Futbollisti brazilian i fiton 400 mijë euro në javë, ja si i shpenzon ato

Sport November 15, 2018 - 16:41
Detajet

Paratë nuk mund ta blejnë lumturinë, por futbollisti brazilian, Hulk, e ka zbuluar se mjaftueshëm para mund ta blejnë një aeroplan privat të personalizuar.

Hulk është duke luajtur për momentin në Super Ligën Kineze, pas transferimit të tij në Shanghai SIPG nga Zenit St Petersburg, për 50 milionë euro. Në klubin e tij të ri, ai i fiton 400 mijë euro në javë, transmeton Gazeta Express.

32-vjeçari i ka shpenzuar disa nga paratë e tij për ta blerë një aeroplan privat, i stiluar me ngjyrë të zezë, argjendtë dhe të artë. Në muret anësore të këtij aeroplani shihet nënshkrimi dhe portretet e futbollistit, siç shihet në fotot e postuara në llogarinë e tij në Instagram.

“Ëndërroni, jetoni dhe falënderoni çdo ditë #Pushime”, shkruan Hulk në Instagram.

Braziliani është duke e shijuar pushimin e tij pasi që arriti të triumfonte në sezonin e tij të parë në Super Ligën Kineze. Fitorja me rezultat 2-1 kundër Beijing Renhe ia siguroi skuadrës së tij titullin e kësaj lige.

Hulku arriti t’i shënojë 13 gola dhe t’i bëjë 12 asiste në 25 ndeshjet e këtij sezoni me klubin e tij të ri. Paga e tij prej 400 mijë eurove në javë e bën atë një ndër lojtarët më të paguar në botë dhe ai përfiton edhe nga përqindja e ulët që paguhet për taksa në Kinë.