'Finale' për t’u fituar

Sport November 20, 2018 - 14:30
Image

Përfaqësuesja e Kosovës do ta përdorë sonte krejt “arsenalin” e saj për ta fituar ndeshjen më të rëndësishme deri tash në Ligën e Kombeve. “Dardanët” do ta luajnë sonte “finalen” e grupit me Azerbajxhanin, ndaj të cilit kërkojnë fitore për ta mbyllur si liderë Grupin 3, Liga D. Trajneri Bernard Challandes dhe mesfushori Valon Berisha kanë respekt të madh për kundërshtarin, por besojnë në potencialin e Verdhekaltërve dhe shprehen optimistë për festë dhe spektakël sonte në “Fadil Vokrri”

Përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë sonte ndeshjen më të rëndësishme deri tash në Ligën e Kombeve, shkruan sot gazeta Zëri.

“Dardanët” do ta presin Azerbajxhanin në ndeshjen që po konsiderohet si një “finale”, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të këtij kompeticioni.

Kosova momentalisht prin në Grupin 3, Liga D me 11 pikë, dy më shumë se Azerbajxhani, me të cilin sonte do t’i matin forcat në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:45.

Skuadrat kishin barazuar në ndeshjen e parë në Baku pa gola, 0:0, ndërsa tash Verdhekaltërve iu konvenon edhe barazimi, krahas fitores për të përfunduar si liderë të grupit. Nga ana tjetër, Azerbajxhanit i nevojitet fitorja për ta mbyllur grupin si i pari.

Challandes: Gjasat për fitore janë 50 me 50

Trajneri Bernard Challandes nuk e ka fshehur dëshirën për ta fituar ndeshjen e së martës, por është treguar modest duke e favorizuar Azerbajxhanin për ta fituar grupin, ndërsa për ndeshjen e sontme beson se të dyja skuadrat kanë gjasa të njëjta.

“Do ta kemi një lojë të mirë dhe e dimë se është rrethi i fundit dhe gjasat për fitore janë 50 me 50 për qind. Në Azerbajxhan kemi luajtur baras. Skuadra e Azerbajxhanit është e fortë dhe e mirë, prandaj edhe gjasat janë të barabarta. Azerbajxhani është favorit pasi që ka shumë më shumë përvojë se sa ne, por ne hyjmë për fitore dhe jam i bindur se me përkrahjen e tifozëve tanë të zjarrtë do t’ia arrijmë këtij qëllimi. Nuk do ta ndërrojmë filozofinë e lojës. Nesër (sonte) duhet edhe të rrezikojmë. Edhe nëse humbasim do ta vazhdojmë jetën, por e ritheksoj, unë besoj në fitore”, ka theksuar Challandes në konferencë për shtyp.

Berisha: Ndeshje e rëndësishme, besojmë në fitore

Në konferencë për shtyp të hënën prezent ishte edhe Valon Berisha.

Mesfushori kosovar po ashtu ka thënë se Azerbajxhani është favorit në këtë ndeshje për shkak të përvojës, por sipas tij fitorja ndaj Maltës i ka dhënë më shumë motiv ekipit kosovar, i cili synon të dalë mirë edhe nga përballja e sontme.

“Ajo ndaj Maltës ishte një fitore tejet domethënëse, por jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes së nesërme (sontme) dhe ne po besojmë në fitore. Mendoj se edhe pse barazimi na kryen punë, ne si futbollistë dhe si ekip nuk duhet të mendojmë për barazim, por duhet të shkojmë për fitore. Në fillim të kësaj gare Azerbajxhani është llogaritur favorit i grupit dhe edhe tash për shkak të përvojës mund të llogaritet i tillë, por ne jemi liderë dhe fitorja ndaj Maltës na ka dhënë kurajë. Luajmë para tifozëve tanë dhe hyjmë për fitore”, ka theksuar Berisha.

Kosova nuk ka pësuar ende humbje në grupin saj duke i regjistruar 3 fitore e 2 barazime për të prirë me 11 pikë.

Synim i ekipit të Challandes është që ta mbyllë këtë kampanjë fantastike pa humbje dhe festa të vazhdojë sonte me tifozët besnikë “Dardanët” dhe qytetarët e Kosovës deri në orët e vona të mbrëmjes.

Liga e Kombeve

Grupi 3 – Liga D

E martë

20:45 Kosova – Azerbajxhani

20:45 Malta – Ishujt Faro