Katastrofal te Swansea, “i rilindur” te Bayerni

Sport November 20, 2018 - 16:28
Detajet

Renato Sanches është duke e ndërtuar karrierën e tij te Bayern Munichu dhe është duke treguar se është një talent i madh. Pas një edicioni katastrofal të kaluar te Swansea, reprezentuesi portugez e ka marrë veten dhe është duke treguar paraqitje të mira me klubin gjerman, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Në shtator të vitit 2017, në “London Stadium” Reanto Sanchez ishte rrëzuar nga Cheikhou Kouyate afër zonës së West Hamit dhe ishte vendosur që të gjuante gjuajtjen e lirë. Ai u thotë bashkëlojtarëve të tij te Swansea se do të gjuajë në këndin e epërm të portës. Por pas gjuajtjes së tij topi ishte më afër këndit të epërm të stadiumit sesa të portës.

Në korrik të vitit 2018 në “Worthersee Stadion”, Bayern Munichu fitoi një gjuajtje në anën e djathtë të fushës së lirë 22 metra larg portës. Çdo lojtar i Paris Saint-Germainin priste një harkim në zonë nga Sanches. Por Sanches vendos të bëjë një gjuajtje të bukur, e cila përfundon në rrjetë afër shtyllës së parë. Rafinha i kërceu në shpinë Sanchesit për të festuar, derisa u bashkuan edhe bashkëlojtarët e tij te Bayern Munichu.

Çfarë dallimi në një hark kohor prej 10 muajsh. I brishtë te Swansea, Sanches tani duket si “i rilindur” te Bayerni, me një buzëqeshje në fytyrën e tij dhe një dinamizëm në këmbët e tij pas një edicioni të zhgënjyer në Angli që do të mbahet mend gjithmonë për pasim katastrofal të tij drejt reklamave anësore në një ndeshje të Carabao Cup. 

Imazhi i këtij sezoni dukej premtues për lojtarin. Pas mbetjes jashtë listës së Portugalisë për Botëror, Sanches ishte në bankën rezervë të ekipit të Fernando Santosit në barazimin 0:0 me Italinë, që ia siguroi kampionit aktual evropian kalimin e fazës së grupeve të Ligës së Kombeve. Ai tashmë ka bërë 11 paraqitje për gjigandin bavarez këtë edicion, duke përfshirë dy në Ligën e Kampionëve, ku shënoi një gol shumë të bukur ndaj Benficas.

Edhe pse lëndimet e lojtarëve kyçë kanë ndihmuar në çështjen e Sanchesit, sidomos mungesa e gjatë e Corentin Tolissos, në Bayern ndihet edhe mënyra e qasjes së Sanchesit në parapërgatitjet për sezonin e ri dhe paraqitjet që ka bërë që prej asaj kohe.

Kundër Augsburgut në shtator Sanches luajti për herë të parë titullar për Bayernin në plot 18 muaj, duke bërë pesë gjuajtje dhe një saktësi të pasimeve prej 97,3%.

“Një paraqitje e papërmbajtshme”, kishte deklaruar Mats Hummels.

Njerëzit e afërt të Sanchesit besojnë se trajneri i Bayernit, Niko Kovas, ka pasur po aq ndikim tek ai sa çdokush tjetër. “Renato ka nevojë për përkushtim. Ai duhet të ndihet si pjesë e diçkaje dhe të dijë se e ka dikë që e përkrah – një kritikues konstruktiv që di sesi të flasë me të. Renato ka shumë vetëbesim, por ai thjesht duhet të jetë i rrethuar me pozitivitet dhe trajneri i ri i Bayernit e ka bërë këtë qysh prej ditës së parë. Kovac tha se ai llogarit në të dhe se e donte atë”, shprehet Helder Cristovao, i cili kishte stërvitur Sanchesin në ekipin e rezervave të Benficas dhe ende ka kontakt me të.

Edhe Swansea llogariste në Sanchesin gjithashtu, por huazimi i tij njëvjeçar doli të jetë një katastrofë për të dyja palët dhe në fund të edicionit Carlos Carvalhal, i cili në atëkohë ishte trajner i ekipit, i bëri thirrje bashkëkombësit të tij që të kthehej në shtëpi. “Dikush më tha që ai mund të shkojë te Benfica dhe nëse ai mundet është hapi më i mirë për të. Renato ka një talent të madh, por ai ndaloi së mësuari kur u largua nga Benfica”, kishte thënë Carvalhal.

Është e vështirë të kundërshtohet ideja që lëvizja e tij drejt Bayernit në maj të vitit 2016 ishte shumë e shpejtë. Sanches si 18-vjeçar kishte luajtur vetëm një edicion në futbollin senior. Sidoqoftë, Benfica nuk do të refuzonte kurrë një ofertë prej 35 milionë eurosh për një adoleshent që i kishte kushtuar vetëm 750 euro plus 25 topa të futbollit, kur kishin nënshkruar me të nga klubi i tij lokal, Aguias.

