Anton Cena, i argjendtë në Evropianin e veteranëve

Sport June 26, 2016 - 16:13

Anton Cena e ka fituar medaljen e argjendtë në Kampionatin Evropian të Veteranëve në xhudo, i cili u mbajt në Poreç të Kroacisë.

Një lëndim i pësuar në luftën e tretë të garës, respektivisht muskuli i këmbës së majtë, ka qenë fatal për kampionin botëror, i cili u desh të kënaqej me të argjendtën.

Nëse nuk do të ndodhte lëndimi, polici kosovar do ta fitonte pa dyshim të artën.

Image

“Në luftën e tretë të garës, e kam lënduar muskulin e këmbës së majtë, si pasojë e një veprimi tim të shpejtë. Nuk doja të dorëzohesha dhe kështu arrita si fitues në finale. Për të mos zgjatur shërimi, vendosa të mos marr pjesë në finale, edhe pse ajo ishte pjesë formale për mua, sepse bindshëm iu afrova titullit fitues në tri luftërat e para, mirëpo nganjëherë dalin pengesa të papritura dhe gjërat nuk shkojnë siç duam ne! Kjo arsye më pezulloi nga titulli i Kampionit Evropian për të katërtin vit me radhë e po ashtu edhe nga përfaqësimi i garave ekipore të Kroacisë që do të mbahen të dielën, pasi që unë posedoj shtetësinë kroate dhe kam qenë reprezentues i saj”, ka shpjeguar Cena për Zërin”.

Image

“Por nuk do të thotë që vullneti im është zbehur për të vazhduar më tutje. Tani më ka mbetur që sa më parë ta shëroj këmbën dhe të nis përgatitjet për garat që do të mbahen në muajin nëntor, në Florida të Amerikës. Dëshirën që më mbeti peng për ta valëvitur Flamurin e Policisë së Kosovës si të parin në Evropë , do ta realizoj në garat botërore të nëntorit”, ka shtuar ai.

Image

“Ju premtoj se do të jem mirë sepse Kosovën duhet të na njohë bota me fitore, andaj nuk do të dorëzohem. Faleminderit Policisë së Kosovës dhe menaxhmentit të saj, faleminderit Drejtorit të AKPS-së dhe stafit menaxhues, faleminderit të gjithëve që besuat dhe më përkrahët ta përfaqësoj Kosovën. Bashkë jemi të suksesshëm dhe të pamposhtur!”, ka përfunduar Cena. /Zëri/

Image