Zërat
Valon Konushevci
Valon
Konushevci

E arta olimpike e ‘mërdhirë’

Zërat August 10, 2016 - 12:58

Se investimet në sport kanë munguar kaherë, është shumë e vërtetë. Se edhe ato pak investime që janë bërë janë përdorur politikisht nga ata që investonin, po ashtu është shumë e vërtetë. Fjala është për investime serioze, se ato “ndihmat sociale” as që ia vlen për t’u përmendur. Ato lëre që nuk u kryejnë punë sportistëve as për veshmbathje, por vetëm çka i nervozojnë dhe i nënvlerësojnë më tepër.

A ju kujtohet rasti i Komunës së Pejës kur e kishte subvencionuar me vetëm 2 mijë euro klubin e kampionëve botërorë, falë të cilit këto ditë emri po i lakohet për të mirë nëpër botë! “Shikojeni turpin”, thoshte në atë rast i mllefosur Driton Kuka, trajneri i Majlinda Kelmendit dhe Nora Gjakovës, dy sportisteve të vetme që shkuan me normë nga Kosova në Lojërat Olimpike, për ta bërë krenar një shtet e një komb.

Majlinda e fitoi medaljen e artë në “Rio 2016”, duke e futur Kosovën e vogël e të varfër në mesin e gjysmës së shteteve të arta olimpike të botës. Por, rrugëtimi i Majlindës deri këtu është sa i çuditshëm, po aq rrëqethës.

Ajo me vite të tëra luftoi në tri fronte për ta bërë ëndrrën personale dhe të një populli realitet:

1. E përkushtuar me tërë qenien e vet në rrugën sportive që ia kishte mësyrë qysh në fëmijëri.

2. E sfiduar nga nevoja e Republikës së Kosovës për ta promovuar sa më shumë si shtet të ri nëpër botë.

3. E “kërcënuar” nga kushtet e mjerueshme për një sportist apo sportiste që ekzistojnë në Kosovë.

“Unë jam kampione e dyfishtë botërore e evropiane, por vendi ku unë ushtroj tash gjatë dimrit është ndoshta -10 gradë apo -15 gradë celsius. Më vjen turp t’u tregoj garuesve të nivelit tim se në çfarë vendi ushtroj. Dihet qysh ushtrojnë kampionët botërorë, kurse unë vij në mëngjes me çorape të leshta, me vesh duks, me vesh kimonen, i ki pesë kilogramë tesha. Mirëpo njerëzve nuk po u bie aspak në mend”, thoshte Majlinda në muajt e dimrit të kaluar kur nuk ndalej së ushtruari vetëm e vetëm që të bëhej e artë.

Ndërsa, nga Rio u bëri thirrje bashkëmoshatarëve të saj në Kosovë që ta marrin atë si shembull, në mënyrë që secili nga ta sfidat t’i kalojnë. “Nëse duan të jenë kampionë olimpikë, mund të bëhen. Edhe pse vijmë nga një vend i vogël, një vend i varfër. Shumë fëmijë i kanë humbur prindërit e tyre. Shumë fëmijë nuk kanë libra për të shkuar në shkollë. Ndërsa unë jam kampione olimpike e atij vendi. Edhe pa para, edhe pa infrastrukturë, duhet të besosh në veten dhe të punosh shumë gjatë tërë kohës për t’i realizuar ëndrrat”, këshillon Majlinda.

Dhe, këshilla e saj duhet të merret seriozisht nga sportistët tanë. Sepse, nëse presin kushte më të mira sesa ato që i kanë, e nëpër të cilat kaloi Majlinda, “vaj halli” për ta. Mund të presin futbolli apo edhe basketbolli, si dy sportet më të popullarizuara në Kosovë, se të tjerët le të harrojnë. Kur nuk u ndihmua si duhet deri më tani sporti më i suksesshëm – xhudoja, çfarë duhet të presin boksi, mundja, dhe të tjerët.

Shenjat janë që raporti politikë-sport po shkon drejt sistemit të Shqipërisë, ku sikur Sali Berisha dikur, tani edhe Edi Rama, veç tek Kombëtarja e futbollit ka bërë “hyxhym”. Kjo për shkak se ajo është më e madhe dhe më popullarizuara, andaj tek ajo e shohin mundësinë që politikisht të fitojnë. Shiko Shqipërinë në këtë Olimpiadë, ku po garon me sporte individuale. Në ekipin olimpik të saj skandalet në Rio assesi të ndalen, saqë njëri nga ta nuk kishte as uniformë për të defiluar në ceremoninë hapëse.

Kurse, në Kosovë deri më tani ishte pak më ndryshe sepse futbolli nuk ishte i ndërkombëtarizuar. Edhe pse xhudoja ishte sporti që solli më së shumti medalje në vend, asnjëherë shteti nuk ia ndërtoi së paku një palestër, e cila nuk kushton edhe aq shtrenjtë. Ndërsa, ende pa startuar futbolli në gara ndërkombëtare miliona euro filluan të investohen nëpër stadiume, të cilat pa dyshim se kishin nevojë, ku politika pa përtesë filloi të merret me to, sepse profitin politik e sheh tek ato.

Kështu që, të “vegjlit” lirisht le të bëhen gati dhe këshillën e Majlinda Kelmendit parasysh ta marrin. Mos të heqin dorë nga ëndrrat olimpike, kurse politika le ta kuptojë me kohë se sistemi politik-sportiv i Shqipërisë nuk ka vend në Kosovë. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK