit të shpejtë dhe fondeve miliardëshe që e presin.

Biden nuk u përzi në formën se si duhet të zgjidhen problemet aktuale si demarkacioni dhe asociacioni, por tha qartë se ato duhet të zgjidhen dhe të korruptuarit të hiqen nga sferat politike sa më shpejtë.

Bëjnë poza primatët e qeverisë së Kosovës për t’i futë masat nën presion? Kush i ka ndjekur mediat serbe të ditëve të fundit, veçanërisht deklaratat dhe «ligjërimet» publike të funksionarëve më të lartë të shtetit, ndër të cilat kulmin e bëri deklarata e Nikoliçit «Pa e njohur Kosovën s’ka hyrje në BE» dhe disa eksponentëve ndërkombëtarë që shpesh i dalin qeverisë serbe në ndihmë kur duhet thyer tabu, mund lehtësisht të konstatojmë se zv/presdienti amerikan Joe Biden edhe atje do të ketë folur qartë dhe me ultimatume.

Dy qeveritë duket të jenë përballur me kërkesa strikte dhe pa «diplomaci» që agjendat e veta t’i shtyjnë shpejtë e pa «lojëra» në qoftë se duan të hyjnë në BE dhe t’i kenë pranë SHBA-të, NATO-n në krah!

Njëkohësisht, nëpërmjet situatava të krijuara pas ikjes së Bidenit, në Beograd dhe Prishtinë, mund të lexojmë edhe një rikonfigurim që ndodhë brenda politikës globale perëndimore karshi zonave të konfliktit.

Ka ditë që qendrat koordinuese të aleancave perëndimore BE – Britani – SHBA – NATO merren intensivisht në riformulimin e strategjive ndaj Turqisë, krizës në Siri, Rusisë e të ngjashme.

Do të dinë qeveritë shqiptare kësaj radhe të luajnë kartat e tyre brenda këtyre rikonfigurimeve më mirë apo do të dështojnë si përherë, pritet të shihet.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK