Shqipëria gati të rrëmbej talentin Përfaqësues së Italisë

Sport January 15, 2016 - 14:51

Federata Shqiptare e Futbollit është padyshim një prej më aktiveve, kur bëhet fjalë për afrimin e talentëve të lindur jashtë vendit në përfaqësuese.

Pasi ka bërë me dhimbje koke vende si Zvicra apo Greqia, tashmë listës i shtohet edhe Italia.

Edhe përtej Adriatikut ka nisur hemoragjia e talentëve, fëmijë emigrantësh, të rritur në Akademi dhe të angazhuar me përfaqësueset e moshave, që vendosin të përfaqësojnë vendet e origjinës.

Në një artikull special të "La Gazzetta Dello Sport" janë listuar të gjithë futbollistët e rinj, që janë në dilemë për të ardhmen. Mes tyre figuron edhe Alessandro Ahmetaj.

16-vjeçari i lindur në Itali luan për të rinjtë e Cesena-s. Si mesfushor qendre apo në krahun e majtë, Ahmetaj numëron 4 ndeshje me përfaqësuesen e 16-vjeçarëve dhe 12 ndeshje e një gol me ekipin e dytë të Kombëtares së 17-vjeçarëve të kaltër.

Alarmi në Itali erdhi prej Mattia El Hilali të Akademisë së Milanit, që nuk iu përgjigj ftesës së përfaqësueses së 18-vjeçarëve, duke u shprehur se është në dilemë ndërmjet Italisë dhe Marokut. Ai ishte rasti i katërt pas talentit nga Maroku, Hachim Mastour, portugezit Pedro Almeida dhe argjentinasit Jose Mauri.

Shqiptaro-italiani Alessandro Ahmetaj është renditur në listën e talentëve që janë të lëkundur ndërmjet Italisë dhe përfaqësueses së vendit të tyre, pasi lojtari i ri nuk e fsheh asnjëherë krenarinë e të qënit shqiptar.