Lobim, deri në ditën e fundit për anëtarsim në UEFA

Sport April 28, 2016 - 21:51

Sikurse FFK-ja, edhe Qeveria e Kosovës me optimizëm po e pret 3 majin, kur UEFA do të vendosë për Kosovën. Madje, kryeministri Isa Mustafa më 2 maj do të shkojë në Budapest për ta takuar kryeministrin hungarez dhe për ta bërë lobimin final. Në Ministrinë e Jashtme thonë se ndërkombëtarizimi i futbollit qe dy vjet ka qenë në agjendën e nivelit më të lartë shtetëror

3 maji është njëra prej datave më të rëndësishme jo vetëm për sportin kosovar, por për shtetin në përgjithësi. Kjo pasi Kongresi i UEFA-s do të mblidhet në Budapest, ku edhe do të votojë për apo kundër pranimit të Kosovës në gjirin e vet. Prishtina me optimizëm jashtëzakonisht të madh po e pret një “Po” të madhe nga shtëpia e futbollit evropian.

Ky optimizëm nuk është prezent vetëm në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), e cila ka bërë gjithçka që ka mundur në këtë proces, e në të cilin është ballafaquar me telashe të shumta të natyrës politike, të cilat edhe e kanë zvarritur shumë njohjen e Kosovës nga UEFA dhe FIFA.

Duke i parë problemet politike me të cilat ballafaqohej FFK-ja, ishte e domosdoshme edhe ndërhyrja e politikës kosovare në këtë proces, i cili më në fund po shkon drejt fundit, me një rezultat pozitiv. Institucionet më të larta shtetërore thonë se qe një kohë të gjatë i kanë “përvjelë mëngët” në këtë proces shumë të rëndësishëm për vendin.

Madje, zyrtarët qeveritarë thonë se po punojnë shumë edhe në prag të mbajtjes së Kongresit të UEFA-s. Kryeministri, Isa Mustafa, do të shkojë në Budapest një ditë para se Kongresi i UEFA-s ta merr vendimin për Kosovën. Këtë e ka bërë të ditur për gazetën “Zëri”, zëvendësi i Mustafës, Kujtim Shala, i cili njëherësh është edhe ministër i Sportit, po ashtu i përfshirë thellë në këtë proces.

“Kryeministri Mustafa më 2 maj, një ditë para mbajtjes së Kongresit të UEFA-s në Budapest, do të qëndrojë në Hungari, ku do të takohet me kryeministrin e Hungarisë. Sigurisht, se kryeministri Mustafa do ta shfrytëzojë rastin që me këtë rast edhe të lobojë edhe për pranimin e Kosovës në UEFA”, tha Shala për “Zërin”. Ai pret vendim pozitiv nga UEFA për Kosovën, më 3 maj. “Të jem i sinqertë,  qe disa muaj kemi punuar shumë ngushtë me FFK-në. Kemi mbajtur takime të rregullta. Jemi takuar njëherë në javë. FFK-ja i ka kryer punët e veta, kurse ne i kemi kryer punë tona, kemi ndihmuar si në aspektin politik, ashtu edhe në atë financiar. Shenjat janë të mira se do të pranohemi”, theksoi Shala.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme thekson se në dy vjetët e fundit procesi i anëtarësimit të Kosovës ka qenë ndër prioritetet kryesore të saj. Ish-zëvendësi i Hashim Thaçit, tani ushtrues detyre i ministrit të Jashtëm, Petrit Selimi, thekson se qe një kohë të gjatë ndërkombëtarizimi i futbollit ka qenë në agjendën e nivelit më të lartë shtetëror. “FFK-ja me kryetarin e saj, Fadil Vokrri, ka bërë punë të pashoqë. Kurse, ne kemi kryer punën tonë. Ndërkombëtarizimi i futbollit qe një kohë shumë të gjatë ka qenë prioritet i nivelit më të lartë shtetëror”, ka thënë ministri Selimi.

“U them me sinqeritetin më të madh se në dy vjetët e fundit procesi i anëtarësimit të Kosovës ka qenë prioritet tepër i rëndësishëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kjo ka qenë në vazhdimësi ndër temat kryesore që i kemi hapur në nivelet më të larta”, theksoi ai. Selimi potencoi se ish-ministri Thaçi ka lobuar shumë për anëtarësimin e Kosovës në UEFA e FIFA, të cilën përpjekje e ka vazhduar edhe Selimi pas vendosjes së Thaçit në postin e presidentit të vendit. Kjo i jep shpresë të madhe Selimit se më 3 maj UEFA do t’ua realizojë ëndrrën kosovarëve.

“Unë jam i bindur se rinia e Kosovës më nuk do të jetë e izoluar. Ata do të jenë të barabartë me të rinjtë e vendeve tjera, duke e përfaqësuar Kosovën si në nivel nacional me përfaqësuese, ashtu edhe në nivel të klubeve. Kjo është gjëja më e mirë”, potencoi Selimi.

E mira e Armand Dukës

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) disa herë ka theksuar se ka marrë garanci nga federatat e shteteve tjera se do ta mbështesin kërkesën e saj për anëtarësim në UEFA e FIFA. Në këtë drejtim, shtëpinë e futbollit kosovar është munduar ta ndihmojë maksimalisht edhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF).

Presidenti i saj, Armand Duka, në vazhdimësi kërkonte nga anëtarët e UEFA-s e të FIFA-s mbështetje për Kosovën, derisa ka pasur raste kur Duka kërkonte që Kosova të qitet në rend dite nëpër mbledhje të FIFA-s e UEFA, për çka njoftonte edhe uebfaqja zyrtare e FSHF-së. Po ashtu, kur Michel Platini vizitonte Shqipërinë, Duka e takonte me krerët e FFK-së.