PSG akuzohet për racizëm ndaj lojtarëve të rinj, e pranon fajin

Sport November 09, 2018 - 16:49
Detajet

Është një nga klubet më të mëdha të Evropës dhe klubi më i mirë në Francë, por duket se vlerat e këtij klubi janë vënë në pikëpyetje pasi përzgjedhësit e klubit kanë bërë përzgjedhje të paligjshme dhe racore të lojtarëve të rinj gjatë rekrutimit të tyre në skuadrën e grupmoshave të reja përgjatë periudhës 2013-2018.

Ky skandal u zbulua pas publikimit të dokumenteve nga “Mediapart”, e cila është një faqe franceze që merret me hetime të ndryshme.

Kjo faqe zbuloi se PSG i trajtonte në hollësi të dhënat e prejardhjes etnike të lojtarëve dhe disa lojtarë nuk u morën në vlerësim për shkak se ishin lojtarë me ngjyrë.

Vet klubi ka dalë me një deklaratë në të cilën thotë se profilizimi i lojtarëve në baza racore ka ndodhur prej vitit 2013 deri në vitin 2018 dhe se menaxhmenti i klubit nuk ka qenë i vetëdijshëm për këtë gjatë kohës së lartëcekur.

Zyrtarët e klubit thanë se këtë e morën vesh në tetor dhe mënyra e rekrutimit përbënte një shkelje të papranueshme, sepse i kategorizonte lojtarët si francezë, afrikanë të Afrikës veriore, afrikanë të zinjë dhe indianë perëndimorë.

Në Francë është e ndaluar mbledhja e të dhënave në bazë të racës, fesë apo etnisë. Klubi është distancuar nga kjo ngjarje, duke thënë se këto forma të rekrutimit e tradhtojnë shpirtin dhe vlerat e PSG-së dhe se talenti duhet të matet vetëm në bazë të shkathtësive dhe sjelljes së lojtarëve.

Bazuar në të dhënat e sigurura nga “Mediapart”, ish shefi i rekrutimit të lojtarëve të rinj, Marc Westerloppe, kishte thënë se ka shumë afrikanë dhe indianë perëndimorë në Paris dhe se kjo paraqet problem prej drejtimin e klubit.

 Sidoqoftë, ai kishte mohuar akuzat në një mbledhje të mbajtur në vitin 2014, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të çmendura. Ai aktualisht punon për klubin francez “Stade Rennes”, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.