Kosova zbardh listën, gati për Rumaninë e Maqedoninë

Sport November 20, 2018 - 18:33

Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Damir Mulaomerovic, e ka publikuar të martën listën e gjerë të Përfaqësueses A, e cila më 29 nëntor dhe më 2 dhjetor do t’i zhvillojë ndeshjet në kuadër të Grupit B të parakualifikimeve për “Eurobasket 2021”, shkruan Zeri.info.

Kosova më 29 nëntor do të përballet me Rumaninë në qytetin Oradea, kurse më 2 dhjetor në Gjevgjeli do të ballafaqohet me Maqedoninë.

Kosova më 13 shtator në shtëpi është mposhtur nga Maqedonia me rezultat 73:76. Verdhekaltrit në ndeshjen e fundit në kuadër të kësaj faze parakualifikuese do të përballet me Rumaninë në Prishtinë më 24 shkurt 2019.

Fituesi i këtij grupi do të kualifikohet në kualifikime për “Eurobasket 2021”, që do të fillojnë në nëntor të vitit të ardhshëm, kurse dy kombëtaret tjera e kanë edhe një shans tjetër për t’u kualifikuar, por nëpërmjet një rundi shtesë që do të luhet në gusht të vitit 2019.

Duhet theksuar se Përfaqësuesja A më 24 dhjetor do të udhëtojë për në Debreceni të Hungarisë, ku do të qëndrojë deri më 28 nëntor në përgatitje të përbashkëta dhe më pas do të niset për në Oradea për t’u ballafaquar një ditë më vonë me Rumaninë, derisa pas ndeshjes me rumunët do të niset për në Gjevgjeli për t’u përballur me Maqedoninë më 2 dhjetor.

Emër i ri në Përfaqësuesen e Kosovës është basketbollisti i natyralizuar, amerikani Malcolm Arsmtead, i cili luan në pozitën e plejmejkerit dhe i cili pritet ta ndihmojë dukshëm ekipin e Kosovës në këto ndeshje mjaft të rëndësishme.

Armstead, 29-vjeçar (1.83m) aktualisht është lojtar i skuadrës Büyükçekmece, anëtare e Superligës së Turqisë. Ai më parë ka luajtur edhe për Krka (Slloveni), Avtodor Saratov (Rusi), AEK Athens (Greqi), Istanbul BB (Turqi), Yeëilgiresun Belediye (Turqi), Neptënas (Lituani) dhe Rethymno Cretan Kings (Greqi). /Zëri/

Lista e Kosovës:

1. Dardan Berisha

2. Fisnik Rugova

3. Lis Shoshi

4. Gëzim Morina

5. Meriton Ismaili

6. Ergin Grosha

7. Leonard Mekaj

8. Valon Bunjaku

9. Andi Shehu

10. Rron Ukaj

11. Altin Morina

12. Mikaile Tmusic

13. Muhamedali Janjeva

14. Malcolm Armstead