'Rilindja' e Boschilias

Sport November 10, 2018 - 14:19
Lexo tjera detaje

Gabriel Boschilia më në fund ka filluar ta rikthejë formën e tij. Braziliani, i cili është i huazuar te Nantes nga Monaco, ka realizuar 3 gola dhe 4 asistime deri më tani këtë edicion. Boschilia kishte shpërthyer në Francë në edicionin 2016/2017, kur shkëlqeu me Monacon para se ta pësonte një lëndim të rëndë në sezonin kur klubi triumfoi në ligën franceze.

Sulmuesi Gabriel Boschilia mund të ketë qenë pjesë e klubit të Monacos që prej vitit 2015, por gjatë asaj kohe ai ka vizituar vetëm kazinonë e famshme të principatës franceze. “Unë luaja me vetëm 50 euro. Unë qëndrova vetëm tre minuta”, ka deklaruar ai për “UOL Esporte”.

Sidoqoftë, 22-vjeçari nuk është kumarxhi, ndërsa fati nuk i ka ecur në karrierën e tij të re. Për shkak të një lëndimi në gju, ai nuk e pati shkëlqimin e njëjtë si Bernardo Silva, Benjamin Mendy, Fabinho dhe Thomas Lemar në “Stade Louis II”.

Në vend të famës së ish-bashkëlojtarëve, ai tani e gjen veten në huazim te Nantes, duke u munduar që të arrijë nivelin e njëjtë të pjesëtarëve të skuadrës që arriti ta befasojë Paris Saint-Germainin duke e fituar ligën franceze në vitin 2017.

Edhe Boschilia edhe Monaco janë në dijeni se këto ditë kanë kaluar, por me klubin amë që gjendet në pozitën e 19-të në renditje,  tashmë s’ka dyshime që është lojtari ai që është duke bërë më mirë. 

22-vjeçari është duke filluar që të tregojë nivelin që e bëri atë të spikasë në edicionin 2016/2017 për Monacon. Ai e mbylli atë edicion me tetë gola, tre asistime dhe një reputacion për gjuajtje vrastare nga distanca, por ishte një lëndim në ligamentet e gjurit në shkurt që e ngadalësoi ritmin e tij.

Lëndimi i tij ka kaluar nëpër një kujdes shumë të madh. Ai kishte bërë vetëm shtatë paraqitje në total në edicionin pasues, me një shifër prej 155 minutash futbolli garues në ekipin e parë dhe ishte e qartë që një ndryshim i skenarit ishte i domosdoshëm.

“Menaxhmenti i Monacos e kupti që unë duhej të luaja më shumë, duhej të jepej rasti dhe ata më kuptuan”, shprehet Bochilia.

Mundësia më e mirë për ish-reprezentuesin e Brazilit U-20 ishte Nantes. Nën urdhrat e Vahid Halilhodzic, ekipi është duke luajtur nj futboll ofanziv, i dizajnuar në mënyrë që sulmuesi i majtë të shfaqet më shumë. Ai ka ndërtuar një marrëdhënie të shkëlqyeshme me mbrojtësin e majtë, Lucas Lima dhe me sulmuesin Emiliano Sala. Ai tashmë është njëri prej lojtarëve më në formë të ligës franceze, me tre golat e tij dhe katër asistimet në gjashtë ndeshje kampionale dhe vetëm në një ndeshje nuk arriti të jap kontributin e tij vendimtar.

“Gjithmonë më kanë pëlqyer gjërat e thjeshta, kështu që jam më rehat në Nantes sesa një qytet shumë të madh. Gjithçka është duke shkuar mirë. Familja ime e pëlqen shumë. Ne kemi një shtëpi. Në Monaco, ne kishim vetëm një apartament, që mund të jetë paksa i parehatshëm”, ka thënë Boschilia.

Sidoqoftë, e ardhmja e tij është e lidhur me principatën. Monaco nënshkroi në kontratë të re me të, që zgjat deri në vitin 2021m para se ta largojë brazilianin në huazim pa opsion të blerjes.

Ndërkohë, Boschilia insiston se ai është vetëm duke u munduar që të kthehet sa më fuqishëm në formë.

Pritet edhe më shumë nga lojtari i akademisë së Guaranit dhe Sao Paulos, që ende nuk ka realizuar gol nga gjuajta e lirë për Nantesin, gjë për të cilën edhe ishte bërë mjaft i njohur.

Trajneri i Monacos, Thierry Henry padyshim që do ta vëzhgojë progresin e Boschilias dhe ndoshta ta thërrasë amerikano-jugorin për shkak të krizës së lëndime që e ka kapluar ekipin e tij.

Boschilia mund të mos jetë kumarxhi, por nëse vazhdon të paraqitet kështu, duket sikur rikthimi i tij në klubin amë në edicionin e ardhshëm të jetë një bast i sigurt./ZËRI