Zërat
Roland Spahiu
Roland
Spahiu

Një idealizëm racionalist dhe jonacionalist

Zërat July 29, 2016 - 18:45

Duhet t’u qëndrojmë larg të gjitha gjërave që na kërcënojnë emancipimin. Nuk na duhet një vend fëmijët e të cilit këmbëzbathur vrapojnë pas ushqimit. Ose një popull që nuk korrigjon udhëheqje.

Pasi që jemi një vend i ri, ani pse një popull i lashtë, në këtë sistem jete bashkëkohore duhet të zgjedhim qëndrime dhe strategji për të ecur përpara politikisht. Duke qenë kështu, nga të shumtat, në vija të trasha, me gjasë na dalin dy rrugë më të përshtatshme për ne. Një, idealizmi nacionalist, tjetra, idealizmi racionalist.

Idealizëm nacionalist është të guxosh të lëvizësh e të zhvillohesh, në mënyrë të paepur. Të insistosh për të arritur një qëllim të përgjithshëm, por që ky qëllim ndikohet nga motive nacionalizmi. Domosdo me këtë qëndrim është një pikë, ku humb arsyeja. Nëse shihni prapa në histori, syri do t’ju kap një mori rastesh të tilla.
Ndërsa idealizmi racionalist, një e paprovuar nga ne, është të guxosh të lëvizësh e të zhvillohesh, për të përmirësuar gjendjen aktuale në më të mirë, duke u bazuar në motivet e së logjikshmes, për të arritur një qëllim ngritjeje mbarëshoqërore. Kjo motivet e nacionalizmit i sheh vetëm në bazë të vetive.

Nëse shihni nëpër botën e sotme, në shumë vende, madje edhe në ato që e kanë mbrojtur nacionalizmin në të kaluarën, do të shihni që ushqejnë një idealizëm racionalist. Sepse e kanë të qartë që ndryshe nuk mund të transformohen për së mbari. Idealizmi racional, sikur kurrkund tjetër, formësohet nga ide në nevojë, në shtetet në zhvillim e sipër. Sepse aty ka luftë për ekzistencë, sikur në një pyll të egër, sikur në Kosovë. Mbase si nevojë urgjente nuk paraqitet në shtetet që ia kanë dalë të thellojnë sistemin e tyre shoqëror të jetesës, ku shpërndarja ekonomike dhe e të drejtave njerëzore janë nga ato idealet. Por në shtetet që kurrqysh nuk ia kanë dalë dot të rimëkëmben njëherë e mirë, e të qëndrojnë mjaftueshëm fort sa për të ecur pa u lëkundur, racionalizmi idealist të bëhet baston në rrugë për të blerë një kafshatë goje.

Ashtu si edhe vërehet, megjithëse në mënyrë të hijezuar disi, puna qëndron te fakti se si të arrijmë që të rimëkëmbemi, më pas të ecim drejt emancipimit shoqëror, për të prodhuar të paktën një biçikletë, në fund të ditës. Pra, pyetja jonë është se si të fillojmë të përfitojmë një qëndrim idealist që për bazë ka mendjen. Kjo bëhet thjesht duke nxjerrë hekur, duke i përplasur gurët që të nxjerrin flakë dhe me flakë të përfituar duke i dhënë hekurit një formë të biçikletës. Ja një, mos qoftë e mundur një më e mirë, biçikletë e prodhuar tashmë nga ne. Pa kurrfarë dyshimi, fillimi kaq i thjeshtë është.

Por në këtë mes një gjëje duhet t`i kushtojmë shumë rëndësi. Idealizmi, në aspektin retorik, ka vetëm një gjuhë. Kjo gjuhë brenda mund t`i pranojë dy qëllime. Atë të mirën, që të çon në emancipim, dhe të keqen, që të çon në nacionalizëm. Pra, idealizmin mund ta proklamojë edhe i miri, edhe i keqi. Këtu qëndron rreziku.
Çfarë do të thotë kjo?

Kur këtë idealizëm, pra qëndrimin e paepur që përjashton frikën, e përdor për të përcjellë motive nacionaliteti, me një fjalë tjetër është dalje nga binarët dhe natyrshëm pamundësohet rimëkëmbja e popullit. Pse? Nacionaliteti është veti, që të shërben të dallohesh për nga natyra nga të tjerët. Kaq. Ajo nuk të bën më të lartë dhe as më të ulët sesa të tjerët. Dhe as më të mençur e më konkurrues në shkencë apo në kulturë. Dhe ta pranosh këtë, nuk është tradhti e kombit.

Prandaj duhet ta marrim për bazë mendjen dhe jo nacionalizmin. Sepse në momentin kur keni qëndrim idealist racional, në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe vendi juaj është më tepër i mbrojtur. Meqë është më vështirë i provokuar, më i etur që të marrë diturinë dhe t`i përshtat praktikat e suksesshme të popujve të ndryshëm në përmbajtjen tij. Dhe më e rëndësishmja, në këtë mënyrë, likuidohet imitimi i paarsyeshëm i veprave të popujve të tjerë. Ose edhe po qe se një veprim imitohet, me një racionalizëm idealist, bëhet pasi të jenë kuptuar përse-të, konsekuencat e mundshme, dobitë dhe dëmet e një fenomeni të caktuar.

Pra, si rrjedhojë, i kemi afër duarve dy bastunë. Këta të dy mund t`i përdorim për rimëkëmbje. Bastuni i parë, mendja, paraqitet me një karakter të fortë, të palëkundshëm. Ndërsa ky i dyti, nacionalizmi, është përdorur më herët, dhe jo në 99,9 për qind të rasteve, por 100 për qind të rasteve është thyer. Sepse nacionalizmi karakterin e tij e lidh në numër, në kokë banori. Ushqehet nga ideja “sa më shumë në numër, aq më të fortë”. Këtë mund ta vëreni se pak a shumë e kemi aktuale në shoqërinë tonë. Ne nuk kemi vetëbesim të mjaftueshëm, sepse jemi pak në numër. Ky është një qëndrim nacionalist. Por kjo nuk qëndron. Gjithë këto fjalë në fakt për këtë dhe për këso lloj gabimesh. Mbarësia e një populli nuk varet nga numri i tyre, por nga përdorimi i mirë dhe efiçent i të gjitha pasurive që kanë. Prandaj në shoqërinë tonë është e domosdoshme që të ndërtohet një idealizëm racional dhe jo një nacionalizëm i verbër.

Duhet t’u qëndrojmë larg të gjitha gjërave që na kërcënojnë emancipimin. Nuk na duhet një vend fëmijët e të cilit këmbëzbathur vrapojnë pas ushqimit. Ose një popull që nuk korrigjon udhëheqje. As ai popull që nuk e kërkon të mundurën, por e pranon të mjaftueshmen. Aq më pak një popull që i zbulon idetë e kohës, pas dekadave të lindjes së tyre, meqë aq zgjat derisa vijnë në kafenetë e nëpër shkollat të mbipopulluara të vendit, që kanë harruar një parim të rëndësishëm të tyre: hulumtimin. Prandaj konteksti i kësaj strukture na supozon që të mos qëndrojmë indiferentë ndaj koncepteve pozitive, të hulumtojmë, të grumbullojmë të duhurat e të fillojmë të prodhojmë, të paktën, biçikleta.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK