Probleme për Panuccin, i dëmtohen edhe dy futbollistë tjerë para sfidës me Uellsin

Sport November 20, 2018 - 15:51
Detajet

Trajneri Christian Panucci ka gjetur justifikimin përfekt në krye të kombëtares shqiptare. Numri një i stolit është prekur nga dëmtimet e lojtarëve dhe ka patur shumë mungesa.

Së fundmi, Federata Shqiptare e Futbollit ka shpërndarë informacionin se Rey Manaj ka lënë grumbullimin. Sulmuesi lushnjar nuk do të jetë me Shqipërinë në ndeshjen ndaj Uellsit, pasi do të kthehet në Spanjë. Mungesa e tij arsyetohet me një gjendje gripale.

I riu luajti në formacion në sfidën kundër Skocisë, por nuk paraqiti shumë, i kushtëzuar dhe nga situatat e krijuara në fushë. Nga krahu tjetër, probleme ka dhe mesfushori Taulant Xhaka. 

Ky i fundit ka një dëmtim të mbartur nga ndeshja me ishullorët dhe me shumë mundësi nuk do të luajë. Në konferencën e së hënës për shtyp, tekniku Panucci u shpreh se kishte shumë pak lojtarë në dispozicion, thuajse 16. 

Në fakt, momentalisht në grumbullimin e Shqipërisë janë 21 futbollistë sipas zyrës së shtypit të Federatës Shqiptare të Futbollit./Telesport/