Viti i xhudos!

Sport November 20, 2018 - 14:39
Image

Viti 2018 i ka takuar definitivisht xhudos kosovar, shkruan sot gazeta Zëri.

Ky sport luftarak ka qenë mjaft i suksesshëm gjatë vitit që po përfundon duke i sjell vendit medalje të shumta ndërkombëtare.

Fundjavën që shkoi, Akil Gjakova e fitoi medaljen e argjendtë dhe Distria Krasniqi atë të bronztë në “Grand Prix” të Hagës, duke e kompletuar një vit jashtëzakonisht të suksesshëm edhe pse ka mbetur edhe një garë për t’u zhvilluar deri në fund të vitit, ajo e “Masters”, që do të mbahet në Kinë.

Trajneri Driton Kuka ndihet krenar dhe i lumtur me punën që e kanë bërë garuesit e tij, e cila është shpërblyer thuajse në çdo eveniment.

Trajneri i suksesshëm i ka përmendur në detaje sukseset e garuesve të tij, të cilët edhe këtë vit ia zbardhën fytyrën Kosovës.

Xhudoja edhe këtë vit ishte larg për nga suksesi me sportet tjera edhe pse në pjesën më të madhe të vitit mungoi sportistja më e mirë e Kosovës, Majlinda Kelmendi.

“’Grand Prix Haga’ mori fund! Dy medalje, një e argjendtë dhe një e bronztë, një garues pa plasman! Deri në fund të vitit do ta kemi edhe një garë ‘Masters’ në Kinë, ku do marrin pjesë Distria, Akili dhe Nora! Do t’i kursej Majlindën dhe Lorianën”, ka shkruar trajneri pejan në llogarinë e tij në “Facebook”.

“’Grand Prix’ në Hagë përfundoi me dy medalje dhe Loriana mbeti pa medalje. Loriana pas dy të artave dy javë me radhë realisht e ka pas kohën të pushojë, por ajo sivjet i ka tejkaluar pritjet e mia që i kisha në fillim të vitit prej saj!”, ka shtuar ai.

“Sivjet në Kampionate Evropiane i kemi fituar 6 medalje, kurse në Kupa Botërore, ‘Grand Slam’ dhe ‘Grand Prix’ më shumë se kurdoherë më parë”, nënvizoi Kuka.

Tituj kampionë evropianë sivjet fituan: Nora Gjakova kampione në kategorinë 57 kilogramë për të rritura; Akil Gjakova U-23 deri 73 kg; Loriana Kuka 78 U-23 deri 78 kg dhe Erza Muminoviq U-18 deri 44 kg.

Kurse, nënkampionë evropianë ishin: Distria Krasniqi 52 kg për të rritura e Shpat Zekaj U-21 deri 100 kg.

Dhe, jo vetëm kaq pasi sukseset e xhudos këtë vit kalendarik nuk kishin të ndalur.

“Medalje në Lojërat Mesdhetare kishim 3 të arta dhe një të argjendtë. Gjithashtu, një medalje të bronztë në Lojërat Olimpike për të rinj e fituar nga Erza”, ka nënvizuar Kuka, i cili e përmendi edhe rikthimin e furishëm të Majlinda Kelmendit në pjesën e dytë të vitit, por edhe për suksesin ekipor të këtij viti.

“Rikthimi i kampiones olimpike ishte triumfal, sivjet si asnjë vit më parë kemi funksionuar si ekip dhe si ekip asnjëherë s’kemi pasur medalje e suksese më shumë! Momentalisht i kemi 5 Norma Olimpike! Shkurt e shqip po ma shpaguani krejt mundin e punën me ju”, ka përfunduar Kuka. /Zëri/