Januzaj zbulon arsyen pse nuk arriti të ketë sukses te Unitedi

Sport November 15, 2018 - 10:57
Detajet

Adnan Januzaj mendon se gjërat do të kishin shkuar më ndryshe te Manchester Unitedi nëse atij do t’i ishte dhënë rasti nga trajneri Jose Mourinho. Futbollisti shqiptar thotë se i ka aftësitë e duhura për të luajtur te “Djajtë e Kuq”, mirëpo gjithashtu shprehet se është i lumtur te Real Sociedadi, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Adnan Januzaj beson se atij nuk i është dhënë mundësia për të treguar kualitetet e tij te Manchester Unitedi nga trajneri Jose Mourinho. Mesfushori shqiptar beson se është i mirë mjaftueshëm për të luajtur te “Djajtë e Kuq”, porse Mourinho nuk ia dha shansin që i nevojitej.

23-vjeçari kishte bërë debutimin me gjigandin anglez në Superkupën Anglezë në vitin 2013 dhe ishte lavdëruar mjaft shumë gjatë asaj kohe, saqë ishte konsideruar si pasuesi i Ryan Giggsit. Ai kishte bërë paraqitje mjaft të mira në muajt e parë nën drejtimin e David Moyesit. Por, sidoqoftë ai nuk arriti dot t’i realizojë pritjet dhe eventualisht u largua në drejtim te Real Sociedadi në verën e vitit të kaluar kur Mourinho e shihte si tepricë në ekipin e tij.

Januzaj ndien se atij nuk i janë dhënë minutat e mjaftueshme si lojtar i ri në mënyrë që t’i tregojë kualitetet e tij nën drejtimin e portugezit, i cili e dërgoi lojtarin në huazim te Sunderlandi pas ardhjes së tij në vitin 2016 para se ta largonte përfundimisht vitin tjetër.

“Unë nuk e pata rastin sepse në atë kohë ai (Mourinho) me siguri donte lojtarë me emër, më me përvojë”, është shprehur Januzaj për “Sky Sports”.

Ai insiston se i ka kualitetet e duhura për të shkëlqyer në “Old Trafford”, por thotë se është i lumtur në Sociedad, klub me të cilin është paraqitur plot 39 herë në të gjitha garat që prej transferimit në vitin e kaluar.

“Për mua nuk ishte problem. Unë duhej të vazhdoja përpara dhe tani jam i lumtur në Spanjë dhe jam duke bërë diferencën. Unë gjithmonë e dija që kisha kualitetet për të luajtur për Manchester Unitedin. Unë e di se çfarë jam në gjendje të bëj. Ata nuk më dhanë asnjë rast mua, por nuk është problem. Unë jam i lumtur në Spanjë dhe jam duke e shijuar futbollin”, ka thënë reprezentuesi belg.

Ish-klubi i tij momentalisht zë pozitën e tetë në Premierligë, 12 pikë prapa rivalit lokal, Manchester City që mban kreun e tabelës pas 12 xhirove, por Januzaj i mbështet “Djajtë e Kuq” në rikthimin e tyre te triumfet.

“Ata (Manchester Unitedi) janë duke vuajtur. Është një ekip i madh dhe me tifozë të mëdhenj, por momentalisht ata janë duke vuajtur. Natyrisht, ata do të kthehen në maje. Unë mendoj se atyre u nevojitet vendimi i duhur për të fituar ndeshje. Ka shumë arsye (pse ata janë duke vuajtur), kështu që ata duhet të marrin vendimet e duhura”, u shpreh Januzaj./Zëri