Nga këndvështrimi i Bayernit fillimisht u duk sikur paratë ishin shpenzuar mirë. Dy muaj pas zyrtarizmit të transferimit Portugalia triumfoi në Kampionatin Evropian dhe Sanches u zgjodh si lojtari i ri më i mirë i kompeticionit. Ajo që askush nuk mund ta imagjinonte ishte se Sanches do të luante te Swansea pas vetëm 12 muajsh.

Paul Clement, i cili ishte trajner i Swanseas dhe kishte punuar në Bayern si asistent i Carlo Ancetlottit ishte ai që ndikoi më së shumti në këtë marrëveshje që dukej si një ujdi e madhe për klubin uellsian. Por realiteti ishte më ndryshe dhe shpejt u bë e qartë se Sanches ishte frikësuar nga sezoni i tij i parë te Bayerni kur sipas Cristovaos ai filloi të kishte dyshime të vetvetja dhe donte largimin.

Clement shpresonte që Sanches do të përmirësohej nëse do të luante, por e pranoi pas shkarkimit nga klubi se lojtari ishte më i brishtë sesa kishte menduar. Bashkëlojtarët ishin mahnitur nga disa prej gjërave që ata kishin parë në stërvitje, por pika e kthesës erdhi ndaj Chelseat. Në shtatë prej 22 pasimeve që kishte bërë Sanches në pjesën e parë, portugezi kishte dështuar që të gjejë një lojtar të Swanseas, duke përfshirë një top që kishte përfunduar në reklamat anësore. Një tjetër pasim i Sanchesit, thellë në gjysmëfushën e ekipit të tij dhe me Martin Olssonin, bashkëlojtarin e tij vetëm 4.5 metra larg, e liroi Pedron në anën e djathtë të Chelseat. Sanches u kthye me fytyrë nga turma e tifozëve dhe çoi duart përpjetë. Ai ishte në gjendje dëshpëruese dhe ishte e vështirë për ta parë në atë gjendje.

Clement ndjeu se nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse ta linte Sanchesin jashtë formacionit dhe brenda dhomave të zhveshjeve thuhej se me këtë gjest lojtari u indinjua edhe më shumë, duke qenë në dijeni se lojtari është duke kaluar nëpër një kohë të vështirë, por gjithashtu duke shprehur se ai ishte një talent i madh.

I lënë jashtë për ndeshjen pasuese, Sanches luajti si titullar në vetëm edhe dy ndeshje të tjera në ligë për Swansean para se të lëndohej në një ndeshje të FA Cup në janar, duke bërë paraqitjen e tij të 15-të dhe të fundit për klubin. Ai kurrë nuk shënoi apo asistoi për Swansean, dështoi që të gjejë një goditje në trakun e portës në Premierligë dhe mesatarja e pasimeve të tij ishte në vendin e gjashtë nga tetë mesfushorë qendrorë.

Këto statistika e bëjnë të veten, por është shumë e thjeshtë që fajtori t’i lihet vetëm lojtarit. Duke e parë gjendjen Swansea dhe Sanches nuk ishte përshtatja me e mirë për njëri-tjetrin. Në aspektin futbollistik, Sanches ishte në rehabilitim dhe kishte nevojë që të shkonte në një klub ku vetëbesimi i tij do të rritjet ngadalë dhe ku paraqitjet e tij nuk do të ishin vendimtare për skuadrën. Swansea, që e kishte humbur plotësisht rrugëtimin pas afërsisë me zonën e fundit të tabelës në edicionet e parakaluara, nuk do të mundë të bëhej kurrë ai klub.

Këndvështrimi i Cristovaos është se Bayerni e dëshironte Sanchesin në një vend të sigurt, larg nga gjithçka, por në fakt problemet vetëm sa u rritën në Munichun duke e dërguar lojtarin në një ligë të re në një shtet tjetër, ku lojtari i cili kishte lëvizur vetëm nga lagja në lagje për të shkuar në akademinë e Benficas u bë më i izoluar.

Swansea e dha më të mirën për të ndihmuar ambientimin e Sanchesit dhe nuk kishte probleme jashtë fushës, por përshtypjet e klubit për të ishin se ai nuk e dinte se çfarë po bënte aty.

Duke shikuar prapa duket sikur Sanches ka humbur dy vjet të karrierës së tij, diçka për të cilën presidenti i Bayern Muincihut, Karl-Heinz Rummenigge, beson se ka të bëjë me çmimin “Djaloshi i Artë”, që lojtari e kishte fituar në “Euro 2016”. Se a pati ndikim negativ ose jo, lojtari e festoi ditëlindjen e tij të 21-të vetëm në gusht të këtij viti dhe mundësitë që ai të kthehej nga koha e humbur ekzistojnë dhe Sanches kohë pas kohe është duke treguar këtë gjë./Zëri