La Liga do të ankohet për PSG-në dhe Manchester Cityn në BE, nëse UEFA s'i ndëshkon ato

Sport November 07, 2018 - 14:15
Detajet

La Liga është e gatshme t’i paraqesë para autoriteteve të Bashkimit Evropian (BE) dëshmitë për shkeljen e ligjit nga Manchester City dhe Paris Saint-Germaini, nëse UEFA nuk i ndëshkon këto dy klube.

Artikujt e “Football Leaks” të publikuar në gazetën gjermane Der Spiegel dëshmojnë se këto dy klube i kanë falsifikuar të dhënat e përfitimeve nga sponsorët për të mos u ndëshkuar nga UEFA për shkeljen e rregullave të transferimeve, Financial Fair Play (FFP), përcjell Gazeta Express.

Të dhënat e siguruara nga hakerët të cilët e kishin sulmuar sistemin kompjuterik të FIFA-s vërtetojnë se UEFA kishte qenë në dijeni për këto shkelje dhe madje kishte arritur marrëveshje jashtë gjykatave me këto dy klube për të mos i larguar nga Liga e Kampionëve.

“Dokumentet e Football Leaks e konfirmojnë atë që e kemi thënë për vite të tëra me radhë. PSG-ja dhe Manchester City duhet të ndëshkohen. Nëse UEFA nuk reagon, atëherë ne do të ankohemi te autoritetet përkatëse të BE-së”, ka thënë zëdhënësi i La Ligës, Joris Evers.

Të dy klubet e përfshira në këtë skandal i kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre, ndërsa UEFA ka lëshuar një deklaratë ku fillimisht kishte thënë se këta artikuj ishin shkruar me tendencë për ta shpërfytyruar atë, mirëpo nuk ka pranuar t’i komentojë akuzat specifike, si kjo për Manchester Cityn dhe PSG-në.