Ia gabuan e-mail-in, mbetet pa ftesë në Kombëtare!

Sport November 14, 2018 - 14:59

Senegali e ka gabuar e-mail-in duke e ftuar Keita Balden dhe futbollisti ka mbetur pa u përfshirë në listën e të ftuarve për ndeshjet e nëntorit. Futbollisti i Interit ka mbetur i habitur me këtë rast tragji-komik, ndërsa tash i mbetet t’i shohë shokët e ekipit përfaqësues duke luajtur më 17 nëntor përmes televizorit

Një ngjarje aspak e zakontë ka ndodhur në Afrikë, më saktësisht në Senegal, shkruan sot gazeta Zëri.

Keite Balde nuk është përfshirë në listën e futbollistëve të ftuar te Kombëtarja e Senegalit.

Ky vendim befasues nuk ka ndodhur me vetëdije, pasi futbollisti i Interit është njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit përfaqësues të vendit afrikan.

Në fakt, një gabim në dërgimin e e-mail-it i ka kushtuar me mbetje jashtë listës së të ftuarve ish-futbollistit të Lazios.

Klubi i sulmuesit senegalez e ka ndërruar e-mail-in së fundmi dhe Federata Senegaleze e Futbollit e ka ftuar lojtarin përmes e-mail-it të vjetër.

Dhe, kjo Federatë nuk ka marrë përgjigje, lojtari ka mbetur jashtë listës, pasi tash atë nuk e lë Interi të shkojë për t’iu bashkuar ekipit të gjelbër.

Rastin e rrallë e ka zbuluar zëvendëspresidenti i Federatës së Futbollit të Senegalit Abdoulaye Sow, i cili ka konfirmuar se më pas ka kërkuar edhe nga Interi ta lirojë lojtarin, por ishte gjithçka vonë.

Keita ka mbetur përfundimisht jashtë ekipit të Aliou Cisse për ndeshjen e 17 nëntorit kundër Guinesë Ekuatoriale, në një rast vërtet tragji-komik, i cili nuk mbahet në mend të ketë ndodhur ndonjëherë.

“Ia kemi bërë ftesën përmes e-mail-it të vjetër, të cilin Interi nuk e përdor më. E kanë ndërruar e-mail-in dhe më pas na kanë njoftuar për këtë ndryshim. Në gjendjen aktuale lojtari nuk mund të lëvizë, pasi klubi i tij nuk është i pajtimit”, ka thënë Sow.

Sidoqoftë, Keita do ta shfrytëzojë këtë periudhë dyjavore të datave të lira të FIFA-s për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet që e presin me ekipin “Nerazzurri” pas ndeshjeve të kombëtareve në Ligën e Kombeve.

Sulmuesi i rrezikshëm nuk ka lënë ende shenja në “Giuseppe Meazza”, por shpreson ta bëjë një gjë të tillë shumë shpejt, edhe pse përpara e ka njërin prej sulmuesve më të mirë në botë, Mauro Icardi. /Zëri/