Zërat
Hajro Limaj
Hajro
Limaj

Ku po e çon Erdogani Turqinë?

Zërat July 27, 2016 - 12:45

Nga 15 korriku i minipuçit ushtarak e deri sot, përveç lajmeve dhe rubrikave televizive, lexoj në turqisht veçanërisht dy gazetat më të mëdha: “Milliyet” dhe “Hurriyet”. Me Turqinë më lidh një jetë e tërë, por veçanërisht në periudhën 1993-2001 kam qenë nga aktorët kryesorë të bashkëpunimit politik ushtarak.

Nga shefi i degës së bashkëpunimit Shqipëri-Turqi në Ministrinë e Mbrojtjes u emërova atasheu i parë ushtarak i Shqipërisë në Ankara. Punova në kohën e ndritur kur Turqia drejtohej nga elita intelektuale e këtij vendi me presidentin Turgut Ozal dhe veçanërisht Sulejman Demirel, me kryeministrat Tansu Çiller, Mensut Jellmaz dhe Exhevit, të gjithë të diplomuar në Gjermani, Amerikë dhe Angli. Si ekspert i politikave të mbrojtjes dhe fushës ushtarake, që natën e minipuçit më lindën shumë dyshime dhe pikëpyetje.

Këto dyshime tashmë janë publikuar nga shumë studiues, gazetarë dhe politikanë jo vetëm brenda Turqisë, por në të gjitha vendet demokratike. Kaloi një javë nga minipuçi ushtarak në Turqi dhe shumë gjëra janë në errësirë, të paqartësuara. Një nga analistët më të mirë të Turqisë, Melih Ashëk, shkruante dje në gazetën “Milijet” pikërisht për këtë errësirë. Dhe e thotë këtë shqetësim nga Turqia, e cila po zbaton ligjet e ashpra të gjendjes së jashtëzakonshme. Ai pyet:

"-Kush ishte truri apo ekipi trunor i kësaj lëvizjeje për grusht shteti, kush e shtypi butonin? Përse nuk publikohet ky grup trunor?

-Kryetari i SHIK-ut, i cili informoi direkt shefin e Shtatmadhorisë në orën 16, për çfarë shkaku nuk e kërkoi në telefon gjatë natës kryeministrin dhe presidentin? Shefi i Shtatmadhorisë, i cili u paralajmërua nga kryetari i SHIK-ut në orën 16, përse nuk mori asnjë masë për të siguruar menjëherë veten dhe shtabin? Përse nuk i thirri menjëherë në Ankara komandantët që ndodheshin jashtë Ankarasë?".

Dhe më poshtë vazhdon: Grushtshtetasit kë kishin caktuar për kryeministër? Kush do të ishin anëtarët e qeverisë?... Pra këto janë errësirë...".

Po çfarë po ndodh?

Shifra të frikshme:

-Janë arrestuar 13165 vetë. Nga këta: 8 838 ushtarakë, nga të cilët 123 gjeneralë. Lista vazhdon me kolonelë, nënkolonelë, majorë, kapitenë... midis tyre edhe komandanti i Armatës së dytë, kosovari me gradën më të lartë gjeneral-armate Adem Hudut, 1485 policë, 52 drejtues administrate dhe 689 civilë.

-U shkarkuan nga detyra 1577 dekanët e të gjitha universiteteve.

-Janë arrestuar 2277 prokurorë dhe gjykatës nga 14 661 që ka e gjithë Turqia.

-Janë arrestuar 4 rektorë universitetesh, 2 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe mbi 60 prokurorë dhe gjykatës të Prokurorisë dhe Hetuesisë së Përgjithshme.

-Janë larguar nga puna 60 000 mësues.

-U hoqën licencën 21 000 mësuesve të shkollave private.

-U mbyllën 15 universitete, 1043 shkolla, 109 konvikte, 104 fondacione, 35 qendra shëndetësore, 1229 shoqata dhe 19 sindikata. Të gjitha pasuritë e tyre u sekuestruan. Këtë mësymje kundër kundërshtarëve Erdogani po e realizon nëpërmjet ligjit të situatës së jashtëzakonshme, ligj i cili i jep kompetenca shumë të mëdha qeverisë. Dje ka arrestuar presidentë të shoqërive Holding. Ka ndaluar daljen jashtë shtetit të akademikëve. Pra mes të arrestuarve nuk ka vetëm nga ushtria për puçin ushtarak. Ka nga policia, administrata, burokracia, universitetet, ministra e arsimit, e shëndetësisë, e ku jo.

Kur Erdogani pretendon për një grusht shteti nga ushtarakët, çfarë ka me botën akademike të të gjithë Turqisë dhe me civilët që ishin jashtë këtij minigrushti? Prandaj shumë politikanë dhe analistë të botës demokratike shprehen se "listat kanë qenë të parapërgatitura" dhe Erdogani i vuri në zbatim menjëherë “nga grushti i shtetit që i dha Zoti"- siç tha ai.

