Zërat
 Dr. Muharem Cërabregu & Dr. Muhamet Sadiku

Dr.
Muharem
Cërabregu
&
Dr.
Muhamet
Sadiku

Shkenca dhe respektimi i saj nga politikëbërja

Zërat August 09, 2016 - 12:54

Shkenca dhe sektorët

        Të gjitha vendet që zhvillimin e sektorëve e servisojnë me inpute shkencore krijojnë afinitete sociale për shoqëritë e veta. Nëse edhe të zhvilluarit dhe të mëdhenjtë sigurojnë fonde të mëdha për hulumtime dhe zhvillim, 2.0 – 3.5 % të BPV, shtetet në zhvillim duhet të servisojnë nëpërmjet projekteve dhe analizave shkencore sektorët nga të cilët varet zhvillimi i tyre dhe e tëra të përkthehet në rritjen e të ardhurave për banor. Për të përmirësuar defektet e zhvillimit dhe sidomos raportin ndaj resurseve nëntokësore, kontributi i analizave shkencore bëhet domosdoshmëri. Kosova edhe pse ka rreth 60 vjet që prodhon energji elektrike, nuk ka arritur të krijojë klasën e inxhinierëve energjetikë, të cilët do ta shisnin terapinë e tyre energjetike edhe në vendet tjera.

Kjo ka ndodhur edhe me prodhuesit e metaleve me ngjyra. Kjo ka ndodhur në mungesë të mbështetjes shkencore të sektorëve të zhvillimit, eksportit dhe të punësimit. Shtrohet çështja po të kishte në disponim Kosova fonde shkencore dhe involvim të shkencës së vet, a do të kishim dështime në privatizimin e PTK-së, të KEK-ut, të Bjeshkës së Sharit (Brezovicës), Elektro-bartjes dhe projekteve tjera?

Transformimi dhe reformimi i sektorëve publikë është e lidhur ngushtë nga involvimi i shkencës në procese. Shkenca e Kosovës duhet të ballafaqohet dhe me problematikën e zhvillimit të qëndrueshëm, i cili mund të atakohet nga ndotja e ambientit. Programet e mbrojtjes së ambientit dhe të riciklimit kanë pjesëmarrje të lartë të komponentit shkencor. Kosova duhet të mobilizojë edhe resurset e veta shkencore për të sfiduar fenomenet e zhvillimit të qëndrueshëm. Kosova në rrethana të MSA-së mund të prodhojë për konsumatorin evropian duke rritur aftësinë e vet konkurruese në tregjet liberale. Standardet e kualitetit në prodhim mund të sigurohen vetëm me rritjen e shpenzimeve për zhvillim dhe hulumtime shkencore.

Duhet kuptuar se qeverisja me zhvillim mund të avancohet vetëm në bazë të rezultateve shkencore. Këtë duhet pasur parasysh edhe tani kur Kosova gjendet para sfidave ekzistuese dhe të reja ekonomike dhe strukturore. Për të ndodhur gjëra të tilla duhet flakur dyshimet në shkencën e Kosovës dhe duhet gjetur mënyrat më të mira për avancimin e saj. Aktualisht kërkohet që puna hulumtuese dhe kërkimore të bëhet pjesë integrale e krahas mësimdhënies në universitetet publike. Kështu do të konsolidohej pozita ekonomike e Kosovës në raport me integrimet evropiane. Nëse ndodhin ndryshime pozitive në raport me shfrytëzimin e inputeve shkencore do të përmirësohet performanca e kompanive publike, të cilat gjenden para privatizimit dhe qasjeve strategjike. Ndryshimet strategjike nuk ndodhin duke akuzuar shkencëtarët kosovarë. Ata kanë nevojë që mundi i tyre shkencor të reflektohet në cilësinë e politikave publike-qeveritare.

          Shtrohet çështja se për cilën shkencë bëhet fjalë? Pikërisht për shkencën konkurruese dhe globale. Kosova edhe në mungesë të fondeve për zhvillimin e shkencës (2 milionë në vit në buxhetin e shkencës) nëpërmjet institucioneve universitare dhe ASHAK-ut dhe instituteve tjera ka krijuar një platformë që do ta ndihmonte tranzicionin e Kosovës dhe zhvendosjen nga një pasword i paqartë. Shkenca dhe shkencëtarët me punën e tyre do ta ndihmonin Kosovën edhe para dy deteve tejet konfliktuoze dhe të paparashikueshme mirë.

Fjala është për kontributin shkencor lidhur me konceptin e Asociacionit të Komunave Serbe edhe para se të vendoste Gjykata Kushtetuese dhe të evidentonte defektet serioze juridike. As ky argument nuk lexohet njëjtë nga të gjitha palët. Apo rasti i demarkacionit me Malin e Zi. Për të zgjidhur këtë problem është krijuar një grup i ekspertëve pa asnjë gjeograf në ballafaqim me profesionistët malazias. Në rastin e demarkacionit, shkencëtarët kosovarë e kanë publikuar një raport shkencor për të ndriçuar gjendjen faktike dhe duke evituar dëmet për Kosovën nëpërmjet rekomandimeve me adresim të qartë. Ndaj këtij angazhimi shkencor ka pasuar një barrikadim serioz politik i atyre që nuk e njohin problematikën. Ata kënaqen duke dëgjuar qëndrimet e të jashtmeve. Është normale që disa gjëra kanë konotacion pozitiv në diplomacinë moderne.

Por besohej se kërkesat ndërkombëtare shkojnë edhe më larg: kërkojnë demarkacion që komunikon me komunitete dhe popullatë dhe qetësi në të dy anët e kufijve. Kjo duhet të lexohet korrekt dhe më qartësi. Nuk bën të akuzohen të huajt që dëshirojnë të na ndihmojnë. Por, neve me argumente shkencore duhet të tërheqim vëmendjen e tyre sepse ata shumë mirë i kuptojnë argumentet shkencore. Në shtetet dhe demokracitë normale kjo punë do të gjente mbështetje qeveritare për të treguar të vërteten e pazareve joprofesionale. Në vend të kësaj, nga liderë institucionalë ky grup i shkencëtarëve po quhet grup i të papërgjegjshmeve dhe i nacionalistëve. Bile, kjo po bëhet  edhe nga një anëtar i SHAK-ut, i cili po e udhëheq Qeverinë. Ai është i gatshëm për hir të karriges e jo të interesave kombëtare t’i godasë këta nacionalistë. Ai shkon edhe më larg duke i kërcënuar këta shkencëtarë edhe me përgjegjësi publike. Po, kështu ndodhte edhe në komunizëm.

            Akademiku Ivan Supek dhe bomba atomike

            Shkenca duhet të servisojë objektivat e zhvillimit shoqëror dhe human. Por, jo edhe të kënaq apetitet e dikujt që mban pozita publike. Më kujtohet një rast nga komunizmi kur elita unitariste e kishte porositur fizikanin me renome ndërkombëtare, akademikun kroat Ivan Supek që të prodhonte bombën atomike për unitaristët jugosllavë. Ai u kishte rezistuar të gjitha presioneve partiake dhe kishte dalë fitimtar duke e refuzuar këtë detyrë antihumane. Akademiku kroat assesi nuk ka dashur që mençurinë e tij profesionale ta vërë në shërbim të politikave unitariste dhe të gabuara qeveritare. Në anën e tij, kuptohet ishte edhe guximi dhe tradita e Universitetit të Zagrebit, në të cilin ai u përfshi edhe në lëvizjen “Pranvera kroate”. Edhe përkundër kësaj, i kishte qëndruar kursit kombëtar kroat. Është interesant se me rastin e vizitës së sekretarit shtetëror të SHBA-së Kisingjer në Zagreb, ai personalisht kishte treguar interesim të takohej me akademikun e vërtetë kroat. Personalitete të tilla ka edhe Kosova, të cilët dijen e tyre nuk e vejnë në shërbim të qëllimeve jovalide dhe antihumane. Shkenca e Kosovës do të përballet edhe më shumë në të ardhmen me problemet bazike të zhvillimit shoqëror të Kosovës. Koha do ta bëjë të veten, pavarësisht nga efektet e pjekurisë menaxheriale të shoqërisë.

Tryeza shkencore: Vendimmarrësit, gjeografët dhe demarkacioni

        Demarkacioni i tillë ka zgjuar vëmendjen edhe të deputetëve të Parlamentit të Kosovës, pavarësisht nga partitë politike. Në të vërtetë Komisioni Shtetëror e injoron vullnetin e popullatës së dëmtuar dhe çfarëdo logjike të vijës kufitare. Por në esencë kjo temë ka zgjuar vëmendjen edhe të elitës intelektuale dhe të gjeografëve të Kosovës të organizuar rreth Katedrës së Gjeografisë. Kjo Katedër gjithnjë dërgon mesazhe se nuk ka demarkacion pa profesionistë gjeografë. Gjeografët nuk mund të zëvendësohen me profesione tjera. Vetëm kur ka gjeograf, profesionistët tjerë mund të kontribuojnë me sukses. Këtu fjala është për juristët, ekonomistët, historianët, publicistët dhe të tjerë. Kështu do të reflektohej multidisiplinariteti i një problematike shtetformuese për Kosovën, siç është demarkacioni.

Mësimet pozitive dhe përvoja shkencore do të ishte ndihmesë e madhe edhe me rastin e demarkimit të kufirit me Serbinë. Në tryezën shkencore mbi demarkacionin u dëshmua rëndësia e involvimit të profesionistëve dhe shkencëtarëve gjeografë në diskutimin e kësaj problematike. U bë një ballafaqim i argumenteve në mes të disa palëve për të korrigjuar gabimet e bëra. Kjo tryezë dëshmoi se Kosova ka shkencëtarë që nuk dëgjojnë për arbitrarizëm politik.

Pavarësisht se politikëbërja mund të konsumojë qasje shkencore në punën e vet sa të dojë, kjo formë e komunikimit mbetet instrument i diskutimit edhe të çështjeve tjera madhore: privatizimit, sektorit privat dhe konkurrencës, eksportit të ulët dhe jokonkurrues në tregun e BE-së, dështimit të kompanive të mëdha në procese transformuese-privatizuese (“Trepça”, PRK-ja, KEK-u, Brezovica), papunësisë, varfërisë, përjashtimit social e të tjerë. Nëse kështu vazhdon ky komunikim dhe ndjesi shkencore, vërtet ka mundësi që të zbuten së paku disa nga këto probleme bazike. Lidhur me të gjeturat për demarkacionin nga kjo tryezë mund të konstatohet: kufiri nuk mund të ndryshohet arbitrarisht sepse nuk është vetëm fenomen i vendimeve politike, territoret historikisht ishin të banuara me shqiptarë, kërkesat malaziase janë të bazuara në dokumente false të pronësisë, zbatimi i kritereve kadastrale i papranueshëm, tematika mbetet komplekse për analizë shkencore, kjo padrejtësi nëpërmjet medieve është përhapur në të gjitha anët e botës, vija kufitare ekziston edhe në Enciklopedinë e ish-Jugosllavisë, vijat administrative në mes të republikave dhe krahinave autonome nuk janë ndryshuara zyrtarisht asnjëherë në kuvendet e tyre.

Vija e vërtetë kufitare bazohet në këto parime/kritere: fiziko-gjeografike, gjeografisë historike, hartave historike e jo assesi në parime kadastrale të imponuara nga pala tjetër. Periudha 1966 – 1981 konsiderohet si e qetë, pa luhatje të vijës kufitare, askush nuk ka guxuar të rihapë çështjen e kufirit. Shqiptarët në asnjë rast, nga se kjo ishte temë e ndaluar për shqiptarë. Kjo tryezë dëshmoi më së miri për mungesë të kompetencave të Komisionit, i cili për fat të keq mbetet pa ekspertë të gjeografisë-hartografisë. Tryeza gjithashtu dëshmoi se populli dhe komuniteti lokal mund të bindet vetëm nga të gjeturat dhe faktet shkencore e assesi nga floskulat politike të tipit: “nuk humbim asnjë milimetër”, “mbeten kufijtë e viti 1974”, “nëse dikujt i ka mbetur diçka jashtë Kosove, le të lajmërohet”.  Kjo vërtet nuk është politikëbërje moderne.

   Duhet theksuar se populli i dëmtuar e njeh situatën më së miri, injorimi i tyre është gabim i madh. Përndryshe bjeshkët tona mbeten në vullnetin e tyre për të vendosur. Një referendum i komunave të prekura me këto gabime: Deçan, Pejë dhe Istog do të ishte përgjigjja më e mirë demokratike, e cila është në pajtim edhe me frymën e Evropës së re.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK