Dëshiron të mbetet mbret i Evropës

Sport November 17, 2018 - 15:49
Detajet

Haxhi Krasniqi do të luftojë sonte për ta mbrojtur titullin e kampionit të Evropës në boksin profesionist. Boksieri kosovar do ta ketë përballë sfiduesin Ronny Landaeta, në meçin që do të zhvillohet pas orës 22:00, shkruan sot gazeta “Zëri”.

 Spanjolli pranoi së fundmi të rrihet me boksierin junikas pasi kundërshtari i deridjeshëm Stefan Hartel u tërhoq pak ditë para meçit të 17 nëntorit. Krasniqi e vlerëson lart kundërshtarin e sotëm, por beson se do ta mbrojë brezin e artë.

“Kam respekt për kundërshtarin, të cilin nuk do ta nënvlerësoj assesi. Ai do të jetë ndryshe në ring, është i qetë dhe i përgatitur mirë. E shoh që ka besim dhe që beson në vetvete”, ka thënë Krasniqi, i cili ndihet i lumtur që e gjeti menjëherë kundërshtarin e ri.

“Kam respekt për promotorin tim që e gjeti menjëherë kundërshtarin e ri. Më vjen mirë që ekipi i Ronny Landaeta e pranoi shpejt ofertën. Në të kundërtën, përgatitjet e mia do t’i merrte lumi”, ka shtuar boksieri junikas, i cili është përgatitur për këtë meç në tre muajt e fundit, pasi paraprakisht e fitoi titullin në qershor të këtij viti. /ZËRI