Sahiti: S’kemi humbur qe një vit, duam ta kalojmë grupin në Ligën e Kombeve (VIDEO)

Sport November 12, 2018 - 18:34
Detajet

Ndihmës-trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti beson se Verdhekaltrit do ta vazhdojnë formën e mirë dhe rezultatet që i kanë arritur vitin e fundit.

Sipas tij, Kosova e ka kapacitetin për të arritur suksese dhe për të dalë mirë nga dy ndeshjet e fundit të këtij muaji në Ligën e Kombeve ndaj Maltës dhe Azerbajxhanit.

“Nuk e kemi pësuar asnjë humbje qe një vit, kemi 6 fitore e 2 barazime. 370 ditë pa humbje. Me ardhjen e selektorit të ri, Kombëtarja e jonë, jo vetëm lojë, të ketë edhe rezultate”, ka thënë fillimisht Sahiti në emisionin “90Plus” në Radio Prishtina dhe Zëri TV.

“Gjithçka është gati, akoma nuk kanë arritur krejt lojtarët pasi disa i kanë pasur ndeshjet e fundit. Atmosfera është jashtëzakonisht e mirë, ne funksionojmë si një familje dhe ky ndoshta është çelësi i suksesit. Shoqëria është mjaft e mirë në mes të lojtarëve, nuk kemi probleme me lëndime, përpos Celinës, që ka pësuar një lëndim”, ka shtuar ai.

“Lojtarët janë të vetëdijshëm se çka na pret. Këto dy ndeshjet e fundit vendosin për fatin tonë, se a do të jemi të parët. Po shpresoj që ta mbajmë këtë ritëm”, nënvizoi Sahiti.

“Në futboll jo gjithmonë vendos kualiteti pasi ndeshjen mund ta fitojë edhe i dobëti, futbolli është i paparashikueshëm. Përpos aspektit sportiv, jemi të lumtur që e kemi këtë kontingjent të lojtarëve, jemi duke u munduar të punojmë edhe rreth motivimit dhe angazhimit. Po i gërshetojmë angazhimin dhe kreativitetin dhe talentin që e kemi, që të jemi të parët në grup. Ky është qëllimi kryesor. Dorën në zemër, nuk do të jetë edhe aq e lehtë. Nëse e ruajmë këtë diferencë të pikëve dhe në ndeshjen e fundit hyjmë me dy pikë më shumë se Azerbajxhani, do të na konvenonte edhe barazimi. Por, duhet të jemi të kujdesshëm. Jemi duke punuar shumë në atë drejtim, po mendojmë edhe për lojën e parë. Por, fillimisht jemi të përcaktuar ta kryejmë lojën e parë. E më pas të mendojmë edhe për ‘play-offin’. Konkurrentin më serioz e shoh Maqedoninë”, përfundoi Sahiti. /Zëri/