Azerbajxhani i do veç tri pikë sonte në Prishtinë

Sport November 20, 2018 - 14:28

Përfaqësuesja e Azerbajxhanit është shprehur mjaft ambicioze para ndeshjes së sontme ndaj Kosovës, e vlefshme për Grupin 3, Liga D në Ligën e Kombeve.

Azerbajxhani ka 9 pikë në tabelë, dy më pak se Kosova, prandaj fitorja këtij ekipi i duhet të martën mbrëma sikur “buka”, shkruan sot gazeta Zëri.

Të vetëdijshëm për këtë, kundërshtari i Verdhekaltërve do t’i hyjë ndeshjes së sontme “all-in”, duke i përdorur të gjitha forcat për të ardhur deri tek fitorja, ndërkohë që nuk po mendon shumë për golat që mund t’i pësojë.

Trajneri Gurban Gurbanov ka thënë se ekipi i tij do të luajë sonte ndaj “Dardanëve” duke menduar vetëm për fitore, edhe pse ka shtuar se gjasat për të dyja ekipet janë të barabarta për ta fituar këtë takim.

“Kosova ka dy pikë më shumë se ne, por ne jemi kombëtare e mirë dhe duam ta tregojmë një ndeshje të mirë”, ka thënë trajneri i mysafirëve në konferencën për shtyp që u mbajt të hënën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërkohë që më pas Azerbajxhani e zhvilloi edhe një seancë të lehtë stërvitore.

“Kosova e ka mbrojtjen shumë të mirë, por fitorja do të jetë opsioni jonë i vetëm. Lojtarët e Azerbajxhanit janë të lodhur pasi i kishim vetëm dy ditë pushim, mirëpo edhe lojtarët e Kosovës janë të lodhur pas ndeshjes me Maltën, andaj shanset në ndeshje do të jenë 50-50”, përfunduar Gurbanov.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Azerbajxhanit do të zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë duke filluar nga ora 20:45.

Skuadra më e suksesshme nga ky takim do të kalojë në fazën e “Play-Offit” në Ligën e Kombeve me ç’rast do ta kërkojë kualifikimin direkt në Evropianin 2020 përmes gjysmëfinales dhe finales së Ligës D. /Zëri/