Kosova mendon veç për fitore!

Sport November 14, 2018 - 14:12
Image

Përfaqësuesja e Kosovës është e motivuar më shumë se kurrë për t’i fituar dy ndeshjet e nëntorit në Ligën e Kombeve dhe për ta prerë njëkohësisht biletën për gjysmëfinale të këtij kompeticioni. Valon Berisha me shokë kanë ushtruar të martën me përkushtim, i bindur se kualiteti ekipit nuk i mungon, ndërkohë që mesfushori i Lazios ka kërkuar nga shokët ta japin 100 për qindëshin ndaj Maltës dhe Azerbajxhanit. Përforcimi i fundit, Shkëlqim Demhasaj beson se “Dardanët” mund t’i marrin 6 pikë në dy ndeshjet e ardhshme

Përfaqësuesja e Kosovës e ka zhvilluar të martën në mbrëmje stërvitjen e dytë para ndeshjes së të shtunës ndaj Maltës në Ligën e Kombeve.

“Dardanët” kanë ushtruar nën urdhrat e trajnerit Bernard Challandes në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa nga afër ushtrimet i ka ndjekur edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Kosova do të niset të enjten drejt Maltës ku do ta zhvillojë ndeshjen e 17 nëntorit në kuadër të Grupit 3, Liga D, ndërsa pas tri ditësh, respektivisht më 20 nëntor do të luajë në Prishtinë kundër Azerbajxhanit.

Berisha: Do ta japim 100 për qindëshin

Valon Berisha kërkon nga ekipi që ta japë 100 për qindëshin në dy ndeshjet e ardhshme për të arritur tek rezultati pozitiv.

Sipas tij, mentaliteti i ekipit duhet të jetë pozitiv dhe se ai me shokë duhet të kenë vetëbesim pasi kualiteti këtij ekipi nuk i mungon.

“Kemi lojtarë shumë të mirë dhe po përgatitemi mirë, mirëpo sigurisht se kemi dy ndeshje shumë të vështira para vetes, sidomos kjo kundër Maltës. Shumëçka do të varet nga mentaliteti ynë në këto dy ndeshje. Ne kemi cilësi si ekip dhe me individë shumë të mirë dhe do të shkojmë me synimin për ta dhënë 100 për qindëshin për njëri-tjetrin dhe për Kosovën”, ka thënë mesfushori kualitativ pas stërvitjes së mbrëmshme.

Demhasaj: Më kanë pritur shumë mirë, i duam 6 pikë

Shkëlqim Demhasaj është prurja e fundit e Kosovës.

Mesfushori kosovar u ftua pas lëndimit të Bersant Celinës. Ai nuk ka menduar dy herë kur e ka marrë ftesën për ta përfaqësuar vendin e tij.

Tash, ai është në dispozicion dhe i gatshëm për ta dhënë maksimumin nëse i jepet rasti nga Challandes.

“Pardje (të dielën) më kanë telefonuar nga Federata dhe menjëherë e kam shprehur gatishmërinë për të ardhur. Këtu më kanë pritur shumë mirë dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e Kosovës. Tash me rëndësi është që ekipi të përgatitet sa më mirë dhe t’i fitojmë 6 pikë, nuk ka fare rëndësi se kush luan, por nëse më jepet rasti, si çdo lojtar do ta jap maksimumin. I kam shikuar të gjitha ndeshjet e Kosovës dhe djemtë kanë luajtur shumë mirë”, u shpreh futbollisti kualitativ.

Kompletohet Përfaqësuesja

Për dallim nga stërvitja e së hënës, kur ekipi e pati grumbullimin e parë, Përfaqësuesja është kompletuar të martën pasi asaj i janë bashkuar edhe lojtarët më të rinj, pra prurjet e reja, Arijanet Muric, Mirlind Kryeziu dhe Shkëlqim Demhasaj.

“Dardanët” e përkrahin Kosovën edhe në stërvitje

Përkundër temperaturave të ulëta, tifozët “Dardanët” nuk e lëshuan as stërvitjen e së martës duke i përkrahur futbollistët e Përfaqësueses, ndërsa atmosfera në ekip dukej mjaft e mirë.

Në stërvitjen e mbrëmshme trajneri zviceran punoi në shumë aspekte, sidomos në pasime në hapësira të shkurtra, por edhe në shpejtësi të aksioneve, derisa ripërsëriti kërkesën e tij ndaj lojtarëve që të luajnë sa më thjeshtë.

Për shkak të lëndimeve në seancën e mbrëmshme Mërgim Vojvoda dhe Herolind Shala u stërvitën të diferencuar, por stafi mjekësor po punon në riaftësimin e tyre të plotë. Ndërkohë, Përfaqësuesja sot do ta mbajë vetëm stërvitjen e pasdites. /Zëri/