Premierliga, ende në kohën e gurit

Sport November 12, 2018 - 11:54
Detajet

Trajneri i Southamptonit, Mark Hughes, thotë se Premierliga ende është në kohën e gurit. Ai i ka bërë thirrje Premierligës që ta vërë në përdorim sistemin VAR (videoasistentin e referit). Këto kritika anglezi i bëri pas barazimit të Southamptonit 1:1 ndaj Watfordit, kur ekipit të tij i është mohuar një gol i rregullt

Trajneri i Southamptonit, Mark Hughes, i ka bërë thirrje Premierligës që të mos jetojë në kohën e gurit dhe të shfrytëzojë VAR-in (videoasistentin e Referit). Hughes ka kritikuar referin Simon Hooper pasi ky ia anuloi një gol për pozicion jashtë loje sulmuesit Charlie Austin në barazimin 1:1 mes Southamptonit dhe Watfordit.

Edhe vetë Austin e quajti qesharak vendimin e referit në një intervistë pas përfundimit të ndeshjes. “Duhet të hyjë në përdorim. Unë isha i befasuar kur nuk hyri në përdorim në fillim të këtij sezoni, mendoj se shumë njerëz të tjerë ishin gjithashtu”, deklaroi Hughes për VAR-in.

“Shumë kompeticione të tjera e kanë vënë në përdorim shumë shpejt. Të gjitha sportet e mëdha i kanë rishikimet në lojë dhe për disa arsye Premierliga, që është e shikuar anembanë botës, është ende në epokën e gurit”, është shprehur ai.

Austin realizoi pas harkimit të Nathan Redmondit në zonë në minutën e 66-të, por goli u anulua për shkak të Maya Yoshidas, i cili nuk e preku topin derisa ishte në pozicion jashtë loje. Southamptoni do të kishte kaluar në epërsi të dyfishtë me anë të këtij goli.

Jose Holebas ia pamundësoi fitoren vendasve, që nuk e njohin triumfin në tetë ndeshjet e fundit në ligë.  Hughes, i cili është nën presion të madh, thotë se ende e ka përkrahjen e klubit.

“U bë një ndryshim në mesjavë dhe Ralf (Krueger, që është pronari i klubit) bëri një deklaratë. Qartazi, ne duhet t’i ndryshojmë rezultatet në mënyrë që të marrim maksimumin e pikëve. Por klubi dhe pronarët i kanë parë të gjitha ndeshjet këtë vit dhe ata e dinë se ne jemi shumë afër. Jemi në rrugë të mirë”, deklaroi Hughes.

Përveç formës Southamptoni e mori edhe një lajm të keq, pasi golashënuesi më i mirë Danny Ings u lëndua në pjesën e parë. Hughes shpreson që problemi të mos jetë shumë serioz.

“Danny fatkeqësisht e tërhoqi muskulin në nxehje dhe ne nuk ishim të sigurt nëse ai do të luante si titullar, por ai e deshi këtë. Le të shpresojmë që do të qetësohet dhe t’i kryqëzojmë gishtat që të mos jetë një lëndim në gju”, u shpreh ai.