Moratas i rikthehet buzëqeshja

Sport November 07, 2018 - 11:38
Detajet

Alvaro Morata është shumë i lumtur pas pesë golave në gjashtë ndeshje me Chelsean. Sulmuesit spanjoll i është rikthyer buzëqeshja pas një gjendjeje moralisht të dobët në fund të edicionit të kaluar. Ish-futbollisti i Real Madridit beson se është në rrugën e duhur për t’u rikthyer në formën e tij më të mirë, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Alvaro Morata ka zbuluar se vetëbesimi i kishte humbur thuajse plotësisht në fund të edicionit të tij të parë te Chelsea, kur forma e tij ra dhe ai pësoi një lëndim në shpinë. Por sulmuesi spanjoll tashmë është në paqe me trupin dhe mendjen e tij dhe është duke korrur përfitimet e kësaj gjendjeje.

Dy golat kundër Crystal Palacet të dielën e çuan në pesë shifrën e golave të realizuara nga Morata në gjashtë ndeshje, duke krijuar një efikasitet që na kujton fillimin e karrierës së tij në “Stamford Bridge” pas transferimit nga Real Madridi për 58 milionë funte në verën e vitit 2017. 31 ndeshjet e kaluara kishin sjellë vetëm nga katër gola nga ai pas një lëndimi në shpinë, i cili ndodhi në janar dhe menjëherë habiti stafin mjekësor e që e ngadalësoi ndikimin e tij.

Sulmuesi tashmë është rikthyer në formën e tij, por një lojtar për të cilin Maurizio Sarri e quajti delikat pas fitores 3:1 në fundjavë e pranon që beteja e tij më e madhe ka qenë aspekti mental nga vuajtjet e sezonit të kaluar. “Gjëja më e rëndësishme është se më në fund unë e kam gjetur rrugën e duhur dhe koka ime është në rregull. Në futboll gjendja fizike është shumë e rëndësishme, por koka është gjëja më e rëndësishme. Nëse nuk e keni kokën në rregull, nëse mentaliteti nuk është siç duhet, atëherë ju jeni në telashe. Unë jam më mirë”, ka deklaruar Morata.

“Askush përveç gruas sime nuk e di se sa i madh ishte problemi në vitin e kaluar. Tani është në rregull. Në muajin e fundit të edicionit të kaluar unë isha i rënë shpirtërisht. Unë nuk mund të jem më i rënë shpirtërisht. Kur e prekni limitin, gjëja e vetme që mund të bëni është që të riktheheni. E do një kohë sepse unë kisha një lëndim, nuk isha në formë kur luaja, por tani ndihem mirë. Unë kisha një periudhë ku gjithçka dukej sikur po binte shi. Unë isha i zemëruar sepse po binte shi, nëse dal huq është gjithashtu për shkak të fushës së lagur. Ishte thjesht një arsyetim. Nuk është gjë e mirë”, ka thënë reprezentuesi spanjoll.

“Sinqerisht, në fillim, në vitin e kaluar unë gjithmonë bëja shaka në dhomat e zhveshjes sepse e fillova mirë dhe unë po shënoja gola, por lëndimi më mbyti sepse doktorët nuk e dinin se çfarë kisha. Ishte e çuditshme. Ndonjëherë kur e dini se do të jeni një muaj jashtë, në kokën tuaj është në rregull sepse e dini që është vetëm një muaj. Por kur mundoheni të bëni më të mirën dhe nuk jeni në momentin tuaj më të mirë, është e vështirë. Tani kjo i takon së kaluarës. Të gjithë mund të kenë një periudhë të keqe në jetën e tyre. Por ne jemi të famshëm, ne kemi shumë gjëra. Ndonjëherë njerëzit mendojnë se nuk jemi njerëzorë, jemi pa ndjenja, pa probleme. Gjëja më e rëndësishme është që të gjesh balancën e duhur. Tani e kam dhe jam shumë i lumtur. Gjëja e rëndësishme është skuadra. E di se ndonjëherë jam në mesin e të gjitha kritikave kur ekipi lëshon pikë ose kur skuadra humbet. Por nuk ka rëndësi. Unë dua të fitoj me këtë skuadër dhe ne kemi një shans shumë të mirë”, është shprehur ish-futbollisti i Real Madridit dhe i Juventusit.

Morata, gruaja e të cilit lindi dy fëmijë binjakë në korrik, mund të kishte kompletuar “Hat-Trick”-un e tij kur u mundua të godiste me parabolë përballë portierit Wayne Hennessey në minutat shtesë, por nuk ia arriti.  “Kam vuajtur shumë në të kaluarën dhe kisha nevojë që të shënoja tre gola për veten time, për ekipin tim dhe për përkrahësit. Ishte shumë e rëndësishme për mua. Sinqerisht mendoj se e humba sepse e kisha vetëm këtë gjë në mendjen time. Nëse nuk mendoj, me gjasë shënoj. Në 10 minutat e fundit unë e kisha vetëm një gjë në mendje, ‘Dua ta sjelli topin në shtëpi’ dhe kjo është arsyeja pse e humba. Portieri bëri një punë të mirë. Mendova se ai do të shkonte poshtë dhe unë harrova që ai është një portier, i cili është dy metra i gjatë dhe kjo është arsyeja pse dështova. Por unë jam duke u përmirësuar dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, përfundoi Morata./Zëri