Ja gjashtë fajtorët për formën e dobët të Unitedit

Sport November 16, 2018 - 15:03
Detajet

Manchester Unitedi e ka pasur një fillim të edicionit jashtë standardeve këtë vit. Ekipi i Jose Mourinhos zë vendin e tetë në Premierligë dhe ka mbetur larg rivalëve të tij. Humbja ndaj Manchester Cityt ishte e katërta për “Djajtë e Kuq” në 12 ndeshje në Premierligë. Derisa Mourinho i ka marrë kritikat më të shumta, duhet të fajësohen edhe disa prej yjeve të ekipit. Romelu Lukaku, Eric Bailly dhe Nemanja Matic janë në mesin e atyre që nuk janë duke u paraqitur më së miri, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Humbja e fundit e Manchester Unitedit në “Etihad” në derbin lokal ndaj Manchester Cityt e ktheu mjaft shpejt me këmbë në tokë ekipin e Jose Mourinhos pas atyre fitoreve ndaj Juventusit, Bournemouthit dhe Evertonit, të cilat e kishin ngritur moralin në “Old Trafford”.

Kjo ishte humbja e katërt e “Djajve të Kuq” nga 12 ndeshjet e para në Premierligë, gjë që ndodh për herë të parë pas 28 vjetëve, ndërsa gjithashtu edhe rekordi negativ i golaverazhit nuk ndodh që prej vitit 1977.

Pjesa më e madhe e fajit i është lënë Mourinhos, taktikave të tij dhe mënyra sesi i shfrytëzon ai lojtarët në dispozicion, por lojtarët më të paguar te Manchester Unitedi gjithashtu e bartin përgjegjësinë e tyre për këtë fillim të dobët. E përditshmja angleze “Daily Mail” sjell disa prej lojtarëve të gjigandit anglez që kanë zhgënjyer me paraqitjet e tyre të dobëta.

Alexis Sanchez

Mourinho kishte deklaruar që nuk do ta shihnim më të mirën nga Sanchezi deri në këtë edicion pas transferimit të kilianit në janar, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Duke parë kilianin që hyri nga banka rezervë për një tjetër paraqitje joefektive në “Etihad” të dielën, ishte shumë e vështirë të besohej se City kishte luftuar aq shumë për të siguruar shërbimet e sulmuesit kur Unitedi u pajtua që të paguajë një pagë javore prej 500.000 funtesh. Sanchez nuk e ka humbur talentin që e bëri atë një lojtar të madh te Arsenali, kishte shkëndija të tij në fitoren ndaj Juventusit në Torino javën e kaluar, por ai nuk ka prodhuar mjaftueshëm për të justifikuar përpjekjet që bëri gjigandi anglez për ta transferuar në “Old Trafford”.

Fred

Një tjetër lojtar për të cilin dy klubet e Mançesterit luftuan për transferimin e tij ka zhgënjyer pas transferimit te Unitedi. Braziliani kushtoi 52 milionë funte kur u largua nga Shakhtar Donetsku në verë, por ka bërë pak për ta arsyetuar vlerën e tij në këtë treg të çmendur të ditëve të sotme. 25-vjeçari ka bërë vetëm nëntë paraqitje dhe shtatë ndeshje si titullar në të gjitha kompeticionet, duke vuajtur që të gjejë formën më të mirë përkrah Paul Pogbas dhe Nemanja Maticit. Kur Mourinhos iu nevojit një zëvendësues për Pogban, i cili ishte lënduar për ndeshjen ndaj Cityt, portugezi e zgjodhi Fellainin, i cili nuk ishte në formë optimale dhe e la Fredin në bankën rezervë.

Romelu Lukaku

Belgu shënoi 27 gola në të gjitha kompeticionet në edicionin e kaluar pas transferimit prej 75 milionë funtesh nga Evertoni, por shkëlqimi i tij është zbehur prej asaj kohe. Lukaku ka dështuar të gjejë rrjetën në 10 paraqitje që prejse e filloi edicionin me katër gola në pesë ndeshjet e para. Ai hyri nga banka rezervë për ta fituan një penallti në derbi, derisa Anthony Martial e konkretizoi në gol, por ish-sulmuesi i Evertonit duket se e ka humbur vetëbesimin para portës. Disa mund të thonë se i fuqishmi, i lëvizshmi Lukaku kurrë nuk do të jetë sulmues i nivelit të lartë, që i duhet Unitedit për të garuar në nivelet më të lartë të këtij sporti.

Nemanja Matic

Mesfushori i solli një lloj stabiliteti mesfushës së Unitedit së bashku me Pogban në edicionin e kaluar, pasi ishte transferuar për 40 milionë funte nga Chelsea për t’u ribashkuar me Mourinhon. Matic ishte një titullar i rregullt dhe ishte një formacion të Unitedit në 35 prej 38 ndeshjeve. Sidoqoftë, forma e tij ka rënë këtë edicion dhe nuk është befasi që të shohësh raportimet e disa bashkëlojtarëve që janë të befasuar nga besnikëria e treguar nga Mourinho këtë edicion për të mos e lënë në bankën rezervë 30-vjeçarin. Dështimi i tij për të markuar Ilkay Gundoganin para se ai të shënonte golin e tretë të Cityt në “Etihad” tregon më së miri rënien në formë të Maticit.

Marcus Rashford

Mourinho e kupton rëndësinë e të mbajturit një lojtar të akademisë në skuadrën e Unitedit dhe në këtë kuptim Rashfordi është kthyer në një lloj dileme për trajnerin. Një sulmues i ri që nuk e meriton gjithmonë kohën që i jepet. Nuk ka dyshime për aftësitë e Rashfordit, por ai duket se ka ngecur nën drejtimin e Mourinhos. Ai duket i palumtur në rolin e sulmuesit të krahut dhe vuan që të ketë ndikim në lojë kur luan në qendër, siç ndodhi në “Etihad”. Derisa Rashfordi ka shpërthyer për Anglinë, duk realizuar tre gola në katër takime për përfaqësuesen e tij, paraqitjet e tij për Unitedin kanë qenë më pak efektive. Goli në minutat e fundit në fitoren ndaj Bournemouthit ishte një rast i rrallë për t’u vlerësuar, përndryshe sezoni i tij ka qenë zhgënjyes deri më tani.

Eric Bailly

Zhdukja e Eric Baillyt do të mbetet si njëra prej mistereve më intriguese të kohës së Mourinhos në “Old Trafford”. Për shumë kohë figura e luftëtarit që kërkonte Mourinho në mbrojtje, sikur John Terry, Marco Materazzi dhe Pepe, Bailly ka rënë në formë dhe praktikisht ka mbetur jashtë vëmendjes në “Old Trafford”. Është raportuar që mbrojtësi e kishte zemëruar trajnerin e tij kur ishte tërhequr në humbjen në shtëpi ndaj West Bromwichit në prill për shkak të një sëmundjeje dhe më pas kishte qenë i shëndoshë në stërvitje. Ai shkurtazi e rifitoi vendin e tij në formacion këtë edicion, por ishte zëvendësuar pas vetëm 19 minutave ndaj Newcastlet në muajin e kaluar, kur Unitedi ishte në disavantazh të dy golave. Legjenda e Unitedit, Rio Ferdinand, kishte parashikuar se ai ishte fundi për karrierën e Bailly te Unitedi dhe duket se ka pasur të drejtë./Zëri