I emocionuar nga ftesa e Kosovës, rrëfehet futbollisti i njohur: Gjithmonë më bëhet zemra mal..
FOTO: Laura Hasani

I emocionuar nga ftesa e Kosovës, rrëfehet futbollisti i njohur: Gjithmonë më bëhet zemra mal..

Sport December 26, 2019 - 17:57
Detajet

Të gjithë e mbajnë në mend fitoren e madhe të Kosovës ndaj Ishujve Faro në vitin 2016, e cila u zhvillua në Frankfurt të Gjermanisë. Kosova e fitoi atë takim me rezultat 2:0.

Edhe pse kishte karakter miqësor, gëzimi i fitores ishte i madh.

Ajo që ra më shumë në sy ishte festa e një futbollisti, i cili mbante në duar flamurin e Kosovës, derisa e festonte me plot emocion atë fitore, shkruan Zëri.info.

Ai ishte Flamur Kastrati, i lindur mijëra kilometra larg Kosovës, saktësisht në Oslo të Norvegjisë, por që asnjëherë nuk e harroi vendin e tij.

Ajo pamje më vonë sikur u bë simbol i rrugëtimit të Kosovës në sukseset e radhës, rrugëtim ky që prodhoi shumë gëzime, shumë emocion, por momente edhe dëshpërimi.

Flamuri pas një kohe të gjatë po rikthehet te Kosova, pasi ai ditë më parë mori ftesë nga përgjegjësi i Kosovës, Bernard Challandes, për t’iu bashkuar Kosovës në ndeshjen miqësore, që e zhvillon në Doha të Katarit ndaj Suedisë, më 12 janar.

Kastrati në një bisedë për gazetën “Zëri” ka rrëfyer emocionet e asaj kohe kur ishte nën udhëheqjen e trajnerit Albert Bunjaki, por edhe emocionet që ia ofroi ftesa e Bernard Challandesit, duke thënë se gjithmonë është i gatshëm për Kosovën kurdo që ajo sheh se ka nevojë për të.

Image

Kastrati, i cili aktivizohet si mesfushor-sulmues, është titullar i padiskutuar te skuadra e njohur norvegjeze Kristiansund, ku luan rregullisht dhe i prin sulmit të skuadrës, ka thënë se Kosovën e përcjellë në të gjitha ndeshjet dhe sa herë që fiton Kosova ai feston me plot emocione.

“Te gjithat ndeshjet e Kosovës i kam përcjellë. Gjithmonë më bëhet zemra mal kur e shoh duke fituar, asnjëherë nuk i lë ndeshjet e vendit tim pa i shikuar”, ka deklaruar Kastrati, duke folur më pas edhe për trajnerin Bernard Challandes, i cili në Kosovë po njihet si një trajner revolucionar dhe tashmë e ka fituar respektin e të gjithëve.

“Challendes ka treguar se çfarë trajneri është. Tekniku zviceran në bankinën e Kosovës së bashku me shtabin teknik tregojnë çfarë niveli i lartë është e kjo dëshmohet me futbollin që po tregon Kosova”, ka përfunduar Flamur Kastrati.

Të kujtojmë se për Kastratin kjo do të jetë ndeshja e parë nën fanellën e Kosovës nën udhëheqjen e trajnerit Challandes, kështu që ai dëshiron maksimalisht ta dëshmojë veten.

Në tetor të vitit 2017 sulmuesi Flamur Kastrati ishte për herë të fundit pjesë e Përfaqësueses së Kosovës. Ishte ndeshja e fundit eliminatore për botërorin “Rusia 2018”.

Kosova e humbi atë ndeshje të luajtur në Reykjavik ndaj Islandës (2:0) e Kastrati nuk e fitoi rastin të luajë. Katër ditë më herët ishte aktivizuar në shtatë minutat e fundit të ndeshjes kundër Ukrainës, të luajtur në Shkodër dhe të cilën Kosova po ashtu e humbi 2:0.

Gjithsej ka 16 minuta lojë me fanellën e Kosovës prej vitit 2014, kur u ftua për herë të parë. Pesë minuta i ka luajtur në miqësoren ndaj Ishujve Faro në qershor të vitit 2016, duel që Kosova e fitoi 2:0 dhe katër minuta të tjerë në ndeshjen e parë të “dardanëve”, pas lejes së dhënë nga FIFA, atë ndaj Haitit (0:0) në mars 2014 në Mitrovicë.

Kastrati e ka një karrierë të pasur si futbollist. A më herët ka qenë pjesë edhe e grumposhave të reja të Kombëtares së Norvegjisë U-18, U-19 dhe U-21.

Kastrati krahas Norvegjisë ka bërë karrierë edhe në Holandë e në Gjermani në ekipet si

FC Twente, Osnabruck, Duisburg, Erzgebirge Aue, Stromsgodset, Aalesund, Sandefjord dhe së fundmi Kristiansund.

Përveç Kastratit, Challandes ka sjellë edhe disa emra të rinj, derisa bien në sy futbollistët nga Superliga e Kosovës, ku asnjëherë më parë nuk janë ftuar.

Plot 13 futbollistë nga Superliga e Kosovës do ta përfaqësojnë Kosovën në ndeshjen ndaj Suedisë, sinjale këto që zvicerani ka besim në lojtarët vendorë dhe dëshiron sa më shumë t’ju japë hapësira./Zëri.info