Përmirësimi i Xhakës, shenjë e ndryshimeve të Emeryt

Sport November 06, 2018 - 11:18
Detajet

Unai Emery ia ka dhënë një energji të re Arsenalit. Strategu spanjoll ia ka sjellë një risi ritmit të lojës së klubit londinez. Një shenjë e ndryshimeve të Emeryt është edhe përmirësimi i Granit Xhakës, i cili është duke shkëlqyer në këtë edicion. Shqetësuese mbetet pak porta e ruajtur nga Bernd Leno, por Arsenali është duke bërë një progres të dukshëm nën drejtimin e ish-trajnerit të Paris Saint-Germainit, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Ishte vetëm një barazim, por momentalisht për Arsenalin rezultati është më pak i rëndësishëm sesa procesi. Loja për ta nuk ka të bëjë për pozicione dhe numra. Nuk ka të bëjë, për dallim nga Liverpooli, me tentimin për ta ndalur Manchester Cityn.

Ata nuk janë në presion nga ekipi i Pep Guardiolas, për dallim nga ekipet që kandidojnë për titullin. Nuk ka kuptim për ta që çdo pikë e humbur mund të jetë jetësore dhe kjo nënkupton që përqendrimi i tyre mund të jetë më i madh sesa në lojë dhe në aspektin e përgjithshëm.

E vërteta është se ka kaluar një kohë e madhe që prejse Arsenali është ndier kështu. Nuk kishte të bënte aq shumë me rezultatin ndaj Liverpoolin sa kishte të bënte me paraqitjen. Një ndjesi për herë të parë gjatë dekadës së fundit që diçka është duke u ndërtuar, që drejtimi i viteve të fundit të marrë fund dhe që një skuadër e re, e cila mund të jetë garuese me elitën, është duke u ndërtuar.

Kishte ritëm të lartë në “Emirates” të shtunën si në fushë, edhe në tribuna, po asnjëra prej ndjesive nuk kishte të bënte me efekte negative, që diçka mund të shkojë keq së shpejti, s’kishte parulla “Wenger Out” si shenjë paralajmëruese e problemeve. Dhe ndoshta më e rëndësishmja ishte fakti që diçka shkoi keq, Arsenali ka vuajtur një gjë që në të kaluarën do të “shpërthente tullumbacen” dhe me tepër sesa një lloj rënieje e ngadalshme që ishte kthyer në një karakteristikë, aty kishte një ngritje kolektive të nervave, zëvendësime që kishin ndikimin e duhur dhe një barazim.

Nuk mund të thuhet se gjithçka ishte e përkryer, sidomos jo situata në portë. Harkimi i Sadio Manes ishte i çuditshëm për Bernd Lenon, por ai nuk kishte presion të madh dhe me një punë më të mirë me këmbë ai mund të kishte qenë në gjendje të marrë një vendim më të mirë në intervenim sesa të gjuante topin drejt Rob Holding, që më pas u devijua drejt James Milnerit, i cili shënoi.

Ky nuk ishte gabimi i vetëm i Lenos, në kohën shtesë të pjesës së parë ai kishte dalë gabimisht nga porta pa e prekur fare topin. Topi i goditur me kokë nga Virgil van Dijk shkoi vetëm në shtyllë. Siç e kishte cekur Jurgen Klopp, në një ditë tjetër mbrojtësi holandez mund të kishte shënuar “Hat-Trick”, gjë që tregon se problemet e Arsenalit kishin të bënin me ndërprerjet dhe mungesa e autoritetit nga Leno.

Por këto janë vetëm detaje, detaje të rëndësishme, po, por probleme që mund të zgjidhen. Themelet duken shumë më të mira se që janë dukur për një kohë të gjatë. Kontrasti me dy ndeshjet e vitit të kaluar të Arsenalit ndaj Liverpoolit flet qartë. Arsenali humbi 4:0 në “Anfield” në edicionin e kaluar dhe ishin me fat që barazuan 3:3 në “Emirates”.

Nga të dyja ndeshjet imazhi ishte i qartë që lojtarët e Liverpoolit ishin më të shpejtë, më të fortë e më të përkushtuar ndaj një kundërshtari eksperimental, të pasigurt gjatë sfidës.

Këtu ishte një moment kur Unai Emery i bërtiti Granit Xhakës të ruante prapa, të luftonte në ajër, derisa mesfushori shqiptar e ndalte Mohamed Salahun.

Përmirësimi i Xhakës është ndoshta shenja më e qartë e ndryshimeve që ka bërë Emery. Ai nuk është më vetëm i mirë, por lëvizshmëria e madhe në mesfushë, pozicionimi i tij i paqartë dhe kapaciteti i madh për të gabuar është zhdukur.

Lucas Torreira ka shumë aftësi të admirueshme, por më e mira është ndoshta kapaciteti i tij për ta bërë Xhakën të duket si një mesfushor mbrojtës, edhe kur luan para Shkodran Mustafit. Ai është vetëm 22-vjeçar dhe i sapoardhur në verë, por ka pasur efekt në tërë skuadrën. Çfarë Arsenalit i nevojitej doli të jetë jo një tjetër mesfushor teknik, por një mesfushor fizik që nuk del shumë në sulm, por që ka muskuj prapa në mesfushë. Kush e dinte?

Këta lojtarë me aftësi teknike, por që nuk shkojnë fizikisht në sulm, kanë filluar të funksionojnë. Goli i Alexandre Lacazettes ishte i pesti këtë edicion dhe ishte realizuar me një ekspertizë. Do të kishte qenë më e lehtë për të të finalizonte me një goditje të mprehtë, por edhe pse kishin mbetur vetëm tetë minuta dhe ekzistonte një ndjesi emergjente, ai kishte gjakftohtësinë për të pritur derisa ishte i gatshëm, duke i ikur Alissonit dhe duke çuar topin në rrjetë me këmbën e tij të djathtë. 

Ishte një finalizim i një lojtari me plot besim në vetvete dhe kjo po i kthehet Arsenalit. Ata ende nuk janë kandidatë për titullin, por janë të pamposhtur në 14 ndeshje radhazi për herë të parë në një kohë të gjatë dhe ka një ndjesi që progresi është duke ardhur./Zëri