Futbollistët nga Gana si të Kosovës! (FOTO)

Sport February 09, 2016 - 13:01

Patën bërë jehonë dy futbollistët ganezë me të cilët u përforcua Gjilani për sezonin pranveror. Mesfushori, Arago Jamal, dhe mbrojtësi, Richard Nii Tetteh Sackey, vlerësoheshin lart pasi ishin prezantuar me fanellat e kuqe, shkruan sot gazeta Zëri.  

Por trajneri i gjilanasve, Bylbyl Sokoli, thotë se nuk bëhet fjalë për përforcime “bombastike”. “Adaptimi i lojtarëve të huaj po shkon me shumë vështirësi. Po ashtu, futbollistët që vijnë nga jashtë duhet të jenë më të mirë sesa ata të cilët luajnë në kampionat, pra duhet të vijnë për ta bërë diferencën”, ka deklaruar Sokoli për gazetën “Zëri”. Përpos dy ganezëve, Gjilani ka angazhuar edhe Egzon Shabanin e Qëndrim Dautajn, por i janë larguar tre futbollistët cilësorë, Isa Eminhaziri, Besnik Krasniqi dhe Dren Gashi, të cilët mbesin të pazëvendësueshëm për trajnerin e njohur kosovar.

Sidoqoftë, ish-trajneri i shumë ekipeve të njohura thotë se po mundohet ta përgatisë maksimalisht Gjilanin për sezonin pranveror. “Jam i kënaqur me fazën përgatitore, të cilën jemi duke e zhvilluar. Jemi duke punuar intensivisht që t’i mbulojmë pozitat e lojtarëve të larguar, por deri më tani nuk kemi arritur t’i mbulojmë ato”, theksoi Sokoli. Kur pyetet për ambiciet e skuadrës së tij në sezonin pranveror, Sokoli nuk i përmend trofetë, por tërthorazi e paralajmëron një Gjilan ambicioz.

“Ne do të kërkojmë që në stinorin pranveror të jemi në kreun e renditjes dhe të zhvillojmë ndeshje të mira”, përfundoi ai. Pjesën e parë të Kampionatit Gjilani e ka mbyllur duke u pozicionuar në vendin e tretë të Superligës së Kosovës me 29 pikë, dy më pak sesa kryesuesi, Feronikeli, dhe ishte një befasi e mirë, pasi vinte nga Liga e Parë./Zëri/Image

Image