Nisen trimat për Maltë, i duan tri pikë!

Sport November 15, 2018 - 11:50
Image

Përfaqësuesja e Kosovës e ka zhvilluar mbrëmë stërvitjen e fundit në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, para nisjes së sotme paradite drejt Maltës.

Verdhekaltrit janë të vendosur që ta mposhtin Maltën në ndeshjen e së shtunës, e vlefshme për Grupin 3, Liga D në Ligën e Kombeve, shkruan sot gazeta Zëri.

Kosova prin në grup me 8 pikë dhe një fitore eventuale të shtunën do ta afronte edhe më shumë me kualifikim në gjysmëfinale të këtij kompeticioni debutues.

Kryeziu: Duam fitore në Maltë

Hekuran Kryeziu është i vetëdijshëm se “Dardanët” i pret një punë e vështirë, por beson se ai me shokë mund të nxjerrin rezultat të favorshëm në Valleta.

“Lehtë nuk do të jetë (ndeshja ndaj Maltës), por ne shkojmë për tri pikë. Ne duhet ta kryejmë punën tonë, duhet të shikojmë se çfarë do të bëjë Azerbajxhani”, ka deklaruar futbollisti kreativ, i cili i ka mirëpritur ardhjet e fundit te Kosova.

“Më vjen mirë për çdo lojtar që vendos të luajë për Kosovën. Ne lojtarët dhe i gjithë stafi i presim mirë, dy prej tyre unë i njoh sepse kemi luajtur së bashku në Zvicër, normalisht se unë u kam folur mirë për Përfaqësuesen. Konkurrenca do të na bëjë më të mirë”, vazhdoi ai.

Lojtarët që së fundmi i janë bashkuar ekipit të Bernard Challandes janë: Arijanet Muriqi, Shkëlqim Demhasaj dhe Mirlind Kryeziu.

Rrahmani, i vendosur për tri pikë

Edhe mbrojtësi Amir Rrahmani beson se Kosova mund të dalë mirë nga dueli me Maltën këtë javë, por edhe ndaj Axerbajxhanit javën që vjen. “Detyra jonë është që ta fitojmë çdo ndeshje. Duhet të fitojmë ndaj Maltës dhe pres që edhe ndaj Azerbajxhanit të dalim me rezultat pozitiv”, ka deklaruar Rrahmani pas stërvitjes së mbrëmshme.

“Nëse trajneri ka nevojë që të luajë në pozita të tjera përveç qendrës, jam gati të luaj edhe si mbrojtës i majtë edhe i djathtë, aty ku trajneri ka nevojë”, përfundoi futbollisti i Dinamo Zagrebit. Kontingjenti kosovar do ta marrë sot rrugën drejt Maltës, ku në mbrëmje do ta mbajë një seancë stërvitore. /Zëri/