Ja çfarë thotë Challandes para sfidës me Azerbajxhanin

Sport November 19, 2018 - 17:32
Detajet

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes ka dalë sot në një konferencë për shtyp para sfidës së nesërme ndaj Azerbajxhanit, raporton zeri.info

Ndeshja ndaj Azerbajxhanit është e fundit në fazën e grupeve për Kosovën, që i mjafton vetëm një barazim për të kaluar në gjysmëfinale të Ligës D të Ligës së Kombeve.

Challandes u shpreh se ai kurrë nuk e ndryshon strategjinë e lojës dhe mendon se pa luftuar dhe pa rrezikuar nuk mund të arrihet fitorja.

“Jo. Unë kurrë nuk e ndryshoj strategjinë e lojës sepse futbolli ndonjëherë nuk është logjik. Por, në fund mendoj se nëse ne luajmë dhe rrezikojmë, nëse luftojmë, nëse luajmë futboll të mirë e kemi shansin më të mirë për të fituar. Edhe nëse humbi jeta vazhdon, por unë mendoj se do të fitojmë”, tha Challandes.  

“Nëse humbim unë do të jem përgjegjës për humbjen”, shtoi zvicerani.  

Challandes u pyet edhe se pse mendon që Azerbajxhani ka qenë favoriti i grupit.

“Për mendimin tim, renditja në FIFA. Gjithashtu eksperienca e shumë garave. Ne jemi vetëm në kampanjën e dytë si ekipi i Kosovës. Ne do të mundohemi të fitojmë, por Azerbajxhani është favorit”, u shpreh ai./Zëri