FFK-ja në gjumë, ja çka thotë kryetari i saj për ikjen e Ardian Ismajlit

Sport November 08, 2018 - 15:48
Lexo tjera detaje

Kombëtarja e Shqipërisë vazhdon që të ‘peshkojë’ në Përfaqësuesen e Kosovës.

Pas Kastriot Dërmakut i cili në tetor u ftua te Kombëtarja ‘kuq e zi’ pas një eksperience disa ditore te Kosova, së fundmi te Shqipëria është ftuar edhe Ardian Ismajli i cili më parë ka qenë kapiten i Përfaqësueses së Kosovës U-21.

Shqipërisë i është bashkuar edhe futbollisti Loret Sadiku i cili ka qenë pjesë e Kosovës në kohën kur FFK-ja nuk ka qenë e pranuar në UEFA e FIFA.

Dëshira e Sadikut ishte që të luante për Kosovën, por përfaqësimi në tri Kombëtare, Suedinë, Shqipërinë dhe Kosovën ia pamundësoi një gjë të tillë.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i kontaktuar nga Insporti.com ka thënë se dëshira e lojtarëve ka qenë që ta përfaqësojnë Shqipërinë.

“Sigurisht së është dëshira e lojtarëve dhe e shohin një perspektiv më të madhe te Shqipëria. Ismajli ka qenë kapiten i Kosovës U-21 dhe e kemi vlerësuar dhe respektuar. Ndoshta e kanë parë konkurrencën dhe është larguar. Neve na vjen shumë keq. Si për Ismajlin si për Dërmakun, na vjen keq që nuk janë në mesin tonë. Mund të them se ata janë djemë të mirë dhe ne u dëshirojmë shumë suksese”, ka deklaruar numri një i futbollit kosovar, Agim Ademi.

“Mendoj se Kosova është vendi i perspektivës për të gjithë që dëshirojnë. Ne e kemi një strategji që nuk përzihemi trajnerit se kush ftohet. Ne duam që vetëm që Kosova të kualifikohet”, shtoi Ademi.