Shpresë dhe frikë!

Sport November 15, 2018 - 11:54
Image

Donjeta Sadiku nuk është pajisur ende me vizë nga India edhe pse Kampionati Botëror i Boksit për Seniore fillon sot. Rasti i boksieres kosovare është bërë lajm botëror, organizatat më të mëdha sportive dhe Ministria e Sportit e Indisë po bëjnë presion në qeverinë indiane që t’ia lëshojë vizën Donjetës së bashku me trajnerin e saj Besim Brahimin dhe gjyqtarit Latif Demollit. Në rast se India nuk lëshon pe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar pritet t’ia mohojë asaj organizimin e evenimenteve të ndryshme sportive në të ardhmen

Donjeta Sadiku është duke i numëruar sekondat dhe minutat para fillimit të Kampionatit Botëror të Boksit për Seniore, shkruan sot gazeta Zëri

Boksierja kosovare po has në probleme për t’u pajisur me vizë së bashku me trajnerin e saj Besim Brahimin dhe gjyqtarin ndërkombëtar Latif Demollin.

Ekipi kosovar nuk ka marrë ende përgjigje nga Ambasada e Indisë në Sofje të Bullgarisë dhe tash, kur Botërori fillon sot, më 15 nëntor, boksierja më e mirë e vendit po shpreson në ndonjë mrekulli.

Rasti i Donjetës është bërë lajm ndërkombëtar. India nuk e njeh Kosovën si shtet, por Komiteti Olimpik i Indisë (IOA) të mërkurën i ka kërkuar Ministrisë së Sportit të këtij vendi që menjëherë ta zgjidhë rastin kontrovers me boksieren kosovare.

Në një letër të fuqishme të drejtuar në Ministrinë e Sportit presidenti i IOA-së, Narinder Batra, ka thënë se mospjesëmarrja e Donjeta Sadikut në Botërorin e Boksit mund t’i kushtojë Indisë me heqje të së drejtës për organizimin e eventeve të mëdha nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

“Kërkojmë që të ndërmerret një veprim i menjëhershëm nga autoritetet indiane për ta bërë të qartë që sportistja dhe delegacioni i Kosovës të lejohet të marrë pjesë në Kampionat Botëror dhe të trajtohet në kushte të njëjta si krejt pjesëmarrësit tjerë pa kurrfarë diskriminimi dhe në përputhje me vlerat dhe principet me të cilat thirret Lëvizja Olimpike. Politika duhet të qëndrojë e ndarë nga sporti”, ka thënë Batra në letrën e tij.

“Në rast se kjo nuk ndodh situata do të ndërlikohet për ne, pasi organizatat e sportit ndërkombëtar do ta nisin një aksion, i cili do t’ia pamundësojë Indisë organizimin e evenimenteve më të rëndësishme sportive derisa kjo çështje të zgjidhet”, ka shtuar ai.

Shefi i IOA-s, i cili njëherësh është edhe president i Federatës Ndërkombëtare të Hokejit, thotë se mospajisja me vizë e boksieres së vetme kosovare do të ishte veprim i padrejtë dhe i ligë nga ana e shtetit organizator të Botërorit.

Ministria e Sportit të Indisë ia gjuan topin Ministrisë së Punëve të Jashtme

Nga ana tjetër, në Ministrinë e Sportit të Indisë thonë se po ashtu kanë intervenuar dhe po presin përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë (MEA).

“Ne i kemi dërguar dokumentet e nevojshme në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe kemi kërkuar nga ta që ta marrin një vendim për këtë. Ne nuk e kemi parë ndonjë letër zyrtare nga IOC-ja, por ekziston një kërkesë nga IOA-ja, të cilën e kemi konsideruar dhe e kemi njoftuar MEA-në për këtë. Tash topi është te Ministria e Punëve të Jashtme”, deklaroi sekretari i Ministrisë së Sportit, Rahul Bhatnagar.

Donjeta Sadiku ka pasaportë shqiptare, krahas asaj të Kosovës, andaj ajo së bashku me trajnerin Brahimi dhe gjyqtarin Demolli nuk e kuptojnë se përse po hasin në vështirësi për t’u pajisur me viza të Indisë. Shpresat janë duke u zbehur gjithnjë, por dita e sotme mund të jetë vendimtare.

India mund t’ia shohë sherrin Kosovës

Së fundmi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ua ka dërguar një letër të gjitha federatave ndërkombëtare që të mos ia dhurojnë Spanjës organizimin e evenimenteve të mëdha sportive, pasi sportistët e Kosovës nuk janë lejuar të marrin pjesë me flamurin e tyre në Kampionatin Botëror të Karatesë, që u mbajt në Madrid.

Në letër ndër të tjera Batra ka sqaruar se kanë qenë raste të shumta në të kaluarën kur organizatorët ose mikpritësit e evenimenteve sportive ua kanë lejuar pjesëmarrjen sportistëve të ndryshëm pa marrë parasysh problemet politike.

Zyrtarët e IOA-së po ashtu kanë sqaruar se Kosova ka marrë pjesë në olimpiadën “Rio 2016” pavarësisht fakti se Brazili nuk e njeh ende Kosovën si shtet.

Donjeta Sadiku nuk ishte lejuar të merrte pjesë as në Kampionatin Botëror për të Rinj, i cili ishte mbajtur në Guwahati të Indisë fundvitin e kaluar.

IOA-ja planifikon të kandidojë për t’i organizuar Lojërat Olimpike për të Rinj në vitin 2026, në garën që do të mbahet në fillim të vitit 2020.

Por, Komiteti Olimpik i Indisë frikësohet se rasti i Kosovës mund t’i kushtojë me largim nga gara. /Zëri/