Turqia, prej 17 dhjetorit 2013 vazhdonte të ishte në një krizë të thellë në politikat e brendshme. Është koha kur djali i Erdoganit u kap në flagrancë me 3 djemtë e tre ministrave të qeverisë së Erdoganit, të cilët me një turko-iranian, Zarrabin, u kapën duke pastruar 1 miliard dollarë në Bankën Qendrore. Tre fëmijët e tre ministrave, Zarrabi dhe drejtori i bankës u arrestuan, ndërsa djali i Erdoganit ishte lënë për datën 25. Duke qenë se Gyleni u shpreh se "koha e Erdoganit përfundoi" ai e shpalli atë nga aleat, në armik.

Erdogani humbjen e autoritetit të tij prej kësaj kohe kërkonte ta mbante me dhunë të gjithanshme ndaj shtypit, akademikëve, opozitës dhe çfarëdolloj mendimi opozitar. Janë dënuar dhe janë në proces hetimorë 1800 turq dhe të huaj që kanë kritikuar atë, midis tyre shumë të rinj dhe të reja nëpërmjet “Facebook”-ut. Turko-iraniani, Zarrabi, mbas doli me makinacione nga burgu u nis për në Amerikë, ku u arrestua sapo zbriti ne aeroport dhe tani vazhdojnë hetimet për veprimtaritë e tij kriminale. Kundërshtitë nëpërmjet protestave u dhunuan, si ajo e Gazisë në Stamboll. Totalitarizmi i tij u rrit dukshëm, në kohën kur unë botova shkrimin "Sulltanizimi i Erdoganit" dhe "Totalitarizmi i Erdoganit e rritja e terrorizmit në Turqi". Hera e parë që unë dola hapur kundër një lideri turk.

Në Turqi të gjithë analistët ndërkombëtarë parashikonin një konflikt të rëndë civil, i cili mund të shkonte drejt një lufte civile. Këtë rrezik e shikonte edhe vetë Erdogani. Një lëvizje e heshtur për grusht shteti nga ushtarakët qarkullonte muajt e fundit. Nga analiza e zhvillimeve të fundit një analist i sigurisë mbërrin në konkluzionin se këtë lëvizje fillestare e ka menaxhuar SHIK-u me Shefin e Shtatmadhorisë duke e kthyer në një skenar të vërtetë të një minipuçi ushtarak.

Fuqia dhe madhësia e ushtrisë turke prej 650 mijë trupash jo qeverinë e Erdoganit që e rrëzonte për 2 orë, por pushton shtetet kufitare. Edhe skenari ku lëvizën trupat dhe mjetet ushtarake tregojnë se ato kanë qenë pa një skenar të vërtetë të gjeneralëve turq, të cilët në NATO i mban si më ekspertët e kësaj fushe. Prandaj Erdogani mban akoma ne detyrë shefin e SHIK-ut dhe Shefin e Shtatmadhorisë, të cilët 4 orë para fillimit të lëvizjes së trupave vlerësuan gjendjen së bashku në zyrën e shefit të Shtatmadhorisë në Ankara. Dhe të dy nuk kërkuan asnjë herë në telefon presidentin dhe kryeministrin gjatë kohës së "puçit ushtarak".

Po të mos ishin paranjoftuar këta a mund t’i mbante edhe një minutë në këto detyra kyçe Erdogani? Kërko dhe shumë fakte të tjera plotësojnë mendimin e shumë analistëve dhe politikanëve botërorë se "puçi ushtarak" është skenar i Erdoganit për të shkatërruar të gjithë opozitarët civilë dhe ushtarakë në mënyrë që ai të bëhet i plotfuqishëm dhe të realizojë ndryshimet kushtetuese për ta kthyer Turqinë në sistem presidencial, për të shkatërruar shtetin laik, demokratik dhe ligjor të Turqisë të përcaktuara nga Ataturku dhe të gjitha strukturat e sigurisë së tanishme.
Prandaj ish-presidenti Demirel, me të drejtë, në një takim zyrtar në Ankara delegacionit tonë i tha "Nëse vjen në pushtet Erdogani me Partinë Islamike që ai drejton Turqia mund të shkojë drejt shpërbërjes".

Ashtu si ai ka dështuar në politikat e brëndshme të Turqisë, i cili nga krizat e pandërprera e futi në gjendje të jashtëzakonshme, ashtu ka dështuar edhe në politikat e jashtme. E filloi me Izraelin, pastaj me Sirinë, Rusinë, Bashkimin Evropian dhe Amerikën. Përdor gjuhën e ashpër dhe aspak diplomatike ndaj tyre, sikur ai është sulltani i botës. Ky ishte edhe shkaku që kryeministri i Belgjikës ju përgjigj hapur dhe troç kërkesës së Edoganit për të mbyllur kolegjet turke në Belgjikë, kërkesë të cilën e kishte dorëzuar ambasadori i tij në këtë vend.

Ai jo vetëm e hodhi poshtë me neveri këtë  presion dhe ndërhyrje në punët e brendshme, por deklaroi se ata janë shkolla të suksesshme dhe se Belgjika nuk pranon dhe nuk e njeh aspak si terrorist sistemin arsimor të Gylenit. Këtë bëri dje edhe ministri i Arsimit në Kosovë, gjë të cilën, ashtu si herën e parë, duhet t’i përgjigjet edhe qeveria jonë.(Shekulli) (Autori ka qenë atashe ushtarak i Shqipërisë në Republikën e Turqisë dhe drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK