Zërat
Gilman Bakalli
Gilman
Bakalli

Feja si ideologji

Zërat July 28, 2016 - 13:42

Në një pikë bashkohen përfaqësuesit e politikës me ato të institucioneve fetare: fetë nuk janë ideologji. Të dyja palët mendojnë se kush i ideologjizon fetë, po abuzon me to. Në fakt, fetë janë ideologji. Të gjitha.

Pa përjashtim. Çfarë mund të jenë tjetër veçse ideologji? E kam fjalën për ideologjinë si sistem bindjesh e idesh me status absolut vërtetësie. Ideologu përpiqet t’i ngrejë pohimet e tij subjektive, normat dhe vlerat në nivelin e një të vërtete me vlefshmëri objektive gjithëpërfshirëse.

Prandaj dhe ideologjitë janë të gjitha politike. Ato synojnë të imponojnë vlera dhe norma të caktuara, pra të drejtojnë aktivitetin njerëzor në kanale të caktuara. Mirëpo çdo përpjekje për ta modifikuar normativisht sjelljen njerëzore në shoqëri mund të quhet politike. Për këtë arsye nuk mund të ketë ideologji apolitike.

Fetë janë shembull i shkëlqyer ideologjie. Ato paraqesin disa vlera, universalitetin e të cilave mundohen ta përligjin përmes transcendencës dhe një institucioni të padiskutueshëm. Si rregull, përmes Zotit. Përfaqësuesve të feve nuk u pëlqen statusi ideologjik i fesë dhe e refuzojnë atë sa herë bie rasti. Sepse për ta feja është diçka më e lartë dhe sublime.

Po çfarë mund t’u thuash fjala bie përfaqësuesve fetarë kur flasin për abortin apo moralin seksual? Apo, në rastin më të mirë, kur iu drejtohen politikanëve me thirrjen për ta votuar reformën në drejtësi? A janë të zhveshura nga ideologjia këto shqetësime? A janë apolitike? Kurrsesi jo! Të gjitha fetë janë ideologji politike. Diferencimet e holla midis njërës fe aty apo një ideologjie politike këtu s’kanë rëndësi në këtë kontekst.

Fakti që politika dhe media e kanë përvetësuar këtë dallim nuk të habit. Si në politikë, ashtu edhe në medie ekziston ideja e gabuar se moralizimet nga këto dy kampe janë të zhveshura nga ideologjitë. Kush është ideologjikisht i verbuar sa ta shohë veten jashtë ideologjisë, s’ka si e dallon potencialin ideologjik të feve.

Në fakt, ideologjitë janë të pashmangshme. Të gjithë jemi ideologë. Veçse jemi të gatshëm të heqim dorë nga imponimi i botëkuptimit tonë për aq kohë sa edhe të tjerët heqin dorë imponimi me forcë i asaj çka atyre iu duket si e Mira e të Gjithëve.

Historia e feve na tregon se edhe fetë, ajo e krishterë, nën presione të caktuara, si Iluminizmi p.sh., kanë arritur të pranojnë se janë veçse një ofertë ideologjike mes të tjerave.

Nëse e pranojmë se fetë janë ideologji do ta kemi më kollaj të pranojmë se edhe fetë mund të jenë në shkelje të kushtetutës dhe se nuk mjafton etiketa “fe” për t’u lejuar atyre norma, vlera dhe veprime, të cilat s’do ua lejonim as ideologjive sekulariste.

Sepse shpesh, nën petkun e lirisë fetare, mund të ndodhë që t’iu jepet hapësirë e pakufishme disa normave fetare, të cilat janë në kundërshtim me normat që sigurojnë bashkëjetesë normale mes qytetarëve. Fakti që një ideologji bazohet mbi një instancë transcendentale, nuk e bën atë më pak ideologjike apo më pak të rrezikshme.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK