Nuk ia lejoi Kosovës flamurin, kështu e pësoi Spanja nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar!

Sport November 13, 2018 - 10:08
Detajet

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) u ka bërë thirrje federatave ndërkombëtare të mos ia besojnë Spanjës organizimin e evenimenteve të madhe sportive derisa qeveria spanjolle nuk garanton se Kosova do të mundë të garojë pa ndonjë diskriminim pasi vendit më të ri evropian nuk i është lejuar përdorimi i flamurit në Kampionatin Botëror të Karatesë, i cili u mbajt së fundmi në Madrid.

Drejtori gjeneral i IOC-së, Pere Miró, i ka thënë “insidethegames” se kjo organizatë do t’i paralajmërojë federatat ndërkombëtare që të mos ia lejojë Spanjës organizimin e kompeticioneve të rëndësishme në rast se qeveria spanjolle e mban të njëjtin qëndrim me Kosovën.

Ky është paralajmërimi i parë nga IOC-ja për Spanjën, e cila nuk e njeh si shtet Kosovën, shkruan sot gazeta Zëri.

“Nëse qeveria spanjolle nuk është në gjendje t’i garantojë qasje jo vetëm Kosovës, por çdo sportisti për të garuar, ne do t’u bëjmë thirrje të gjitha federatave derisa kjo të zgjidhet, që të mos i mbajnë kompeticionet ndërkombëtare atje”, thotë Miro.

Miro ka zbuluar se Kosova ka pranuar edhe këtë herë të marrë pjesë me inicialet e Federatës së tyre, por që një gjë e tillë nuk do të shkojë gjatë.

Karateistët kosovarë i veshën fanellat me inicialet e FKK-së, ndërsa në rezultatet e tyre dhe në ekrane të mëdhenj shkruante si “Federata Botërore e Karatesë (WKF).

Miro, i cili edhe vetë është nga Spanja, thotë se kjo ishte një marrëveshje e njëjtë e arritur me kushtet që ishin vendosur me pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Mesdhetare në Tarragona më herët gjatë këtij viti.

Mirëpo ka shtuar se e ndan pozicionin me presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Karatesë, Antonio Espinos, i cili ditë më parë kishte thënë se do ta konsiderojë seriozisht mundësinë që evenimentet e rëndësishme të karatesë të mos mbahen në Spanjë nëse situata nuk zgjidhet.

“Ne nuk mund ta suspendojmë një vend dhe nuk mund të themi se nuk do ta organizojmë një eveniment atje”, nënvizoi Miro.

“Mirëpo, jemi plotësisht të gatshëm t’u drejtohemi federatave ndërkombëtare duke i lutur që të mos e vendosin një vend ku do të mbahet një kompeticion pa e marrë garancinë e sigurinë se të gjithë atletët do të jenë të mirëpritur në Spanjë”, shton ai.

“Ne duhet të jemi tërësisht të qartë me federatat dhe të themi, shikoni, kjo është situata dhe ju lutemi qëndroni syhapur dhe të kujdesshëm me këtë”, thotë Miro.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, së fundmi ka kërkuar nga sporti që “t’i tregojë dhëmbët” për ta luftuar përfshirjen e politikës në sport, në mënyrë që të gjitha ekipet përfaqësuese të marrin pjesë në evenimente të mëdha sportive me të drejta të barabarta dhe që asnjërit prej tyre të mos i vihen kushte dhe të mos u ndalohen simbolet, siç ndodhi së fundmi me Kosovën. /Zëri/