Prishtina i kryen detyrat e shtëpisë

Sport November 13, 2018 - 20:45

Pasi e kishte siguruar kualifikimin në rrethin e dytë, Z Mobile Prishtina e shtoi një tjetër fitore në llogarinë e saj pasi e mposhti Steaua Bukureshtin me rezultat 74:69, në ndeshjen e vlefshme për Grupin E të FIBA Europe Cup, e cila u zhvillua sonte në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, shkruan Zeri.info.

Dardan Berisha e Demario Mayfield ishin në super-formë në pjesën e dytë duke ia siguruar fitoren e katërt ekipit prishtinas krahas një humbjeje me 16 respektivisht 15 pikë, ndërsa ekipi nga Rumania mbeti pa fitore me pesë humbje deri tash.

Pas fillimit të furishëm, Prishtina ia mundësoi Steauas të kthehej në lojë me një seri negative prej 0:12 në periudhën e dytë.

Mirëpo, rikthimi i rumunëve ishte jetëshkurtër pasi ekipi vendës e pati një seri prej 11:2 në fund të çerekut të tretë për ta rikthyer pozitën dominuese në 57:48 me një çerek loje të mbetur për t’u luajtur.

Pjesa e parë ishte për t’u harruar për Dardan Berishën, i cili i humbi katër gjuajtjet e para dhe mbeti pa pikë në dy çerekët e parë të lojës.

Mirëpo, basketbollisti kosovar u këndell në pjesën e dytë për ta mbyllur lojën me 16 pikë, 5 kërcime, 3 asistime dhe 4 topa të vjedhur.

Në anën tjetër, Steaua nuk ishte në ditën e saj dhe e konfirmoi formën e zbehtë të këtij sezoni në këtë kompeticion.

Ekipi rumun i ka humbur katër ndeshjet e fundit me nje mesatare prej 25.8 pikësh për ndeshje. 

Në çerekun e fundit nuk kishte çka të ndryshonte pasi prishtinasit e menaxhonin rezultatin mjaft mirë.

Bardhekaltrit e kishin siguruar kalimin në fazën e dytë edhe para kësaj loje, duke u kualifikuar në mesin e 16 ekipeve më të mira të këtij kompeticioni.

Ndërkaq, ata po luftojnë tash për ta rrëmbyer kreun e tabelës, i cili i takon ekipit Bakken Bears, me të cilin do ta kenë përballjen direkte në kryeqytetin kosovar javën e ardhshme. /Zëri/